-Romanzë-

Ylli polar mbrëmë xheloz ish i tërë
tek ndiqte orbitash lëvizjet e tua,
ti, e bukur, e freskët, hënë e pabërë,
kishe zbritur në tokë e rrinje me mua.
Liqeni faqen kishte lëmuar,
për bukurinë tënde të ishte pasqyrë,
unë qiej e tokë i kisha harruar
veç ty vështroja ëmbëlsisht në fytyrë.
Yjet nisën të pikonin ngadalë,
nuk kuptoja, ishim në qiell a liqen,
portreti yt shkrihej nëpër valë,
kjo dritë hëne, vallë, nga më vjen?
Yjet shkuan të flenë një nga një,
buzë agut shkuam të flemë dhe ne,
veç Ylli polar vërtitej pa zë,
më kot kërkonte hënën nëpër re.