MESAZHI QE VJEN NGA ILIA QIQI.
Nga arkivi i një gazetari të kohës
Nga Abdurahim Ashiku
Athinë, 22 shkurt 2009
Ka qenë tetor i vitit 1974, e premte, kur nga autobusi i linjës Peshkopi-Tiranë zbrita në qytetin e Burrelit. Ishte muaji i tetë i punës sime si gazetar i Agjencisë Telegrafike Shqiptare për rrethet Dibër e Mat. Si zakonisht takimin e parë informues e bëra me Ymer Metën, një njeri i gjallë që asokohe çdo mbrëmje përcillte me zë lajme nga qyteti dhe fshatrat e Matit për “Radio Tiranën”, një njeri që në ditët e mungesës sime në Mat më informonte për gjithçka që sundonte jetën atje.
E gjeta në zyrë. Më dha dorën dhe pasi më nguli shikimin me sy të lagur më tha:
– Ka vdekur një djalë i ri. Ilia Qiqi e quajnë, vetëm njëzet e pak vjeç, mësues matematike nga Zervati i Gjirokastrës.
– Si vdiq? – e pyes duke u bërë pjesë e shqetësimit dhe e tronditjes së tij.
– Vdiq në Burgajet ndërsa udhëtonte drejt Lisit, drejt shkollës, vdiq nga rrufeja…
E kapa për krahu dhe dolëm jashtë. U ulëm në një lokal ku zakonisht gjerbnim kafenë dhe bisedonim.
Erdhën edhe dy shokë të tjerë shokë të Ilias, fytyrat e të cilëve i kam në sy kurse emrat nuk ua mbaj mend…
Më treguan se Ilia një ditë më parë ishte kthyer nga vendlindja e tij. Ishte një ditë e egër, me shi dhe furtunë. Ata kishin këmbëngulur që Ai të qëndronte me ta në dhomën e mësuesve asokohe të shumtë që vinin në qytetet dhe fshatrat e malësisë, të Veriut dhe të Verilindjes. I thanë që të priste sa të ndalonte shiu dhe furtuna por ai nuk kishte pranuar. Ishte i vendosur të shkonte në Lis, tek nxënësit e tij.
…Dhe ishte nisur në këmbë. Asokohe në Lis e në fshatrat e tjerë të Matit nuk kishte asnjë lloj shërbimi urban. Rasti i mirë ishte kur qëllonte ndonjë “skodë” në udhëtimin drejt Masdejës për dru zjarri e lëndë ndërtimi. Atë ditë, në atë shi të rrëmbyer, në atë rrugë të ngushtë e me gropa të thella, nuk guxonte kush të ngjitej deri në Burgajet e jo më deri në pyjet e Masdejës.
Në Burgajet shiu dhe furtuna nuk të linin të bëje hap përpara. Rrufetë grisnin e bënin zhele retë e zeza duke u shkarkuar ku të gjenin majën më të lartë. Teksa kalonte bri disa mullarëve me sanë një shkrepje e fortë ia verboi sytë dhe elektriciteti i lartë ia ndali hapin, ia ndali jetën…
Një djalë i ri, një mësues vetëm njëzet e dy vjeç, një minoritar nga Zervati i Gjirokastrës humbi jetën…
…Kërkova edhe detaje të tjera që lidheshin me Ilian dhe kur mu formua e plotë pamja e jetës dhe e heroikës së atij njeriu mora lapsin dhe i dhashë formë një informacioni të zgjeruar. U lidha në telefon me Spiro Majkon, marrësin korrekt të lajmeve në sektorin e brendshëm të Agjencisë Telegrafike Shqiptare dhe ia diktova tërë ngjarjen.
…Lajmi u botua po atë ditë në faqet e Buletinit të Brendshme të ATSH-së.
Pas pesë ditësh do të mësoja se një gazetar i gazetës “Mësuesi”, pasi kishin lexuar lajmin e ATSH-së kishte udhëtuar për në Mat e prej atje në Lis dhe kishte botuar një reportazh të gjatë për ngjarjen…
Gjatë atyre ditëve në Lis të Matit dhe në Zervat të Gjirokastrës do të vinin njerëz të partisë dhe pushtetit lokal e qendror të kohës. I vëllai i Ilias Stefani do të vinte mësues në klasat e vëllait, mësues që siç mësova më vonë në një takim të rastit me të Athinë do të qëndronte atje për 17 vjet.
…Këto radhë dhe kujtimi i asaj dite të vështirë për mua nuk do t’i kisha shkruar sikur një lajm në gazetat shqiptare do të më kthente një jetë pas, 35 vjet, me një tronditje që shkul rrënjët e shpirtit të njeriut. Bashkia e Burrelit kërkon ta heqë nga kujtesa emrin dhe veprën e Ilia Qiqit, kërkon t’i heqë emrin shkollës 9 vjeçare që prej disa dhjetëvjeçarësh i bën nder vetes duke mbajtur emrin “ Ilia Qiqi “.
Si një gazetar që ka qenë i detyruar të përcjell një “gjëmë njerëzore”, gjëmë e cila më dhemb edhe pas kaq vitesh, veprimin e Bashkisë së Burrelit e quaj të çmendur. Ilia Qiqi bëri heroiken, atë lloj heroizmi që askush nuk e bën dhe nuk mund ta bëjë sot. Ai nuk u vra “aksidentalisht” siç duan ta mbështjellin me gazeta të grisura. Ai u vra nga një forcë e verbër e natyrës ndërsa shkonte në krye të detyrës, ndërsa vinte nga një zonë e minoritetit grek, nga Zervati në Fushën e bukur të Dropullit.
Nuk ka asnjë arsye që shkollës nëntëvjeçare të Burrelit t’i hiqet emri i Ilia Qiqit. Kjo do të ishte një vrasje jo vetëm për atë por edhe për të vëllanë, vrasje shpirtërore edhe për mijëra mësues të tjerë që në ato vite kur shkollimi i mesëm i fëmijëve po u ngjitej edhe maleve më të larta të vendit dhe në veçanti të Veriut dhe të Verilindjes. Unë njoh deputetë të sotëm që kanë qenë mësues në Veri e Verilindje, në Mat, Dibër, Kukës, Pukë, Mirditë, Tropojë etj. Do të doja që ata të ngjiteshin në podiumin e Kuvendit dhe ta mbronin Ilia Qiqin duke e cilësuar atë Hero për të gjitha kohërat, edhe dje, edhe sot.
Unë, në arkivin e gazetarit ruaj si shumë të çmuara dy letra të mësuesve të mi të fundviteve dyzetë e fillimviteve pesëdhjetë, një vajze nga Berati që pa i mbushur të gjashtëmbëdhjetat erdhi mësuese në fshatin më të thellë të Dibrës dhe një mësuesi nga Përmeti, mësues të mi.
E quaj të arsyeshme që letrat e këtyre dy mësuesve, letra të cilat i kam publikuar në përmbledhjen time publicistike “Rilindësit e kohës sonë” tua përcjell lexuesve si një mesazh i tyre dhe i mijërave si ata që ishin pjesë e heroizmit të kohës, mësues me të vërtetë heroikë.
I tillë ishte edhe Ilia Qiqi, një Hero që duhet mbajtur në piedestal si shembull i kohës së tij dhe të kohës sonë