14.5 C
Tiranë
E shtunë, 8 Shkurt 2025

Nga Abdurahim Ashiku

 

ME DR. SELIM HORESHKËN NË MALLIN PËR VENDLINDJEN DHE PROFESIONIN E REANIMATORIT..

Teksa Ai më tregonte “rrobat” qull të lagura, unë mendoja “rrobat” kallkan të ngrira. Të dy pranë sobës, në hapësirën kohore të një dekade, unë në fillim të viteve ’50-të e ai në fillim të viteve ’60-të, kur na u desh të ecnim rrugëve të pa shtruara drejt dijes…
Mbase ky rrëfim i sinqertë i një mjeku “qull në shi” lexohet dhe disi kuptohet nga brezi me “sy për arrati”

Nga Abdurahim Ashiku
Dëshmitar i kohëve

Jemi ulur, si çdo ditë, me detin përballë në plazh të Malit të Robit.
Në buzë bashkë me lëngun e kafesë vëmë lëngun e jetës.
Të tij dhe timen.
E më ngjan se nuk po e intervistoj unë, por ai.
Ai është prej Sohodolli e unë prej Brezhdani, fshatrat më të mëdhenj të  Dibrës, fshatra, në ndarje kohësh (të dhëna1991), njeri me 500 shtëpi e 2274 banorë (Sohodoll i Madh dhe Sohodoll i Vogël), e tjetri me 662 shtëpi e 3538 banorë (Brezhdan e Zdojan). Kështu i kanë rrënjët moti…
Takohemi shpesh në bisedë. Na përzihen kujtimet aq sa na bëhen një, penjëz të një lëmshi që ndërthuren me njeri tjetrin e rrotullohen në furkën e kohëve.
E gërryej për të marrë diçka nga fëmijëria e tij. Jo si një “përrallë nga e kaluara” por si një dokument shpirtëror që del e merr dheun nga arkivi i jetës.
E pyes për Sohodollin e fëmijërisë së tij…

ÇDO DITË NGA SOHODOLLI NË PESHKOPI, TË LAGUR E TË MËRDHIRË, ME DËSHIRËN E MADHE PËR DIJE…

Të paktën prej kur isha tre vjeç e mbrapa, kujtoj shumë gjera. Në mënyrë të veçantë pasi fillova klasën e parë.
Mësuesi im i klasës së parë ka qenë Xhafer Merdini. Ishin klasa dyshe në atë kohë. Gjysma ishte klasë e tretë dhe gjysma ishte klasë e parë. E vështirë për mësuesin por edhe për ne…
E fillova në vitin 1961…
Pastaj në klasën e dytë me mësues Ismet Çoren…
Në klasën e tretë me Bexhet Cibakun…
Në klasën e katërt me Agim Erebarën…
Me këtë rast dua tu shpreh respektin e thellë dhe mirënjohjen time për atë që na dhanë me përkushtim e me shpirt të madh.
Sapo mbaruam shkollën fillore kaluam në tetëvjeçare që ishte në Kastriot, Brest. Ishte viti i parë që u kalua nga shtatëvjeçarja në tetëvjeçare.
Gjithmonë kemi pas shokë të mirë dhe mësues të mirë që nga fillorja derisa kemi mbaruar universitetin. Vlerësimi im për shokët dhe për mësuesit ka qenë maksimal sepse ashtu ishin në të vërtetë.
Mbasi mbaruam tetëvjeçaren ishte një grup  i madh nxënësish nga Sohodolli që filluam gjimnazin. Para nesh kishte filluar një grup më i vogël me Xhelil Cibakun, Zihni Methasanin e shumë të tjerë që ishin tre vjet para nesh. Dhe pas këtyre ishte grupi ynë. Dhe mbas grupit tonë ishin edhe shumë e shumë të tjerë që kishin mbaruar tetëvjeçaren para nesh e që filluan shkollë nate.
Çdo ditë nga Sohodolli në Peshkopi. Në këmbë, dy orë rrugë vajtje e dy ardhje. Unë, Faris Cibaku, Bardhyl Cibaku, Sefë Cibaku…një grup shumë i madh.
Dhe kur hipnim ndonjë herë rrallë në ndonjë makinë  ishte fat.
Pjesën më të madhe të ditëve, veçanërisht dimrit, kur shkonim në shkollë ishim të lagur ujë. Ora e parë na shkonte për tu tharë tek soba. Nuk më kujtohet që  ndonjëri prej nesh të ketë pas çadër.
Përgjithësisht me kostume sportive dhe dimrit me ndonjë gjë tjetër shtesë por gjithnjë na binte në kohë të keqe të shkonim të lagur ose të mërdhitur.
Të gjithë ata që mbaruan shkollën e mesme në Peshkopi nga Sohodolli, të gjithë mbaruan universitetin me rezultate shumë të mira dhe punuan si kuadro në arsim, shëndetësi, bujqësi, ushtri etj.
Të mesmen e mbarova në vitin 1972. Po në vitin 1972 fillova universitetin në fakultetin e mjekësisë. Nuk kishim detyrim stazhi një vit, si u bë më vonë, ndaj shkuam direkt.
Një grupi prej 18 nxënësish nga gjimnazi jonë iu dha e drejta për mjekësi meqenëse kishte shumë nevoja, sidomos fshatrave. Nga këta 15 e  mbaruam atë.
Përveç meje ishte Lulëzim Pilafi, Mustafa Ndreka, Dilaver Çorja, Ibrahim Kaziu, Nazmi Kaja, Naim Rama… Kishte edhe fëmijë të familjeve të oficerëve që nuk ishin dibranë si Resmi Balla që u bë gjinekolog në Elbasan, e shumë e shumë të tjerë.
Si fakultet e mbaruam në vitin 1977. Bëmë një vit stazh nëpër spitalet rajonale. Ne e bëmë në spitalin e Peshkopisë. Në vitin 1978 u diplomuam.
Fat ishte që në spitalin e Peshkopisë ku filluam stazhin gjetëm një kolektiv mjekësh shumë profesionistë duke filluar nga Rrahim Gjika, Donika Serani, Qemal Çadri, Janaq Tërpo, Irfan Jashari, Tahir Alku. Më pas Arif Hasani, Hysen Pasha, Sashenka Nazifi, Vangjel Kamburi, Sheza Balliu në neurologji, Hazis Ndregjoni në dermatologji, Xhavit Miftari dhe Tush Balliu në infektiv. Të gjithë, derisa unë jam larguar nga Peshkopia, një herë në dy javë i nënshtroheshim ngritjes tekniko profesionale ku referoheshin tema nga të gjithë sektorët e shëndetësisë. Referimi bëhej me të caktuar. Kësaj radhe e ka filani… Radhën tjetër filani… Zgjidhej një temë e cila të mos jetë referuar pesë vitet e fundit.
Emërues i përbashkët i të gjitha gjërave është puna dhe libri. Tani janë lehtësuar gjërat sepse është interneti dhe librin e gjen edhe në internet. Por ama libri i shkruar ngelet një bazë për shumë e shumë vite, gjithë jetën.
Në vitet nëntëdhjetë filloi bashkëpunimi edhe me spitalet e Maqedonisë, pas hapjes me botën, ku bëheshin konferenca mjekësore të përbashkëta. Kemi bërë në Dibër të Madhe, në Strugë, Shkup dhe në Peshkopi ku referoheshin tema nga më të ndryshmet. Kjo u shoqërua me çmallje mes njerëzve dhe lidhja e miqësive të reja.

LUZNIA UNIVERSITETI IM I DYTË…

Pasi mbarova fakultetin punova rreth dy vjet si mjek i përgjithshëm në zonën e Luznisë. Këtë e quaj shkollë të madhe të jetës, si gjë shumë të mirë për kohën ku jo vetëm u përshtatem me detyrën e mjekut të familjes por edhe me shumë e shumë gjëra që tani nuk praktikohen më që nga higjienizimi i banesave, mirërritja e fëmijëve të vegjël, trajtimi i gruas shtatzënë, fëmijës së porsalindur etj. që bëheshin nga mjeku i përgjithshëm.
Qendra shëndetësore e Luznisë quhej spital zonal ku si mjek në atë kohë isha vetëm unë. Ishin 4-5 mami – infermiere dhe çdo fshat kishte mami-infermiere. Kishim një ndihmës dentist Sakip Ashiku dhe një farmaciste nga Dohoshishti, Lume Kadriu, bijë në Brezhdan ke Tuket.
Atje, në ato shtëpi të Katundit të Ri, Hoteisht, Lishanit të Epërm dhe Lishanit të Poshtëm, Arapit të Epërm dhe Arapit të Poshtëm, mora leksionet e para të Universitetit të Dibrës…

REAMINATORI I PARË I DIBRËS

Pas Luznisë shkova për specializim për anestezi-reanimacion. U specializova dy vjet dhe më pas u ktheva në Peshkopi, më 3 janar 1983. Në Peshkopi nuk kishte pasur asnjëherë anestezist-reanimator kështu që edhe aparaturat për këtë sektor ishin afër zeros.
Mu deshtë që javën e parë të shkoj në ministri, të bisedoj me ministrin Ajli Alushani. Brenda javës tërhoqa aparaturat bazë. Dhe brenda vitit spitali i Peshkopisë nuk kishte asgjë mangët nga spitalet e tjerë. Kjo falë ndihmës së madhe të profesor Ajli Alushanit të cilin e kisha pasur pedagog, ndihmë e cila ishte maksimale.
Fillimisht popullata nuk e kishte fare idenë se ç’është anestezi-reanimacioni, por ama edhe mjekët, përfshirë sektorin kirurgjikal nuk kishin informacionin e duhur për degën e anestezisë. Deri atëherë anestezia kryhej nga infermierë me anestezinë tradicionale të asaj kohe “eter me pika”. Brenda vitit siç ju thashë ndryshoi edhe teknika duke futur protoksidin e azotit dhe neurolept anestezinë dhe neurolept analgjezinë, anestezia intravenoze.

I SËMURI PËRGJEGJËSI E PËRBASHKËT

Vit pas viti gjërat ndryshuan. Tani i sëmuri është i përbashkët por detyrat e anestezistit dhe kirurgut janë të ndara. Edhe ana shkencore por edhe ana ligjore. Përgjegjësia para ligjit pak a shumë është e ndarë. Si detyrimi po ashtu edhe atributet për një të sëmurë në sallë derisa ai del në pavijon. Në reanimacion ato ditë që ka për të ndenjur është produkt i punës së anestezistit kryesisht për sa i përket sigurimit të organeve me rëndësi vitale si frymëmarrja, puna e zemrës si tensioni, frekuenca, çrregullimet e ndryshme kardiake, koshienca e të sëmurit. Kur del në pavijon anestezisti kthehet në konsulent të të sëmurit dhe kartelën e merr kirurgu.

LARG DIBRËS ME ZEMËR ATJE

Deri në vitin 1997 kam punuar pranë spitalit rajonal të Peshkopisë. Nga mesi i atij viti u punësova në spitalin universitar të ushtrisë apo siç quhej “Spitali ushtarak” në Tiranë. Më vonë mori emrin ”Spitali i Traumës” duke qenë se këtu grupoheshin të gjitha traumat e republikës. Punova këtu deri në vitin 2018 kur erdhi koha për pension. Tani punoj në një spital privat.
Mua më ka shoqëruar gjithmonë fati se kam gjetur atje ku kam shkuar një staf profesionistësh. Edhe në spitalin ushtarak ku një pjesë e madhe ishin me gradat doktor e profesor dhe kishin përballuar sfida mjekësore nga më të ndryshmet.
Në vitin 1998, disa muaj pasi kisha filluar punën në Spitalin e Traumës, Ministria e Mbrojtjes në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes së Greqisë, në kuadrin e NATO-s, gjithë mjekët e spitalit ushtarak i kaloi në një specializim tremujor nëpër spitalet ushtarake të Athinës duke filluar nga spitali i marinës, ai i këmbësorisë dhe ai i aviacionit. Unë isha në spitalin e marinës ngjit me Ambasadën Shqiptare në atë kohë.
Atje u takova me ju. Pimë kafe në qendër të Athinës, në Omonia.

HASIJE HORESHKA, DUKA…

Profesioni jonë është një profesion i vështirë që kërkon fillimisht mbështetjen e familjes por edhe tolerancën e fëmijëve, sepse ne mund të ngrihemi e disa herë në mes të natës të shkojmë në spital në organizimin që kishim nëpër rrethe dhe po qe se do të mërzitet familja atëherë o duhet ta lesh punën e të marrësh një profesion tjetër ose familja do të jetë tolerante dhe e mirë kuptueshme për profesionin që ke. Kështu që një pjesë të meritës gjithnjë në profesione të vështira siç është ai i anestezistit i takon familjes. Pastaj kur fillojnë e ndërgjegjësohen edhe fëmijët edhe ata bëhen të ndërgjegjshëm që prindi ka një profesion të vështirë, një punë të vështirë dhe janë edhe më tolerantë në kërkesat për të dalë, për të bërë xhiro, për të shkuar diku. Këtë punë e kryen bashkëshortja ime, mamaja e tyre, Hasija.
Hasije Duka, nga Duket e Sopotit. Hasije Mehmet Duka.
Ajo ka mbaruar inxhinierinë elektrike. Edhe ajo kishte një profesion të vështirë për gratë. Ka punuar në ndërmarrjen elektrike deri në vitin 1997. Më pas në ndërmarrjet elektrike të Tiranës.
Edhe Hasijes i është deshtë të shkojë në çdo fshat të Dibrës për të projektuar ndryshimin e sistemit elektrik nga shtylla druri në shtylla betoni. Nga këto nuk kishte ndërrim numër për numër por bëheshin linja të reja komplet sipas një strategjie të re. Deri vonë të gjithë projektet e Dibrës i ka pas në shtëpi.
Fëmija i parë është Klodi, vajza e madhe, Klodiana. Ajo që nga klasa e parë deri në të dymbëdhjetën ka pasur vetëm një NËNTË. Fitoi të drejtën për mjekësi, stomatologji dhe ekonomi. Zgjodhi stomatologjinë. Tani punon e pavarur në klinikën e vet dentare. Ka tre fëmijë: Kledian, Dionën dhe Drinin. Duke qenë se ka marrë Skraparli për burrë çunit ia la emrin Drini. Dorjana punon ekonomiste në bankën Kredins. Dhe i treti është Arditi që ka mbaruar inxhinieri elektronike dhe punon si inxhinier elektronik.

NJERIU RRITET ME DËSHIRËN PËR TU LARGUAR NGA VENDLINDJA DHE PLAKET ME DËSHIRËN PËR TU KTHYER ATY.

Me Selimin takohemi çdo vit këtu, në plazhin e Malit të Robit, ku shtëpitë i kemi në të njëjtin bllok banimi, afër e afër, pimë kafe, çmallemi, udhëtojmë maleve të Dibrës, takojmë e gjejmë njerëz disa i kujtojmë e disa të tjerë i jetojmë dhe nostalgjia për Dibrën këndellet, sa vjen e rritet. Dhe na duket sikur po të na thonë ejani në këmbë në Dibër, shkojmë…
Thuhet një fjalë, vazhdon Selimi, se njeriu rritet me dëshirën për tu larguar nga vendlindja dhe plaket me dëshirën për tu kthyer prapë aty. Tani në shumë vende që kemi lëvizur, kemi ecur me këmbë, tani kur nuk shkojmë dot udhëtojmë me mend, i kujtojmë ato, kujtojmë në mënyrë të veçantë shokët, njerëzit që gjithmonë na kanë rrethuar me dashamirësinë më të madhe sepse edhe ne, unë e ti, domethënë kemi pas për bazë përveç korrektesës edhe tolerancën. Edhe kur ndonjë e ka pas pak me të keq ne kemi bërë sikur nuk kemi kuptuar. Atë që e ka pas me të mirë e kemi kuptuar dhe mirëkuptuar.
– E kemi lënë të ece vetë.
– Po, por e kemi lënë të ecë në hanë të vet.
– Faleminderit!
– Faleminderit ju! Është kënaqësi që takohemi, pimë kafe çdo ditë e udhëtojmë. Nesër do të kthehem në Tiranë. Gushtin tjetër këtu më ke…

Abdurahim Ashiku

Shqipëri-Athinë, shtator 2019

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.