Doli nga botimi libri im i fundit: MONOGRAFI “Te Kullat e Nikë Zeqirit”.
I lindur në Curraj Epër në mesin e shekullit kaluar, kam pasur fatin të njoh nga afër shumë nga burrat e Currajve Epër të lindur nga fundi i shek. XIX-të dhe ata të lindur në shek. XX-të. Ata burra që me punën, mendjen, fjalën, besën, bujarinë e trimërinë shkruan historinë e lavdishme të fshatit Curraj Epër.

Një ndër këta burra ishte edhe Nikë Zeqir Vatnikaj, i lindur në vitin 1878 dhe jetoi deri në vitin 1967. Në këtë libër jam përpjekur të përshkruaj jetën dhe veprën e këtij burri malësor, që është edhe sinonimi i burrave me shumë vlerë që kanë lindur e rritur në fshatin tim Curraj Epër. Nika kishte edhe një diçka të veçantë: Për fatin e Tij jo të mirë nuk i lindën fëmijë, por pavarësisht kësaj, Ai punoj gjithë jetën për të mbajtur shtepinë e vet, për të nderuar me gjithçka fshatin e vet, për t’i shërbyer nipit të vet Mark Sadrisë, që e deshi më shumë se ta kishte djalë dhe në të njëjtën kohë edhe Mark Sadria me familjen e vet e deshtën, e respektuan dhe i shërbyen gjithë jetën ndoshta më shumë se babës vet. Nikë Zeqiri u largue nga kjo jetë në vitin 1967 duke lënë një emër të madh si burrë me vlera i Currajve Epër, duke lënë edhe vepra të punës Tij si Kullat e Nikë Zeqirit në fshat, Kullat e Nikë Zeqirit në Lumin e Plasë, Vadën e Nikë Zeqirit nga Lumi i Ujk Buçit, që e ndërtoi me forcat e veta dhe vaditnin tokën të gjithë ata Të Curraj që kishin tokë buke në Zaje e deri në Tërlën e Ndrevatajve. Ndërtoi mullirin me të cilin bluanin misrin të gjithë ata që kishin tokë e delnin në Lumin e Plasë. Kullat e Nikës në Lumin e Plasë ishin si stacion pushimi për rrugëtar e shtegtarë që shkonin e vinin nga Thethi për në Curraj Epër, gjithmonë sofër e shtruar për bukë për ata që kishin nevojë. Gjithmonë pishat gati për ata që i zinte nata rrugës e donin të lëviznin natën.
Jam përpjekur të përshkruaj shumë gjëra nga jeta e Tijë pa pretenduar se i kam thënë të gjitha. Ky libër i imi është si një homazh për Nikë Zeqirin dhe burrat e jashtëzakonshëm të Currajve Epër që jetuan në ato kohë dhe me punën e veprat e tyre e rritën emrin e Ktijë fshati që Zoti i kishte falë bukurinë dhe njerzit ja dhanë madhështin.
Falënderoj Dr. Dedë Qokaj për redaktimin e librit, Astritin, djalin tim për faqosjen dizajnin dhe grafikat, Djemt e Mark Sadrisë për sponsorizimin e botimit në shtypshkronjë!