
Në 65-vjetorin e RTSH,
një fjalë për Marash Hajatin
Sot, kur Radio Televizioni Shqiptar shënon 65-vjetorin e themelimit të tij, nuk mund të mos ndalemi me nderim dhe respekt për një nga figurat më të qëndrueshme në historinë e këtij institucioni – Marash Hajatin.
Me origjinë nga fshati Salce i fisit të Merturit, Marash Hajati qëndroi për afro 20 vite në krye të RTSH-së. Ai nuk ishte thjesht një drejtor, por një simbol i profesionalizmit, pavarësisë dhe përkushtimit ndaj fjalës së lirë dhe kulturës kombëtare. Në kohë të vështira, ai ruajti ekuilibrin dhe dinjitetin e një institucioni që përfaqësonte zërin publik të shqiptarëve.
Përveç detyrës si drejtor i RTSH-së, ai ka qenë kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve, si dhe kryetar i Shoqatës “Nikaj-Mertur”, duke mbajtur gjallë kujtesën, kulturën dhe identitetin e kësaj treve të thellë të Alpeve.
Një nga virtytet më të spikatura të tij ishte pavarësia. Edhe pse pati ftesa nga të dy krahët politikë, ai nuk pranoi të bëhej pjesë e asnjë force, duke ruajtur qëndrimin e tij dinjitoz, si njeri i kulturës dhe shërbimit publik.
Ky shkrim vjen edhe si një reflektim personal. Si mik, më ka bërë nder t’ma thotë fjalën drejt, privatisht. Por sot, dua ta them publikisht: Faleminderit të gjithë gazetarëve dhe shkrimtarëve nga Nikaj-Merturi që nuk e harruan figurën e tij dhe e vlerësuan ashtu siç e meriton.
Ndërkohë, mbetet për të ardhur keq që drejtuesit aktualë të RTSH-së ( Drejtoreshën e re) nuk përmendën qoftë edhe një fjalë për ish-drejtorin që i dha aq shumë këtij institucioni. Por heshtja zyrtare nuk mund ta zbehë mirënjohjen që Marash Hajati ka lënë në zemrat dhe kujtesën e shumë kolegëve e bashkëkohësve.
Marash Hajati mbetet një emër që nuk shuhet me kalimin e kohës. Ai është pjesë e historisë së RTSH-së dhe një vlerë e rrallë për Nikaj-Merturin dhe për Shqipërinë.