Kam patur fatin ti njoh burrat e Currajve Epër që kan lindur në fundin e shek. 18-të dhe gjysmën e pare të shek. 19-të.

Ata ndërtuan fshatin Curraj Epër,
Ata ndërtuan kullat dy e tre katëshe,
Ata ndërtuan dy kanalet vaditëse në të dy anët e lumit,
Ata ndërtuan Venicën për përpunimin e shajakut,
Ata ndërtuan mullinjtë e blojës,
Ata i zunë rob shkijet në Kishë,
Ata muarën pjesë në të gjitha luftrat që janë zhvilluar në Nikaj Merturë,
Ata pra e krijuan historinë e lavdishme të Curraj Epër.
Ata janë krenaria e fshatit Curraj Epër.
Një ndër këta burra ishte edhe Nosh Kolë Vatnikaj (që ne e thirrnim “Lala”).
Noshi ka lindur në vitin 1890 dhe u rrit në një familje të madhe ku përbëhej nga 5 vllezër, u rrit si një div malësorë i gjatë gati 2 metra, shpatullgjanë e bukurosh si nuk e shihte syni ma të bukur. Ai ia kushtoi gjithë jetën familjes Tijë, një puntorë i jashtzakonshëm, puna e Tijë barazohej me dy argatë. Ai ishte një blegtor i përmëndur si çobani i 100 dhive të shtepisë Kolë Gjonit. Punoj e jetoj me nderë dhe ndërroj jetë në vititn 1990 tamam në moshën 100 vjeçare.
Nosh Kola krahas fizikut si një malësor kreshnik kishte një zë të jashtzakonshëm, kurë u thërriste shokëve çoban ushtonin bjeshkët. Por e veçanta e ktijë zëri ishte se Noshi përhpte haberin (lajmin) për çdo vdekje që bëheshin në fshat, në fis apo nëpër bajrak të tjerë. Dy zëra ishin të veçantë në Curraj Epër: Zëri i këmbanës Kishës që ndigjohej deri në maje të malit Boshit dhe zëri i Noshit që ndihej deri në majën e malit Qokajve.
Mjaftonte t’u thërriste dy burrave në Curraj Epër dhe të gjithë e merrnin lajmin. Mua më kujtohe dhe tani më duket sikurë po e “ndigjoj” si atëherë:
“Oooo more Grimc Dema (e pastaj) Oooo more Kukel Ndouuuuuu!
O si thue moreeee? (përgjigjeshin)
-“Oka vdekë (filani me emër e me fshat) e hin nesër në dhe e hajtni kush të doni me pa!”
Ooo Ju shëndosh moreee!
E lajmin e ndigjonin i gjithë fshati.
Ndaj desha ta kujtoj Noshin “celularin” e atëhershëm për dhënjen e lajmit të vdekjeve sepse sot është bërë mode lajmërimi për vdekjet nëpërmes celularit e fcb sotëm.
Lala Nosh ka lënë mbrapa shumë kujtime të bukura te të gjithë ata njerz që e kanë njohur.
Shpirti i pushoftë në Parajsën e përjetshme!
Ndue Vatnikaj, 04.Mars. 2022