14.5 C
Tiranë
E martë, 13 Maj 2025

Nga Abdurrahim Ashiku

MET SULA DHE QAZIM RASHA I MALIT TË DARDHËS
Meditime për dy burra që shuan zjarre për të ndezë miqësi
Nga Abdurrahim Ashiku, gazetar
Imazhi mund të përmbajë: 1 person, ulur dhe E brendshme
“Nuk është kollaj ta tërheqësh këmbëzën e pistoletës. Një pendë qe nuk mjafton”…
Met Sula kishte ardhë në Peshkopi dhe po pinte kafe në klubin në podrum të ndërtesës së ish komitetit ekzekutiv. I kisha pirë kafen dhe i kisha ngrënë bukën në kullën e tij në Zall-Dardhë. Ndjeva se e kishte një hall. E pyes për shëndetin, për njerëzit që i njihja dhe më njihnin. Kur i kishim shkuar kafes në mes e u kishim ra kodrave nga Zalli i Dardhës deri në Lashkizë, Tartaj, Qa, Soricë e Shënlleshe duke takuar njerëz e pi kafen që aq me mirë e pjekin darnjanët, më tha se kishte ardhë për t’i qëndruar nipit pranë, shtruar në spital nga një plumb dal nga një pistoletë…
I kërkova leje që ta përcillja në shtyp.
Vepra e tij ishte një mesazh i madh për kohën, për kohët…
Kronika (bashkangjitur”) me titull PESË KRISMA NË ZALL-DARDHË, u botua në gazetën “Zëri i Popullit”, e premte 16 prill 1993…
* * *
Pesë krisma pistolete në qendër të Zall-Dardhës vazhdojnë të jehojnë luginës së Drinit të Zi. Ilmi Sula, 28 vjeç, me katër fëmijë, i plagosur ije më ije, me njerëzit e vet tek koka, e kaloi rrezikun, po përmirësohet dita ditës.
Po çfarë ishin ato krisma? Pse u derdh gjaku në sheshin e Zall-Dardhës?
Ngjarja ndodhi kështu: Autobusi i linjës Kukës-Peshkopi si zakonisht ndaloi në sheshin e Zall-Dardhës. Një polic i rendit u afrua dhe bëri kontrollin e nevojshëm. Pas kësaj ai i dha shenjë të vazhdojë rrugën. Ndërkohë një civil i bën shenjë të ndalet. Shoferi vazhdoi të ecë. Civili bërtet dhe nxjerr revolen. E nxjerr dhe pa një e pa dy qëllon në drejtim të autobusit. Jo njëherë por plot pesë herë. Jo në ajër por drejt e në autobus. Plumbi kap ije më ije Ilmi Sulën…
Ngjarja solli acarime të menjëhershme. Ai që qëlloi duke rënë në gjunjë kërkonte ndëshkim për fajin që kishte bërë. Një plak e kap përkrahu dhe i thotë:
– Shko se je i falur. Nuk është faji jot. Është faji i atyre që të japin ty pistoletën në dorë. Nuk është kollaj ta tërheqësh këmbëzën e pistoletës. Një pendë qe nuk mjafton për ta tërhequr këmbëzën…
Po kush është ky njeri që ra në gjunjë në sheshin e Zall-Dardhës ?
Pjesëtarët e familjes ia dinë vetëm funksionin. I dinë edhe mbiemrin dhe vendlindjen. Më gjatë nuk duan të mësojnë. Është një polic i policisë financiare të rrethit të Dibrës. Një nga ata policët që për herë të parë ka vënë koburen në brez.”
****
Met Sula i Malit të Dardhës, i urtë si Ai, njohës i zakoneve dhe kanunit si Ai, njeri i fjalës dhe besës si Ai, shoi një zjarr që po të ishte ngucë, do të kishte përcjellë flakët mal pas malesh larg, deri në Katër Grykët e Murrës nga ishte lidhë në trup gishti që tërhoqi këmbëzën e derdhi gjak…
Nuk e bëri. I qëndroi për net e ditë nipit tek kryet derisa u shërua dhe shkoi tek fëmijët.
Zakoni i Dibrës është që shtetarët në rreth, arma zyrtare e të cilëve kishte derdhë gjak, t’ia pinin një kafe Met Sulës, t’i shkonin nipit të tij që dergjej në kirurgji e t’ia vinin dorën në ballë.
Policia e rendit duhej ta ndalonte policin e policisë financiare dhe të jepte një komunikatë për shtyp me hollësi për ngjarjen e një urim për shërim të shpejtë të Ilmi Sulës.
Shefi i policisë financiare, arma në organikë e institucionit të tij që kishte derdhë gjak, duhet të dënonte aktin dhe të kërkonte ndjesë publike.
Pushtetarët në rreth; kryetari i Këshillit të Rrethit, Prefekti i Dibrës, Bulqizës dhe Matit… heshtën.
Kryetari i policisë së rendit hodhi në rrugë fjalën “Polici nuk kishte armë!”
Shefi i policisë financiare, dy ditë pas daljes publike të ngjarjes i shkoi gazetarit në zyrë duke i kërkuar llogari pse e ka bërë publike ndodhinë e kërcënoi se “do të t’ia hedhë trutë në erë.”
Dy ditë më vonë, në mes të ditës, pasi kishin larguar policin e rendit – roje në bankën bujqësore një kat më poshtë, një kriminel i paguar, i shoqëruar nga dy shokë të tjerë që prisnin pas dere, me shkopin e gomës huajtur nga ai hynë në zyrë dhe papandehur goditën egërsisht mbi kokë gazetarin duke e gjakosur e dhunuar shtazërisht…
Dosja e hapur u mbyll…
Gazetarit ai lajm i përmbysi jetën…
QAZIM RASHA I LASHKIZËS TË MALIT TË DARDHËS
Rashet e Lashkizës i kam miq, kam gjak nga gjaku i tyre në familjen time.
Jam shtruar në sofër në atë ballkon të natyrës ku kanë themelet e të parëve Rashet, jam mahnitur me pamjen që merr ngjitjen nga Drini për të kap kreshtat e Korabit dhe bjeshkët e pafund, kam ngrënë mjaltë nga kosheret e Mersinit, e kam dëgjuar këngë mbi tela çiftelie, këngë që i këndojnë fëmijët, nuset, burrat që kur vijnë e ikin nga kjo jetë.
Me siguri edhe Klodiani këndonte…
Dhimbja e tyre, për djalin, vëllain, nipin, miqtë, lëvrin edhe damarëve të mi. Më ngjeth mishtë e ma hidhëron jetën.
Nipi dhe dy mbesat e mija kanë në deje gjak Rashe…
Mos i ndodhtë kujt kjo gjëmë, as hasmit.
Revolta e tyre është edhe revolta ime.
Thirrja e Qazimit që të mos preket asnjë lule, është edhe thirrja ime.
Kërkesa e tyre “E drejta duhet të shkojë në gjykatë”, është edhe kërkesa ime.
Një polic i mori jetën djalit të tyre, Klodianit 25 vjeç…
Policit as ministri, as drejtori i policisë, as eprori më i afërt i tij nuk ia kishin mësuar aksiomën popullore shqiptare se “KËMBËZËN E ARMËS NUK E TËRHEQ DOT AS NJË PENDË QE.”
Jo gabim zoti ministër, drejtor policie, epror i afërt, FAJ.
Faj i pafalshëm!
Për këtë duhet të gjykoheni.
Për këtë duhet të dënoheni.
E di që nuk ka nen në kodin penal por ka nen në kodin moral…
“Pamë me shumë keqardhje dje policin e plagosur në sy dhe ndjemë dhimbje për prindërit e tij…”
E kuptoni domethënie e fjalëve të Qazim Rashës në këtë dorëshkrim, mesazhin njerëzor që përcjell?
Tundni kokën, kthjellohuni e do ta ndjeni veten të lirë e të përgjegjshëm për kohën.
“Ajo që na ndodhi ne mos i ndodhtë as hasmit! Por ato që po shohim të ndodhin pas humbjes së djalit tonë nuk na ngushëllojnë po na thellojnë plagën tonë të jashtëzakonshme”
Këto fjalë më vijnë si në balada…
[D1] “Djalit tonë ja mori jetën arma e një polici dhe ne duam drejtësi deri në fund për jetën humbjen e tij… E drejta duhet të shkojë në vend në gjykatë dhe ne presim nga shteti të garantojë drejtësinë”
Kaq? Vetëm drejtësi?
Një emancipim që i duhet shoqërisë sonë.
Për sot.
Për nesër.
Për gjithmonë…
E përcjellin Rashet e Lashkizës të Malit të Dardhës…
* * *
Met Sula i Malit të Dardhës, i urtë si Ai, njohës i zakoneve dhe kanunit si Ai, njeri i fjalës dhe besës si Ai, shoi një zjarr që po të ishte ngucë, do ti kishte përcjellë flakët mal pas malesh larg, deri në Katër Grykët e Murrës nga ishte lidhë në trup gishti që tërhoqi këmbëzën e derdhi gjak…
* * *
Qazim Rasha i Lashkizës të Malit të Dardhës, e mori atë mesazh popullor dhe e solli në Tiranë…
E solli mes dhimbjes së madhe të prindit për fëmijën, dhimbjes njerëzore për policin në rrezik të humbasë shikimin. Ai, si edhe Met Sula 27 vjet të shkuara thërret:
“Rrëmuja në emër të djalit dhe plagosja e djemve të nënave që i shërbejnë shtetit në polici, nuk sjellin drejtësi, po vetëm padrejtësi të tjera…
E drejta duhet të shkojë në vend në gjykatë dhe ne presim nga shteti të garantojë drejtësinë…
Politikanët t’i thërrasin mendjes se boll e kanë lodhur këtë vend”.
Dëgjojini dhe lexojeni fjalën e tyre të urtë.
Është fjalë që shëron plagë…
Jep jetë…
· * * *
Ulur në gjunjë, në pamundësi për të qenë përballë jush miku Qazim Rasha, mi bëj vend në konak edhe fjalës time:
Të rroni, ta kujtoni e ta nderoni lofkën e shpirtit tuaj Klodianin!
Abdurahim Ashiku
Athinë, 14 dhjetor 2020
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.