U ndala te kjo poezi sepse prej vitesh më bën përshtypje ky zë i veçantë në e qytetit tim dhe atë shqiptare. Me thjeshtësinë e saj, Sofia shfrytëzon çdo mundësi shprehëse, sipas meje, për të treguar në format më të bukura ndienjat dhe ngarkesat e brenshme, kjo me mënyrën më të thjeshtë dhe me simbolika tronditëse, duke na dhënë mesazhin se poezia, edhe në ditët e sotme, mund të vijë shumë e bukur edhe kur ajo vjen modeste, e thjeshtë, humane, pa shumë ndërhyrje moderne.Vjen duke na e prezantuar poezinë e saj të ndërtuar mbi një sintaksë origjinale, origjinalitet stilistik dhe një ndërgjegje të lartë e dërrmuese njerëzore dhe duke e kthyer mitin në një metaforë të realitetit tonë bashkëkohor.
Arti është i shumëllojshëm në format e tij, por bëhet më i prekshëm dhe më komunikues kur thjeshtësia e formës mbart një pasuri të madhe ndjenjash dhe një tërësi vlerash artistike e humane.
Në të njëjtin horizont me mitet e mëdha të qytetërimit, Sofia ngre një arenë poetike ku përplasja midis lirisë dhe mashtrimit, kujtesës dhe harresës, shndërrohet në një mit të përjetshëm njerëzor. Ajo universalizon dramat shqiptare pa i përmendur drejtpërdrejt, por përmes përjetimeve që vazhdojnë të mbeten të gjalla në kujtesën dhe ndërgjegjen tonë. Patriotizmi dhe plagët e atdheut na ndjekin kudo që jetojmë, ndërsa diaspora mbart ndoshta peshën më të rëndë të mohimit dhe të shkëputjes.
Me një natyrshmëri të rrallë dhe me një trishtim të mbartur në shpirtin e lënduar, sikur të ishte në një çast të thellë reflektimi, dëshpërimi, zhgënjimi, Sofia e hap poezinë me vargun: “Ne na shitën lirë…”. Që në hyrje, ky varg e trondit lexuesin dhe shndërrohet në një akuzë të fortë ndaj një shteti që nuk arrin t’u dalë në mbrojtje qytetarëve të vet, por shpesh i shtyn ata drejt rrugëve të mbijetesës, pa ndjeshmëri morale, përgjegjësi apo humanizëm.
Neve, na shitën lirë,
Mu në mes të rrugëve të fatit,
Pastaj ne, shitëm njëri- tjetrin,
Prej krenarisë së tepruar e inatit…
Vargu “Ne na shitën lirë…”, si të themi për një copë bukë dmth, godet me një forcë tronditëse të menjëhershme emocionale. Folja “shitën” nuk nënkupton vetëm tradhtinë politike, por edhe humbjen e dinjitetit, identitetit dhe lirisë. Brenda tij përqëndrohen dhimbja, lodhja, zhgënjimi, tradhëtia, racizmi por edhe një ndërgjegjësim i thellë kolektiv. Ai ngrihet si një akuzë te drejtëpërdrejtë ndaj padrejtësisë sistematike dhe shpërfilljes së dinjitetit njerëzor. Ndajfolja “lirë” e thellon dramën: nuk u sakrifikua një popull legjendar për një ideal të madh, por për interesa të vogla, të pavlera. Kjo krijon ndjesinë e përçmimit ndaj vendimeve, ligjeve, qeverive apo fakteve historike. Duke e njohur dramën e njerëzimit që nga lashtësia, vazhdon të përsëritet edhe në kohët moderne: individi mbetet viktima e parë e dështimeve të shtetit.
Në vetëm pak vargje, poetja arrin të përmbledhë dramën e tradhtisë, tundimin e iluzioneve dhe nevojën për t’u rikthyer te vlerat themelore të jetës. Poezia që Sofia na ofron nuk ndërtohet mbi rrëfimin e një ngjarjeje konkrete, por mbi ngjarjen të ndërtuar nga ndienjat, përjetimet dhe gjurmët e tyre, duke i krahasuar gjendjet me ngjarje e figura mitike me vlerë universale që e udhëheqin lexuesin nga përjetimi shqiptar në një plan të përgjithshëm njerëzor
Duket sikur kjo strofë ndërton një lëvizje dramatike: nga tradhtia e pësuar te tradhtia e ushtruar. Bota nuk po ecën mbi ndienja, por mbi hakmarrjet. Mesazhi është se historia nuk na ka plagosur vetëm nga jashtë, por edhe ne vetë jemi fajtorë të krenarisë së verbër dhe inatit primitiv hakmarrës. Kjo e bën poezinë jo vetëm një elegji historike, por edhe një reflektim të thellë etik mbi përgjegjësinë kolektive. Duket si një kritzë e fortë ekzistenciale.
“Pastaj ne, shitëm njëri-tjetrin,” Ky është kulmi moral i strofës. Përemri “ne” zhvendos përgjegjësinë nga të tjerët te vetja. Vargu nuk akuzon vetëm pushtuesit apo politikanët, pot tashmë bën një autokritikë kolektive. “Shitëm njëri-tjetrin” simbolizon përçarjen, mungesën e solidaritetit, tradhtinë mes bashkëkombësve, interesin personal mbi të mirën e përbashkët. Edhe ne u bëmë tradhëtarë, ndërgjegja është në kulmet e saj të vetëshkatërrimit.
Megjithatë, Sofia nuk mbetet në pozitën e viktimës. “Neve, na shitën lirë” dhe përmbysja e menjëhershme letrare e ndërgjegjesore menjëherë këndvështrimin me vargun “Pastaj ne, shitëm njëri-tjetrin”, duke e zhvendosur përgjegjësinë nga jashtë drejt vetvetes. Kjo kthesë e papritur i jep poezisë një thellësi morale, sepse akuza për vetveten bëhet më e fortë se akuza ndaj tjetrit. “Shitëm njëri-tjetrin” shpjegon ndërtimin e një gjendjeje përçarjeje, mungesën e solidaritetit, tradhtinë mes bashkëkombësve, interesin personal mbi të mirën e përbashkët. Pikërisht ky kthim e bën poezinë sa tragjike,aq edhe të sinqertë.
Tradhtia nuk ndodh në periferi, por në momentet kur përcaktohet e ardhmja. Nuk përcaktohen fajtorët, por nënkuptohen. Dhe tashmë bota u prish, Krenaria e tepruar, e cila shndërrohet në hakmarrje, krim, mendjemadhësi dhe pamundësi për asnjë kompromis. Bota është ndërtuar mes luftërash, Inati, si ndjenja më primitive që ushqen hakmarrjen, përçarjen dhe egoizmin shfaqen si mekanizma që e bëjnë një shoqëri të rikthehet në primitive dhe të shkatërrojë gjithcka që gjen para, bile të shkatërrojë edhe vetveten. Në planin antropologjik, poeti prek një plagë të vjetër të komuniteteve ballkanike: prirjen për ta kthyer konfliktin e brendshëm në pengesë për zhvillimin kolektiv. Dhe vazhdon duke ndryshuar vizionin e poezisë, epokën dhe hapësirat e saj:
Na thërret akoma Odisea,
Dhe Circja me magjitë e saj,
Eeeja shqiptar mbas meje,
Në prehërin tim të të mbaj…
“Odisea” nuk është thjesht poema e Homerit, por simboli universal i udhëtimit, i kërkimit të identitetit dhe i dëshirës për t’u kthyer në atdhe. Folja “na thërret” tregon se ky udhëtim nuk ka përfunduar ende. Shqiptari paraqitet si një Odise modern, ende në kërkim të Itakës së tij shpirtërore, politike dhe kombëtare. Ndërsa ndajfolja “akoma” thekson vazhdimësinë e kësaj endjeje historike, sikur kombi të jetë ende në një udhëtim pa mbërritje.
Në anën tjetër qëndron Circja. Në mitologjinë greke, ajo i shndërron njerëzit në derra, duke ua zhdukur arsyen, dinjitetin dhe vetëdijen. Natyrisht, kohët kanë ndryshuar dhe njeriu modern nuk përballet më me magji në kuptimin mitologjik të fjalës, por mekanizmat bashkëkohorë të manipulimit, konsumizmit, propagandës dhe tjetërsimit shpirtëror të kujtojnë të njëjtën histori. Për këtë arsye, Circja mbetet një simbol i përhershëm i çdo force që e largon njeriun nga vetvetja.
Thirrja dramatike “Eeeja shqiptar mbas meje” e bën këtë simbolikë edhe më të prekshme. Zgjatja fonetike e fjalës “Eeeja” krijon efektin e një joshjeje të ëmbël, pothuajse hipnotike. Ajo nuk tingëllon si urdhër, por si tundim, si premtim, si një ftesë që fsheh rrezikun brenda saj. Pikërisht këtu qëndron edhe një prej mesazheve të poezisë: njeriu rrallë dorëzohet përmes dhunës, por ai dorëzohet më shpesh përmes iluzionit, komoditetit dhe premtimeve të rreme.
Fjala “shqiptar” e zhvendos menjëherë mitin nga bota homerike në realitetin bashkëkohor. Sofia nuk flet më për heroin e lashtësisë, por për njeriun shqiptar të kohëve moderne, i cili përballet me tundime të reja, por me të njëjtat dobësi njerëzore. Kështu miti nuk mbetet një rrëfim i së kaluarës, por bëhet një pasqyrë e kohës sonë.
Edhe vargu “Në prehërin tim të të mbaj…” fiton një domethënie të shumëfishtë. Këtu Sofia identifikohet për një çast me Circen dhe flet me disa kuptime, të cilat i lë qëllimisht të hapura për interpretimin e lexuesit. Shqiptari paraqitet i vendosur mes dy poleve: njëri e thërret drejt rrënjëve, kujtesës dhe identitetit historik, ndërsa tjetri drejt iluzioneve që e largojnë nga vetvetja.
Në planin ideor, poetja ngre një pyetje të heshtur, por thellësisht filozofike: A do ta ndjekë shqiptari rrugën e Odisesë drejt Itakës së tij shpirtërore, apo do t’u dorëzohet magjive të Circës? Kjo dilemë e shndërron strofën nga një referencë mitologjike në një reflektim të thellë mbi fatin historik, moral dhe ekzistencial të kombit.
Në strofën pasuese poetja shkruan:
Po unë dua vetëm Ciklopin,
Që botën e sheh me një sy,
Të zbrazim kupa me verë,
E të ruajmë delet të dy…
Këtu poezia merr një kthesë të papritur filozofike. E lodhur nga peripecitë e jetës, nga tradhtitë, mashtrimet dhe labirintet e qytetërimit modern, poetja vendos përballë dy figura të mëdha të mitit: mençurinë dinake të Odiseut dhe thjeshtësinë brutale të Ciklopit. Çuditërisht, zgjedh këtë të fundit, jo sepse është më i përsosur, por sepse duket më pak i rrezikshëm. Në këtë zgjedhje fshihet një e vërtetë e hidhur: njeriu, pas shumë zhgënjimesh, nuk kërkon më heroizma, por siguri, qetësi dhe paqe. Ngjason se vargjet flasim me shpirtin e një gruaje të lodhur që do paqen, jo hakmarrjen.
Figura e Ciklopit bëhet kështu simbol i një ekzistence të drejtpërdrejtë. Të shohësh botën “me një sy” mund të nënkuptojë një vështrim të vetëm, të pandarë nga interesat, hipokrizia dhe maskat shoqërore. Ndryshe nga njeriu i qytetëruar, i cili shpesh e sheh botën përmes ideologjive, interesave dhe kalkulimeve, Ciklopi, megjithëse i papërsosur, mbetet i sinqertë në natyrën e tij. Kjo është përmbysja më ironike e mitit: poetja gjen më shumë siguri te një”përbindësh” sesa te qytetërimi që tradhton në forma të emancipuara.
Edhe vargu “Të zbrazim kupa me verë” e çliron atmosferën nga tensioni i mëparshëm. Vera nuk simbolizon vetëm festën, por pajtimin, miqësinë dhe bashkëjetesën. Konflikti, ambicia dhe mashtrimi lihen pas për t’i hapur vend një lumturie të thjeshtë njerëzore.
Kulmi i këtij vizioni arrihet në vargun “E të ruajmë delet të dy…”, i cili e zhvendos simbolikën drejt botës baritore. Kjo ka të bëjë edhe me origjinën e Sofies dhe ajo e përdor pa anjë kompleks. Se delja është simbol i pafajësisë, i paqes, i pastërtisë dhe i lidhjes me natyrën. Pas gjithë dramës së tradhtive, tundimeve dhe endjeve homerike, poetja nuk kërkon lavdi, pushtet apo fitore. Ajo kërkon një jetë të zakonshme, të ndershme dhe të lirë. Në planin biblik, figura e bariut dhe e deleve lidhet me kujdesin, përgjegjësinë morale dhe paqen shpirtërore, ndërsa në planin antropologjik përfaqëson kthimin te rrënjët, puna dhe bashkëjetesa harmonike me natyrën.
Nisur nga ky plan mitologjik, elementet që Sofia përdor e pasurojnë poezinë me një dimension filozofik dhe universal, duke e përsëritur dhe përforcuar idenë e dramës së një populli si një reflektim mbi fatin e përhershëm të njerëzimit, i cili endet vazhdimisht midis lirisë dhe mashtrimit, kujtesës dhe harresës, besnikërisë dhe tradhtisë. Prandaj mund të themi se një nga shtresat më të rëndësishme të kësaj poezie është pikërisht dimensioni mitologjik, i cili e zgjeron kuptimin e saj përtej kohës, hapësirës dhe realitetit historik, duke e vendosur në një univers simbolik ku miti dhe e tashmja bashkëjetojnë.
Në të gjithë poezinë ndërthuren tri kohë: koha e tashme, koha mitike dhe kohët e brendshme shpirtërore. Këto nuk shërbejnë si elemente dekorative apo si referenca të thjeshta kulturore, por si simbole të përhershme të fatit njerëzor. Përmes tyre, drama shqiptare kapërcen kufijtë e historisë kombëtare dhe shndërrohet në dramën universale të çdo individi dhe të çdo populli që endet vazhdimisht midis shpresës dhe humbjes, lirisë dhe robërisë shpirtërore. Dhe drama vazhdon….