16.5 C
Tiranë
E mërkurë, 16 Prill 2025

Nga Gjon Marku

Çohu Ndrec Ndue Gjoka prej varrit se në Mirditë po t’i mbyllin shkollat
Shkolla është institucioni bazë nga ku njeriu merr dije dhe kulturë. Aty formon shprehitë e tij, njihet me artin, me shkencën, zhvillon më tej talentin. Ajo shpalos përpara brezave të renë, të përparuarën, aty gjendet ëndrra dhe realizohet dëshira për të marrë dije. Pra gjithsesi ajo sjell progres.
Kisha nisur kështu të hedh shenimet e mija për një studim mbi historinë e arsimit në Mirditë ndërsa në televizor jepej protesta e studenteve që kishin mbushur me afishe muret e ministries së Arsimit e kërkonin dorheqjen e Ministres.
Në tavolinën time të punës libri “Antologji e mendimit të sotëm për Mirditën” që kisha mundtur të ralizoj me aq mund por që isha aq krenar për të ishte i hapur pikërisht në faqen 53 ku i madhi Kol Jakova në një intervistë që unë kisha realizuar më 13 maj të vitit 2002 me të, në fundjetën e tij pati shkruajtur e dokumentuar:
“…Më vjen ndërmend Ndrec Ndue Gjoka. Ai përpiqej me gjithë shpirt. Ndrecën e vranë. Ahmet Çoku ishte shefi i arsimit në Shkodër pyeste. Pse, more, shkolla janë ato, thoshte Ahmeti, kur ne i thoshim se ka hapur pesëdhjetë shkolla. Pse shkolla janë ato të shtruara me rrogozë përtokë?
– Po pse mos i don me mobilje ti shkollat në Mirditë?
Ai nuk kapte dot konceptin kryesor. Ai i donte shkollat me komoditete dhe silleshin shumë keq fillimisht me Ndrecën, i cili u la në harresë.
Një ditë në Lidhjen e Shkrimtarëve, mbasi ishte vrarë Ndreca, vjen Nexhmie Hoxha, së cilës Shuteriqi, që ishte Kryetar i Lidhjes, i thotë se ka thënë Kola se një mësues në Mirditë ka hapur 48 shkolla.
– Ik more -thotë ajo. E pamundur!
– Ai ngul këmbë – thotë Shuteriqi.
– Po ne nuk dimë asgjë. Komiteti Qëndror nuk di asgjë!
– E thërrasim Kolën. Sipër në llozhë është.
– Ç’është ajo fjalë që ke hap Kolë, se një mësues në Mirditë ka hapur 48 shkolla?
– Po – i them.
– Edhe po, thua prap!
– Po, po i ka hapur, shoqja Nexhmie.
-Posi i ka hapur? Shtron rrogozat, ul kalamajt. Ka shkuar në Shkodër tue ble e tue mledh lapsa të vjetër, fletore e i nisi për në Mirditë
– Po ne nuk dimë asgjë për këtë?
– Po nuk keni si t’i dini se ata që drejtojnë arsimin në Shkodër, nuk i duan shkollat me rrogoza, po ama me mësue kalamajt. Ata i duan të mobiluara.
Ju drejtua Dhimitrit: – Merre në telefon Mirditën.
-Jo 48, përgjigjet Mirdita, po 51 shkolla.
– Kolë si nuk na ke thënë për këtë?
Unë besoj se jua kam thënë. Po ju jeni atje lart në krye, e unë mendoj se i dini të gjitha.
Pastaj u bë një kongres, me duket se Kongresi i Dytë i P.K.SH-së dhe Enver Hozha e tregoi ketë ngjarje e në mes të tjerave tha se po të kishin punuar të gjithë mësuesit kështu, analfabetizmi me kohë do të kishte shkuar në arkivë a diçka të tillë.
Ndërsa në lajme shihja protestën e studentëve, atë të shtunë do të nisesha për në Gëziq, ku kisha lindur por dhe ku kisha mbaruar shkollën 8 vjeçare në vitin 1981. E ndër mend solla laboratorin e biologjisë ku ishin dhe pulat dhe lepujt edhe zhabat e hardhucat të ballsamosura. Apo biblioteka që më kishte miqësuar në fillim jetën time me librin.
Eh sikur ti të vije tek unë e përtej të pamundëshmes të mundja të vijoja studimet kisha menduar atë vjeshtë të atij viti të thinjur të 1981 kur shokët e mi të tetvjeçares ishin nisur për në shkollat e mesme ndërsa mua nuk me jepej e drejta e studimit edhe pse pa dashur të bëj të madhin isha nxënësi më i mirë i asaj shkolle. Por ëndrra ime kishte mbërritur gjer në zgrip e fillekat i pashpresë isha kthyer në rob a bujtës i vetmisë. Fat fatal… fati im kisha mërmëritur dhjetra herë më vete. Diçka ishte krisur thellë brenda zemrës e egërsisht tërbuar në netët pis të zeza i ligështuar lutesha në heshtje. Retë marramenden e në arrati ikin. Ndërsa unë me besimin e ç’shenjtëruar në krahë ëndrrash, shtegtoja shpresave që ecin udhve pa krye e hapin tim të brishtë si një dre i trembur s’kisha mundur të hedh dot drejt asaj që më së shumti meritoja pra shkollimit vetëm se nuk më jepej një e drejtë studimi. Iku dhe zogu i fundit shtegtar e cicërima e tij në mbarim la heshtjen si lëngim.
Si thik në trup më ther akoma ai vit shkëputje prej shkollimit normal, (pa u shkëputur) e sa herë e kujtoj atë kohë në ëndërr me bef një kobtarë. Po një kobtar që e ka gjëmën e kobit shumë herë më të kobtë e ndjej atë kobëtar kur shoh shkolla sot që mbyllen maleve të Mirditës.
Ndalem përpara derës së shkollës së Gëziqit. Shkollat e mbyllura si tempujt fshehin të fshehtat e frikshme të analfabetizmit. Ministrja e arsimit është mbyllur brenda portave të Ministrisë së Arsimit e në oborrin e saj e muret rrethuese studentët varin parulla e afishe ku kërkohet largimi i saj. Ç’fantazi e prapë ta ketë shpikur mbylljen e shkollave maleve tona? Ministrja e arsimit mirditore në gjak, apo shefi i Arsimit të Veriut, gjithashtu në gjak mirditas që më së shumti i ngjan shefit Ahmet Çoku që dëshmon në mënyr tronditëse Kolë Jakova e unë tash me flokë të thinjur shkolluar e mirëshkolluar në sistemin e Enver Hoxhës e më pastaj me të drejtë pyes kë të bësoj Ndrec Ndue Gjokën që hapi 51 shkolla apo Ministren e Arsimit e drejtorin e arsimit që mbyllën 48 prej tyre. Kush ishte misionar i arsimit dhe dijes klerikët fisnik të maleve tona që kishin hapur shkolla në kushtet e pushtimit osman që nëvitin 1632, e Ndrec Ndue Gjoka që rendëte e shkonte në kambë prej Mirditë në Shkodër të blente lapsa e flletore, të hapte 51 shkolla në Mirditë apo Amet Qoku (ish shefi i arsimit në Shkodër), (ministre e Arsimit) (drejtor rajonal i drejtoris Arsimore) që mbyllën 48 prej tyre vetëm në Mirditë
Natyrshëm pyes e thërras me vete pa pasur kujt ti drejtohem Çohu Ndrec Ndue Gjoka, çohu prej varrit se në Mirditë po t’i mbyllin shkollat.
Në çast një korb i zi ia behu i kobtë. Krrau krrau krrokërit korbi i zi mbi tavolinën e mësuesit në klasën time të fëmirisë aty në shkollën e re të Gëziqit që kishte përfunduar së ndërtuari pikërisht atë vit që unë kisha mbaruar 8 vjeçaren pra në 1981.
Vallë deri ku kemi shkuar pse kjo është tej skajit të marrëzisë. Nipi yt finok i vogël nuk mund të shkollohet më aty i them vetes pse shkollën ja mbyllën. Çfat fatal…
Pjetër Gjeçi pati kujtur e më pati thënë “Në muajn maj të vitit 1935 në qendrën e komune, në Simon, në mbledhejn e organizuar me kryepleqt e të gjitha fshatrave të kësaj komune, merr pjesë dhe një i deleguar i Oborrit Mbretëror të Shqipërisë. Preng Brozi, i kërkoi këtij të dërguari të mbretit që për Gëziqin të bëhej e mundur hapja e një shkolle fillore. I dërguari i oborrit mbrretëror pyeti për numrin e nxënësve por burri i urtë ju përgjigj për Gëziqin duam një shkoll e asgja tjetër”. Kishte kërkuar Preng Brozi kryeplaku i katundit të Gëziqit në 1935 atë shkollë që mbyllën tash këta që nuk kanë as kutin e tij e dashurinë e tij për shkollën dhe dijen. Atë shkollë tash e kanë mbyllur e në krye të Ministrisë ishte ministre një Mirditore e Drejtor i Arzimit për Veriun një Mirditas? Ç’mëkat.
Kanaleve televizive degjojmë për civilizime të rreme që s’dimë në cilën stinë vallë ka marrësh udhë. Ndoshta në peshën e krrokamës se një shkolle të mbyllur atje në Malin e Shenjtë e ai dry në derën e shkollës se Gëziqit, Velës, Shpalit, Oroshit e dhjetra të tjerave që kishin një histori të kamotshme në pregatijen e brezave të të rinjve të shkolluarish e pergatitjen e mësueseve e ingjinerëve, doktorrëve e dhjetra profileve të tjera deri profesor të universiteteve e akademikë peshën e humbjes e ka më të tmerrshmen e ky është çmimi më i shtrenjtë që paguajmë e rendim në hohë të humbjes. Televizorëve flitet për të rinjë që kapen me armë a me dorgë, për të rinjë që turren të ruajnë arat e mbjella me kanabis. Apo që rendin rrugëve të botës në kërkim të shpresës së humbur. Po natyrisht çfarë do të bëjë, shkollat ua kanë mbyllur. Po ku ka më mëkat e faj se të mbyllish shkollat e shkollimin ta keshë jashtë vemendjes. Kujt i shërben kjo e kujt i duhet kjo.
Mbyllur zyrtarisht shkolla e Gëziqit apo shkolla e Shpalit, Shkolla e Oroshit apo shkolla e Velës ç’marrëzi. E këto kanë vend të rëndësishme jo vetëm në arsimin e Mirditës por dhe atë kombëtar. Jo vetëm për herëshmërin, kur kishin filluar e zënë fillë por edhe për atë që kishin sjellë për brezat edhe pse këto shkolla kishin njëqind a pesqind vjet që ishin hapur sëpari, tani mbylleshin.
Rend dokumentave historike që flasin për shkollën në Mirditë. Apo më mirë për këto shkolla që mbylli një minister me origjinë prej Mirditë a një Drejtor Arsimi i Veriut po ashtu me gjak mirditasi. Medet. Medet.
Gjurmët e para të një arsimi të organizuar të shkollave shqipe i gjejmë që në shek. XII, dhe më saktë në fillimet e tij. Në atë kohë Papa i Romës, duke dashur të rrisë influencën e Selisë së Shenjtë dhe të forcojë kishën katolike në Shqipërinë e Veriut, vendosi themelimin e disa kuvendeve dhe manastireve, të cilët më vonë qenë qendra të rëndësishme për përgatitjen e klerikëve. Kështu, në krahinën e Mirditës së mëvonshme (themi Mirditës së mëvonshme, sepse Mirdita është formuar si bashkim krahinor më vonë (në vitin 1570), u themeluan në fillim të shek. XII kuvendet benediktine të Shpalit (në Pshqesh), Shën Mëria e Ndërfanës (në Gëziqin e sotëm), të Shëlbuemit (në Rubik) dhe të Shën Llezhdrit (në Malin e Shenjtë në Orosh)
Sot shkolla e Gëziqit në Ndërfanë është e mbyllir, Shkolla e Shpalit në Blinisht ku në 1942 kishte dhenë mësim dramturgu I shquar Kol Jakova e mbyllure po ashtu shkolla e Velës vlen veç për bagëtit ani se dyert e saj ishin hapur e bëhej mësim që në 1632 ku jepte mësim dhe ipeshkëvi, e ajo e Oroshit në Malin e Shenjtë që është një ndër pioneret e arsimit shqiptar hapur që në 1889 nga abati i ndritur Prend Doçi po shembet e bije brenda.
Po flasim për ato shkolla për të cilat autorë të huaj kanë shkruar jo pak për këto vendbanime të Mirditës, mes të cilëve dhe Shuflai, i cili pohon: “Më në jug fare ndër gjindët shqiptarë, ndërmjet lumenjve të të dy Faneve, në krahinën prej nga në të XIV-tin shekull pregatiteshin priftërinj për krejt Dalmacinë, gjendeshin Abacia e Shën Palit dhe Santa Maria di Trifantina, kjo e fundit qëndroi si e tillë deri në të XVII -in qindvjeçar”.
Është pikërisht koha kur arsimi është plotësisht në duart e klerikëve dhe lëvizja kishtare fillon të marrë karakter të theksuar kombëtar. Por është koha e pushtimit osman që Ismail Kadare me të drejtë e quan natën më të zezë e më të erret në historinë e Shqipëris. Atëhere klerikët patriotë me stërmundime hapnin shkolla, sot minsistria katolike e drejtori i arsimit katolik mbyllin shkolla në interest të kujt?!
Ky pushtim i gjatë aziatik e goditi fuqishëm jetën kulturore e arsimore të Mirditës, ashtu si dhe të mbarë Shqipërisë. Pushtimi i gjatë turk nuk mundi të asimilojë kulturën e lashtë të popullit të Mirditës, po ashtu asnjëherë nuk mundi ta nënshtrojë dhe asimilojë atë, pasi mirditasit nuk i lëshuan kurrë armët nga dora dhe luftuan e mbijetuan.
Gjithë ky zhvillim e përparim këputet egërsisht prej vërshimit osman në këto treva. Kjo gjë solli shkëputjen e madhe të Arbërisë prej familjes së vet të natyrshme europiane, si dhe dëmtimin e lidhjeve kulturore e shpirtërore që ekzistonin deri në atë kohë me Europën e qytetëruar.
Por si pasojë e përndjekjeve shekullore në Mirditë, shumë nga njerëzit e kulturës dhe dijes si dhe personalitete të shquar të klerit katolik të kësaj treve, që kishte kontribute të veçanta për kulturën dhe dijen dhe që kishin shërbyer si një faktor i rëndësishëm ndërlidhës me Romën e Lashtë dhe kulturën e saj të hershme, u larguan nga ato troje. Sot rinia jonë largohet prej këtyre trojeve ku shkollat po mbyllen pse?!
Fushatat dhe sulmet e njëpasnjëshme të turqve mbi Mirditën bënë që, së pari, të shkatërrohen nga themelet Abacia e Oroshit dhe kuvendet e tjera benediktine. Duke folur për rrënimet e kishave katolike prej pushtuesve, Dr. Pal Doçi, në mes të tjerash shkruan se “Qysh nga fundi i shek. të XV-të dhe gjatë shekujve të XVI-XVII- të qenë rrënuar e qenë goditur disa herë nga pushtuesit turq. Pra sulmet turke bënë që të mbyllet Abacia e Oroshtit dhe ajo të mos funksionojë për një kohë të gjatë”.
Është e qartë se gjendja e krijuar me shkatërrimin e institucioneve fetare, me ndjekjen dhe persekutimin e klerikëve katolikë dhe me largimin e disave nga ata që kishat mes malesh i kishin mbajtur gjallë si çerdhe të kulturës dhe dijes, pranë të cilave gjendeshin kuvendet dhe shkollat, solli një zbrazëti të ndjeshme në rrjedhën normale mënyrës së jetesës së të këtij vendi, pasi në këtë situatë vemendja dhe gjithë veprimtaria duhej drejtuar drejt luftës për mbijetesë. Sot mësuersit e shkarkuar e larguar nga arsimi rendin drejt vendeve të perendimit për t’u bërë muratorë a pllakashtrues në Itali a gjetkë.
Sot nuk jemi të pushtuar prej askujt e sot nuk kemi asnjë presion siç patën klerikët që u këputej koka pse hapnin shkolla. E duhet pranuar se, edhe pse në kushte shumë të vështira, intelektualët e klerit katolik dhe malësorët mirditas përpjekjet për arsimimin në gjuhën shqipe nuk i pushuan asnjëherë. Në shek. e XVI -të, në fillimet e tij, megjithëse në kushte shumë të vështira, sidomos prej përndjekjeve të pushtimit turk dhe prapambetjes së madhe ekonomike, pati klerikë të guximshëm e përparimtarë mirditorë që predikuan në gjuhën shqipe dhe shkruanin dokumente të rëndësishme në gjuhën tonë. Kjo gjë tregon se në ato çrdhe të dijes, zhvillohej mësim edhe në gjuhën shqipe, sidomos në shkrimin dhe leximin e saj. Këtë e dëshmon edhe veprimi i Shtjefën Gazullit, i cili nënshkroi tri kontrata të formuluara në gjuhën shqipe për shitje toke nga disa oroshas në fillim të shek. të XVII-të.
E po ky shekull, përkon dhe me përpjekjet e mëdha dhe të pandërprera për të përgatitur klerikë të shkolluar, që do të punonin shumë për mësimin e gjuhës shqipe në shkollat e trevës së Mirditës, që ishte oazi i përhershëm katolik në Shqipërinë e Veriut dhe që nuk ishte pushtuar asnjëherë, dhe pse ishte përgjakur gjithnjë nga pushtuesit. Gjithësesi për shkollën shqipe paraqiteshin kohë me të vertetë të vështira pasi mungonte gjithçka. E pos saj kishte një trysni e përndjekje të paparë të osmanëve ndaj cilitdo që përpiqej të mbante gjallë dëshirën për gjuhën amtare, që bashkë me të nguleshin dhe idetë e lirisë e të atdhedashurisë. E pse pra sot duhet të mbyllim shkolla
Për një qëllim të panjohur dy të huaj vinin drejt Oroshit. Me sytë picërruem një djalosh i vështron ndërsa ata ndalen para djaloshit të vogël e diçka duket se i pyetën pastaj morën udhën pa shteg e filluan ngjitjen drejt bjeshkëve në Malin e Shenjtë. I vështroj teksa gjejnë një shteg të ngushtë malor dhe fillojnë ngjitjen. Në lartësinë e bjeshkëve e maleve tona, gjen veç baladat e vrara. Dikur këtyre anëve kanë pleqnue kullat e gurit. Tash në shtëpitë e përbashkëta sëtgjyshëqrore po klithin kukuvajka nëpër çati.
Në tra të drejtorisë së dikurshme të Shkollës së Oroshit merimanga end rrjetë dhe jeton ndërsa në livadhet poshtë saj ai çunak si një ketër idhnak rend pas deleve. Fytyra e tij mbështillet prej kaçurrelash korb të xeza.
E thërras dhe e pyes se çfar është kjo ndërtesë. Në sytë e shkruar u rrëzon rrezja e diellit.
-Shkolla, më thotë me zërin që i dridhet dhe vështrimin e rrëzon përdhe.
-Po kush bën mësim e pyes sërish, dhe ai serish përgjigjet: -askush.
-Po ju a shkoni në shkollë e pyes serish, por ai nis të qajë e ashtu i përlotur përgjigjet.
-Jo s’kam ku të shkoj. Baba e nana janë papunë. shkolla këtu është mbyllur. E dridhet si një trumcak. E pasi ju këput një lot e ra.
Sa pak mëshirë për ta, mërmëris e atje në podiume shoh ca hije të zeza veshur me pushtet, rrufianë e u thërras: – shihni vendlindjen tuaj ku kanë mbetur vetëm ferra.
Zemrën latë peng Abat i ndritur Prend Doçi e amanet shkollën. Ju rendët deri në Vjenë të shtypni libra për të parën shkollë laike në Mirditë e arritët ta hapni atë në vitin 1899, dhe e bëtë atë me konvikt në 1930. Por sot shkolla e Oroshit, njëra ndër pionieret e shkollave laike shqiptare është e mbyllur.
Abacia e Oroshit në të cilën shërbyen abatë vendas, Gazulli, i cili në kapërcyell të shek të XIX-të pati vendosur marrëdhënie me Ali Pashë Tepelenën, më vonë pati si Abat Pjetër Zarishtin (1800-1866) prej Zadrime, pas tij Gaspër Krasniqi prej Podrimje, me vdekjen e të cilit më 1876 Abacia e Mirditës u mbyll duke u quajtur si mollë sherri deri në vjeshtën e vitin 1888 kur u rihap me dekret papënuer “Supra Montem Mirditurum”, në krye të së cilës vjen njëri ndër prelatët më të zgjedhur, politikani dhe diplomati Prend Doçi, duke u bërë Oroshi qendër e Abacisë së Mirditës.
Në kuadrin e lëvizjeve patriotike të Abat Prend Doçit, një ndër kontributet e tij të veçanta ishte dhe hapja e shkollës së parë shqipe laike në Mirditë, në vitin 1899, e po në atë kohë ai iu përvesh punës për hartimin e disa librave që do të ishin në funksion të shkollës së Oroshit. Hartoi Abetaren, Këndimin, Gramatikën dhe Gjeografinë, të gjitha këto janë shtypur dhe botuar nga një shtëpi botuese në Austri, natyrisht dhe me ndihmën e austriakëve.
Me të drejtë Prend Doçin e kanë cilësuar si mbrojtës i nismave në lëmin e hapjes së shkollave, shkruan studiuesi Pal Doçi. Vetë politika apo orientimi i Shoqërisë “Bashkimi”, e cila, edhe pse ishte me qendër në Shkodër, ishte themeluar dhe udhëhiqej prej Doçit, janë përpjekjet e vazhdueshme dhe të pandërprera për shkollën dhe gjuhën shqipe. Duke folë për kontributin e Doçit për çështjen e shkollës shqipe, M. S. Gurra shkruan: “Me të shkelur këmba në vendin e vet filloi nga propaganda kombëtare duke predikuar dashurinë e atdheut dhe të gjuhës, çel shkollën, dhe me një fjalë Prend Doçi ka qenë i çdo veprimi me frymë kombëtare” Doradorës nga Prend Doçi dhe bashkëpunëtorët e tij, apo siç quheshin ata, “shtabi letrar i Doçit”, u përgatitën edhe tekstet përkatëse. Me sa duket tekstet ishin hartuar pa u hapur ende shkolla e parë në Orosh, sepse në një njoftim të muajit Mars 1899 thuhet se abetarja e Doçit është mbaruar e duhet të rishtypet.
Imzot Prend Doçi në vjeshtën e vitit 1899 dorëzoi në Vjenë për botim tekstet shqip: gramatikën, gjeografinë, arithmetikën dhe katekizmin. Në udhëzimin që vjen nga Vjena për konsullatën Austriake në Shkodër, në përgjigje të kërkesës së Doçit për botimin e këtyre katër librave në shqip shkruhet: “Na habit fakti që hartimi i katër librave të rinj shkollorë në gjuhën shqipe, njoftohet MPJ vetëm mbas përfundimit të tyre. Për me vu tekstet në gjuhën shqipe në shkollat e ndihmueme nga Austro-Hungaria duhet veprue ngadalë e me kujdes, për arsye se dalja e papritur e karakterit të tyre kombëtar, do të shkaktonte bujë në autoritetet turke, të cilat sikurse dihet, e shohin me mosbesim ngritjen e ndërgjegjes kombëtare të shqiptarëve e do t’i shtynte me marrë masa të preme për me ndalue veprimin arsimor të atyre shkollave”.
Në këtë udhëzim jepen dhe këto porosi: ” Më duket e arsyeshme që me fillim mësimi shqip të kufizohet vetëm me mësimin e gjuhës e të fesë e vetëm ma vonë, si tinëz edhe me mësimin e gramatikës, të arithmetikës, e gjeografisë.”
Pal Doçi ban me dije se në nëntorin e vitit 1899 Abat Prend Doçi kishte gati për me dërgue në shtyp librin e Këndimit për tri rendet e shkollave fillore I, II, III.
Kështu në vjeshtën e vitit 1899, në një ndërtesë të thjeshtë pranë Abacisë së Oroshit hap derën e saj e para shkollë laike e Mirditës. Në vitin e parë shkollën e frekuentuan 14 djem të Oroshit, të cilët u mësuan nga kleriku Zef Marashi. Një vit më vonë në këtë shkollë vazhdonin mësim 30 nxënës. Zef Marashi është mësues i kësaj shkolle deri në Vitin 1902.
Në vitin 1925 merret vendimi për hapjen e konviktit të parë në Mirditë. Konvikti “Mirdita” i Oroshit. Ky konvikt ka filluar të funksionojë si i tillë në vitin 1926 dhe ka pasur në fillim 40 nxënës. Drejtori i parë i konviktit “Mirdita” ka qenë Kol Dema dhe mësues Palok Traboini e Cin Çapeli.
Habitem si nuk ngrihen si lugetër nga varri të parët ata që hapën shkollën e Orshit 122 vjet më parë, Habitem si nuk shkreptijnë rrufe qielli mbi ata që mbyllën shkolla e bashkë me to shkollën e parë laike të Mirditës. Heshti mëkati në jetë e në varre këtyre anëve mërmëris dhe vështroj djaloshin asaj faqje mali ku është e vendosur Orioshi dikur më shkollë e farmaci, dukur me konvikt e kulla plot jetë sot gjendet Fundfillimi e fillimfundi i civilizimit të rremë të Ministres që thotë se është prej mirditë apo të drejtorit rajonal të arsimit edhe ky thotë se është mirditas. Udhëkryqet e fatkeqësive tona na çojnë deri në këtë orë të keqe ku djegim biblioteka a mbyllim shkolla e kujt i sherbejmë kështu. Kullat e moçme lëngojnë pendimtare. Rrezet e mugëta të yjeve thyhen dhe bijen prej botësh të largëta magjike mbi Malin e Shenjtë që kërkojnë ta ç’shenjtërojnë e që ja mbyllin derën e shkollës, derën e dijes, derën e gjuhës amtare. As buka s’e ka të njejtën shije sot. As unëtia, lakminë e pushtetarëve e njejtë.
Këtyre anëve zëri gulëqonjës i bjeshkëve përhapet në zgrofin të hapësirës ku fjkonjë enden e hedhin vështrimin pas shpezësh të egra. Malet tona po mbyten në mjegullinë e analfabetizmit e kërkojnë të rrenojnë krenarinë Malit të Shenjtë në Orosh. Misonarët e hershëm të dijes përunjësisht rendën të hapnin shkolla e kishat i ktheyn në çerdhe të kultures e diejs. Sot dhëmbëshëm renkojnë eshtrat teksa shkollat që ata hapën mbyllen.
E rëndë është pesha fjalës, po kush rron me frikë e dredhi mjerë. Një vështrim i lig si vështruim meduze më thotë hesht ty çfar të duhet s’ke fëmi të shkollosh, ata të janë rritur.
Murg i fjalëve mbeta peng. Mbyllja e shkollave peshën e humbjes e ka më të tmerrshme, më të rëndë e më të të pa soj. Nga tejlodhja po më duket sikur yjet po rrëzohen nëpër çerdhe qyqesh. Koha ikën shpejt e s’kthehet më. Brezat kërkojnë rrugën e humbur. Mister e djallëzi kanë në shpirt pushtetarët që me vështrimet e tyre si të meduzëse, në emër të një civilizimi të rremë lënë brezat pa shkolla në trarët e të cilave fole merimangash hapërda.
Medet, ngrita sytë, qiellin pashë. Nëpër ditën me diell habitem si ti zot nuk gjuan me rrufe. Se kuptoj, ç’lumturi të jep ky tjetërsim.
A bren vallë pendesa Ministren mirditore a Drejtorin shkollëmbyllës të këtyre viteve?!
Kosa e vdekjes grinë djem të ri që të zënë në udhëkryq e të pa shkolluar rendin drejt armës frikëshpërfillës. E marrin udhën pa shteg lënë endrrat e papërfunduar. Pushtetarët u sollën natëzezën e ata si qyqe të shkreta rendin diten e natën të ikin. Përditë shfaqët e vërteta tronditëse, të rinjë që vriten e. lënë endrrat e papërfunduar
Përse këto shkolla kërkohen të zhbëhen, të zhbihen, të zhduken Përse shkolla e Velës, Gëziqit, Blinishtit, apo më tej të gjitha shkollat e hapura në veri dhe në jug ashtu si dhe Universiteti i Parë Shqiptar nuk merreshin në konsiderate e rrezikojnë të mbyllen?!
A nuk ishin themeluar këto shkolla, së pari në vendin tonë, pra në malet tona të veriut, ani se pranë kishës, pranë arës, pranë kuvendit të burrava, pranë shtëpisë e trollit ku banonin e jetonin shqiptarët, të parët tanë fisnikë që kishin mundur të mbijetonin, edhe pse në kushte të vështira?!
A nuk mësonin në këto shkolla djem shqiptarë vendas, nuk ka rëndësi nëse ishin prej Mirdite, Kelmendi, apo prej Himare, apo ndonjë cepi tjetër të Shqipërisë?!
E nëse ato janë shkolla të hapura nga klerikë, a nuk janë këta klerikë themeluesit e të parit shkrim shqip, e të parit alfabet shqip e të parit libër shqip?! A nuk janë këta klerikë shqiptarë nismëtarë të ngjarjeve më të mëdha të kombit dhe të kulturës?! A nuk janë ata historianët e parë, etongrafët e parë, gjuhëtarët e parë, arkeologët e parë, madje dhe atdhetarë të rangut të parë, e kush mund të ishte tjetër e më para tyre?! Atyre njerëzve që ishin shkolluar, ani se ku, por që jetonin këtu bashkë me bashkëvëllezërit e tyre të një gjaku, gjuhe, zakoni e tradite, vetë ata a nuk ishin shqiptarë?! A nuk ishin kthyer ata në udhëheqës shpirtërorë të këtij populli të vuajtur e që në historinë e vet kishte pasur drama të mëdha e të jashtëzakonshme?! A nuk janë klerikët katolikë ata që qysh herët në Principatën e Arbrit, e gjithnjë më vonë, janë ndër drejtuesit kryesorë të kuvendeve dhe nismëtarë të luftërave për çlirim kombëtar?!
A nuk ishin këta patriotë që kishat e tyre ndër male i kishin kthyer në të shumtën e rasteve në çerdhe të kulturës dhe të dijes?!
A nuk ishin ata maja më e lartë e vetëdijes dhe e ndërgjegjes kombëtare shqiptare ndër breza?!
Për shkollën paraqiteshin vështërsi të mëdha, se mungonte gjithçka. E për më tepër trysnia e jashtëzakonshme e pushtuesve osmanë, të cilët suleshin t’i mbyllnin dhe t’i shkatërronin ato kudo.
E kush mund ta hapte tjetër shkollën në këto kushte, bariu ndër male apo bujku në arë?! Gjithsesi vetëm njerëzit e shkolluar mund të hapnin shkolla e të jepnin mësim.
Atëherë pse këto shkolla, prej të cilave shkolloheshin, mësonin shkrim e këndim, nuk funksionojnë e sot nuk konsiderohen shkolla?!
Atëherë cili është misioni i parë i mësuesit e aq me tepër drejtorit të arsimit dhe ministrit të arsimit gjithkund nëpër botë?! Besoj se ishte mësimi i shkrimit dhe leximit e më pastaj të tjerave.
Në dhjetëvjeçarin e fundit të shek, të XIX-të në Mirditë u hapën edhe disa shkolla të tjera, si, në Rrëshen në vitin 1900 (sot kjo shkollë është mbyllur) në Kashnjet në vitin 1901me mësues Dom Prend Sulin; (sot kjo shkollë është mbyllur) në Spaç në vitin 1902 me mësues Dom Ndre Simonin, (sot kjo shkollë është mbyllur) e Rubikut në vitin 1903; e Gomsiqes në vitin 1909 (sot kjo shkollë eshte e mbyllur). Hapja e këtyre shkollave është e lidhur drejtpërsëdrejti me orientimin dhe punën këmbëngulëse të Abat Prend Doçit.
Pse kërkojmë t’i zhbijmë e t’i zhbëjmë këto shklla që i patan hapur klerikët tanë të shquar patriotë. E kujt duhet t’i thërrasim sot që të ndalë mbylljen e shkollave në Mirditë. Që hapën klerikët tanë këta shenjtërve të bardhë apo mësuesit Ndrec Ndue Gjoka.
Pse mbyllen shkollat sot, e kush e vret shefin e arsimit (pos namëve e gjamëve të popullit) a kush nuk do të ishte mirnjohës që ato shkolla të funksiononin.
Ka ardhur koha për të thirrur fort çohu Ndrecë Ndue Gjoka prej varri se në Mirditë po t’i mbyllin shkollat.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.