9.5 C
Tiranë
E premte, 18 Prill 2025

NDUE DRAGUSHA

ISUF SOKOLI DHE “365 DRITARET E POEZISË” SË TIJ

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Ne e dimë se gjithçka në këtë botë është relative dhe brenda këtij relativiteti lëvrojnë me miliona e miliarda ide, mendime, bindje politike, fetare, sociale, filozofike, shkencore etj., përmes të cilave ne lexojmë jo vetëm të përgjithshmën, por dhe individualitetet njerëzore dhe botkuptimore, marrim dhe japim eksperienca, mbi bazën e të cilave zgjedhim rrugët e suksesit në jetën tonë. Hap pas hapi, dhe poeti ynë, Isuf Sokoli ka arritur të ecë me individualitetin e tij intelektual dhe botkuptimor për jetën, duke i dhënë shoqërisë së sotme plot shtatë libra (poezi dhe poemë), të cilat plotësojnë një pazëll në skakierën e jetës tonë. Libri i shtatë, me titull “365 dritare”, na ka dhënë një pasqyrë poetiko-historike, përmes një rankimi poetik të veçorive dhe karakteristikave të disa prej qyteteve kryesore të vendit tonë, si: Tirana, Elbasani, Përmeti, Saranda, Vlora, Gjirokastra, Korça, Pogradeci, Durrësi, Kruja, Mirdita, Lezha, Shkodra, të natyrës, përfshirë fushën, malin, muajt e vitit, stinët e vitit, detin, hënën, qiellin, diellin, jetën sociale, si: shoqëria, familja, fisi etj. Libri hapet me poezinë “Prehëri i Nënës”: Në atdhe syri xixa qet, Atje zemra zien si valë, Atje goja, dhe pse s’flet, Pa folë nxjerr qindra fjalë. Atje ndihesh ëngjëll i Zotit, Me shkëlqimin gjithnjë larë, Atje rrëshqasin pikat e lotit, Nuk janë lotë, margaritarë. … Atje shpirti tjetërsohet Dhe shpalos hiret e tij, Atje zemra zmadhohet, Një vullkan të zien në gji. Atje ëndrra merr jetë, Vesh krahë, bëhët flutur, Atje kokën n’prehër mbështet, Jeta, dhurata më e bukur. Vazhon me “Udhëtim në Parajsë”: Gjithë qyteteve me krahina, Madhështi ju ka falë natyra, Janë si lulet ndër lëndina, Janë si lulet ngjyra-ngjyra. Në Shqipëri i gjithë bregdeti , Nga Saranda e në Velipojë, Është tamam rezidencë mbreti, Qilim argjendi ka për shtrojë. Dhe, pas rankimit të qyteteve kryesore të vendit, mbyllet me poezitë “Atje është jeta” dhe “70 vitet e jetës time”, ku më së shumti janë një prelud i një jete plot vështirësi, drama, rrëzime dhe ngritje, që secili nga lexuesit do ta ndiejë veten sikur libri të jetë shkruar për të. Në gjithë këtë ecje poetiko-historike në 365 ditët e vitit, poeti i sheh si 365 dritare nga ku kundrohet vendi ynë, natyra, jeta njerëzore, fenomenet natyrore etj., me një afsh poetik dhe mall të theksuar prej mërgimtari, shpirti i të cilit jeton brenda vendit të tij, brenda kujtimeve, brenda dashurisë për çdo gurë e dhè, për çdo rrugë e rrugicë, për çdo shtëpi e për çdo njeri. Sistemi i tij poetik vjen sipas një rime herë AB / AB, herë AA / BB, me një rregullsi melodike të vargut, që gjithmonë tingëllon si një këngë në veshët e lexuesit. Thjeshtësia e vargut, pasqyrimi i gjallë i realitetit dhe vendosja në mënyrë të natyrshme e një metrike brenda vargut e bën atë të kapshëm dhe të këndshëm për çdo lexues. Asnjëherë, edhe kur jeta e privon autorin nga shumë gjëra, për të cilat ëndërronte, ai nuk tërhiqet, vijon jetën për të gjetur shtigje të tjera të reja dhe përmes një konturimi psikologjik të të ardhmes së tij, edhe në një moment zhgënjimi, ai di të gjejë forcën për të ecur përpara. Në këtë libër gjen vend të rëndësishëm roli i familjes në jetën e njeriut, vlerat e saj të padiskutueshme janë baza mbi të cilën autori ngriti gjithë strukturën e vazhdimësisë. Prezenca në çdo “dritare” e dashurisë për jetën, për familjen, për njerëzit e bëjnë autorin të vërtetë, modelin e të mirës dhe shembullin e jetës së shëndetshme në një familje dhe shoqëri të shëndetshme. I urojmë autorit suksese dhe lexuesve lexim të këndshëm! NDUE DRAGUSHA

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.