16.5 C
Tiranë
E premte, 1 Maj 2026

Nga: Ahmet Qeriqi- Drejtor i “Radio Kosova e Lirë”


Albert Zholi, një emër i përveçëm i publicistikës shqiptare, por edhe shkrimtar i njohur, botues, redaktor, intervistues... - Bota Sot

Albert Zholi është një emër i njohur jo vetëm i publicistikës
shqiptare, por  në të njëjtën kohë është edhe shkrimtar, botues,
redaktor, intervistues, që për mendim tim zë vendin e parë për
intervista të realizuara e të publikuara,   jo vetëm në Shqipëri por
edhe më gjerë. Alberti është edhe veprimtar i njohur i çështjes
shqiptare dhe ndërlidhës i kulturës arvanitase me atë shqiptare,
njohës i greqishtes nga e cila edhe përkthen, lëvrues profesionist
edhe në shumë lëmenj të kulturës, gjuhës dhe aktualitetit shqiptar, në
Shqipëri, trojet shqiptare e mërgatë, por edhe më gjerë.

Me veprimtarinë e tij të deritanishme ka begatuar në nivel shumë
meritor publicistikën  dhe kulturën shqiptare përgjithësisht. I
shkolluar dhe i arsimuar në nivel meritor, personalitet me dije,
njohuri dhe  imagjinatë kreative, njohës i shkëlqyer i gjuhës dhe i
komunikimit me të gjitha nivelet e lexuesve, tani për tani, Albert
Zholi,  ka arritur  në majat e krijimtarisë në nivelin kombëtar, jo
vetëm nga shumësia, prodhimi fenomenal i lëndës shkrimore, por edhe
nga pasqyrimi i tij i drejtë i realitetit objektiv, që mbretëron në
Shqipëri dhe ndër shqiptarë përgjithësisht.

Puna e tij sistematike, rrekja me një gamë të gjerë problemesh të
sferave të ndryshme krijuese e interpretuese,  na përkujtojnë
rilindësit tanë, të cilët, në kushte dhe rrethana të njohura
historike, nuk kursyen asgjë nga vetvetja e tyre për ta begatuar
kulturën, gjuhën, arsimin e emancipimin, që kishte munguar ndër
shekuj.

E veçanta e krijimtarisë së përgjithshme të Albert Zholit, është
origjinaliteti, pasqyrimi objektiv i realitetit, qasja me kompetencë
ndaj problemeve të ndryshme, njohja meritore e shumë lëmenjve të
kulturës në përgjithësi,  në veçanti të asaj kombëtare, qasja shumë
serioze ndaj problemeve të shumta që i merr në shqyrtim, paanshmëria
në trajtimin e së kaluarës, kritika me vend, e faktuar, e argumentuar,
profesionalizmi në trajtimin e çdo situate, për të cilën shkruan,
njohja e shkëlqyer e lëmenjve të shumtë interdisiplinarë e cila
hetohet sidomos në intervistat e tij, në gamën më të gjerë të mundshme
të problematikave shoqërore, shkencore, historike, filozofike, etike e
çka jo.

Alber Zholi  me veprën e tij voluminoze të botuar dhe në dorëshkrim,
është padyshim  në mesin e prodhuesve më të shquar dhe më të begatë në
publicistikën dhe letërsinë e sotme shqiptare përgjithësisht, letërsi
kjo  e cila është ballafaquar dhe po ballafaqohet me probleme ndër më
të ndryshmet, ndër më të koklaviturat, ndër më të shkapërderdhurat e
më të pakufishmet…

Duke qenë se ka më shumë se 15 vjet që komunikojmë dhe shkëmbejnë
informacione mes veti, duke qenë njëri ndër bashkëpunëtorët më të
përkushtuar edhe të Radios-Kosova e Lirë, si dhe  dhjetëra medieve e
portaleve, Alberti zë vendin e parë me ribotimin e intervistave por
edhe zhanreve të tjera krijuese. Është në mesin e autorëve më të
pëlqyer  dhe më të lexuar të faqes së Radios Kosova e Lirë, në
internet.

Kur  i shtron vetes për detyrë të shkruash për një krijues të
përmasave sikur është Albert Zholi, pa dyshim se nuk mund të jesh i
kursyer  në lëvdata, jo për ta ngritur e lartësuar, sepse ai, vetë  e
ka bërë punën për të qenë i tillë, por për faktin se  nuk di çka të
shqyrtosh  më parë, të paktën unë me pretendimet e mia nuk arrij që me
pak fjalë ta rrumbullakësoj një krijues interdisiplinar të nivelit të
tij, meqë ai shtrihet gjerë e gjatë në botën e tij krijuese, në veprat
e shumta të botuara, të temat e ndryshme, të cilat i ka trajtuar dhe i
trajton me profesionalizëm, objektivitet, seriozitet, emancipim,
origjinalitet dhe përkushtim.

Në një rast si ky, në një analizë kalimthi si kjo për tërë
krijimtarinë e tij  të pandalshme, të pandërprerë ditë as natë, të
vëllimshme por  edhe profesioniste, duhet edhe përgjegjësi e caktuar,
për trajtim metodologjik, pasi opusi krijues i deritanishëm i Albert
Zholit është jo si një det i thellë ku edhe mund të lundrohet pa
ndonjë frikë, por është si një oqean, në të cilin duhet të lundrosh me
shumë seriozitet e maturi.

Pretendoj se e njoh dhe arrij ta manifestoj  një nivel të diskursit
krijues, meqë me analiza të tilla letrare, por edhe më gjerë në lëmenj
të shumtë, merrem më shumë se dyzet vjet. Shkrimi dhe studimi për
krijimtarinë e Albert Zholit meriton përkushtim, meriton fjalët më të
mira, sepse krijimtaria e tij në radhë të parë komunikon me lexuesin,
e mëson dhe e përparon dijen e tij, e pajis me njohuri të reja, është
e afërt me të, e sinqertë, e lehtë për ta kuptuar, por e thellë në
trajtimin serioz të problematikës të cilën ai e merr në shqyrtim.

Albert Zholi është ndër publicistët e krijuesit  më trima që i kanë
sot Letrat Shqipe, përgjithësisht. Qasja e tij serioze, por edhe e
moderuar  ndaj problemeve të caktuara të së kaluarës,  sidomos në
fushën e krijimtarisë së kohës së sistemit socialist në Shqipëri, nuk
bëhet me qëllim të diskreditimit të saj,  vetëm sepse ishte
socialiste, në një masë edhe komuniste, por as të  lavdërimit dhe
ekzagjerimit për tej meritave. Thjesht është një qasje e ekuilibruar,
shumë e vëmendshme, me një metodologji të avancuar, duke pasur për
bazë kohën, të cilën duhet vlerësuar e kritikuar, në raport me
rrethanat ekzistuese në Shqipëri e më gjerë dhe jo kandarin e sotëm,
ashtu sikur do të na vlerësojnë,  një ditë kur nuk do të jemi më,  me
kandarin e kohës së ardhshme.

Albert Zholi i përmbahet fort mirë maksimës së shkrimtarit  të madh
hungarez,  Moric Zhigmund, i cili shkruan: Jeta e njeriut kalon  si
treni i shpejtë që nuk ndalon në asnjë stacion dhe kurrë nuk kthehet
prapa, andaj duhet ta bëjmë zap atë dhe nuk duhet të lejojnë që
rrugëtimi i tillë të shkojë kot.

Albertit i dëshiroj shëndet, shumë suksese  të tjera në krijimtari dhe
sa më shumë botime të reja të veprave të tij autoriale, sepse niveli
me të cilin ai shkruan dhe komunikon me lexuesin është afirmativ, i
begatë, i dobishëm dhe mbi të gjitha i nevojshëm për publikun lexues.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.