ATJE KU KAM LE
( POEZI PËR MËRGIMTARËT)
Më dhemb e më pikon gjak shpirti im
Pa tym oxhakun kur ta shoh atdheu im
Kur nuk e shoh tufën e deleve në ograje
Kur i shoh nënat mbetur si qyqe në vaje.
Kur e shoh shtëpinë pa lugë në sofër
E ty atdhe të shoh me ballë të rrudhosur
Shpirti më digjet e më kallet flakë
Mbytem si fëmijë duke qarë çdo natë.
Nuk ka dhembje veç mallit e dashurisë
Mbetur me etjen e djegur të vetmisë
Oh, Zot ashti prej mishit si mund të ndahet
Loti i mërgimtarit kur do të thahet?!…
Që nga ajo ditë kur prej teje u largova
Ëndrrat dhe kujtimet me vete i mora
Loti më ka mbetur tek gjethet e ftoit
Aty te shtëpia e vjetër në mes të oborrit.
Ninullat i lashë tek djepi im prej druri
Aty ku nëna ma jepte përsheshin prej tulit
Me vete mora zërin e çiftelisë e të lahutës
U largova me aromën e kores së bukës.
Që nga ajo ditë kurrë i qetë nuk fjeta
Kur ta ktheva shpinën zog i plagosur mbeta
Loti më mbeti i varur mu në qerpik të syrit
Dashurinë e lashë aty tek ajo degë e blirit.
Edhe pse aq larg prej teje jam larguar
Dashurinë e mallin nuk t’i kam harruar
E di se larg teje, malli për ty më treti
Asht e shpirt m’i dogji – më shkriu kurbeti
Por një ditë rrugën e kthimit do ta marr
Së bashku me shpirtin tim të djegur zjarr
Prapë do të kthehem në prehrin tënd atdhe
Dua të prehem aty ku unë kam le…