24.5 C
Tiranë
E shtunë, 31 Maj 2025

Nga.Kastriot Fetahu

 

UNË DHE POLITIKA

esse

Fëmijëria ime kishte një gëzim që nuk e gjeti kurrë bazën e tij. U mërzita shumë si një fëmijë kurioz kur mbyllën tregun fshatar në qytetin tim. Prej atëherë nuk kam shijuar më një lloj fruti të thatë, që e shisnin fshatarët me vargje, me emrin Vallza. S’e di nëse jam i saktë me emrin e tyre. Prej asaj kohe nuk shijova më as borë të ngrirë që shiste një burrë i vjetër me emrin Arif. Mua më pëlqente se e shikoja të mbuluar me degët e një bime jeshile, që kundërmonte me aromën e saj, ajo si shkurre që quhet fier. Vonë kuptova se politika e kishte mbyllur tregun fshatar për të na bërë ne si popull sa më të lumtur?!
Prej adoleshencës mbaj mend kur pashë portretin e Ho Shi Min, udhëheqësi i Vietnamit të Veriut, doja të fitonte Vietnami i Jugut. Më pëlqente emri Saigon, ndërsa Ho Shi Min, me atë mjekrën e shëmtuar, nuk më ngjalli respekt. Hoxhën e dija se udhëhiqte botën dhe Mao Ce Dunin e imagjinoja të flinte në shpella, i fshehur gjatë Revolucionit Kulturor kinez. Më pëlqenin shumë Cu En Lai dhe Ten Hsiao Pin. Kurse vrisja mendjen për një tip udhëheqësi me emrin Dun Bi U; ideja se emri lidhej me dajakun vinte nga ajo “U” në fundin e tij. Brezhnjevin e urreja shumë, kishte ca vetulla të trasha dhe gëzohesha që ata i dërrmonte Hoxha si social-imperialistë. Politika vinte te unë e ndryshme në çdo ditë. Kiço Fotiadhi më “ngatërronte” me lajmet në Tv shqiptar.
Fjalët janë gjithmonë gjëja më e keqe që ekziston në totalitarizëm.
Jetën si student e gëzoja në kulmin e lirisë time, muzika e huaj ishte politika që doja. Italianët më dukeshin fati ynë që i kishim aq afër, ndërkohë s’e kuptoja pse Hoxha nuk i donte. Në vitin e parë të punës kërkimi im për të vërtetën më konfliktoi me një njeri mizantrop, sekretar partie në kantier, i cili i shkroi një letër Komitetit të Partisë.
Fati dhe rrethanat, përpos idealizmit tim, më shpëtuan. Nuk e harroj kurrë sekretarin pas tij, Nazmiun. Dy burra i nderoj veçanërisht nga puna si inxhinier në naftë dhe të dy ishin sekretarë partie, Nazmiun dhe pas tij punova me Kasemin. Ishin këta që më bënë të mundur “shtyrjen e kohës për në burg.” Vizitat e tre sigurimsave në punë filluan të shpeshtoheshin. Njëherë, kur ata ishin në zyrën time, dola nga vetja dhe ngrita zërin në inat e sipër. Nuk jam i zoti të fsheh veten, natyrën, karakterin, sepse shpërthej ndaj padrejtësive dhe gjërave që janë negative. Impulsi njerëzor ishte i pakuptimtë atëherë, pasi binte ndesh me ideologjinë e sistemit. Pushteti komunist nuk na donte qënie mendimtare, por vetëm qënie vepruese dhe të bindura. Personaliteti i njeriut endej midis rezistencës dhe bashkëpunimit. Mendimi ju jep njerëzve forcën për të ndaluar katastrofa, por a ekzistonte ai në diktaturë? Demokracia po trokiste, kur mendoja se më ndanin pak muaj nga burgu. Perez De Kuelar më ngjalli shpresat se shpëtova nga komunizmi, i cili nuk arriti dot të më “kthente” në një hero. Demokracia erdhi me pluralizmin, ndërsa unë shikoja plot dyshime gjërat që nuk më bindnin. Shkova në metingun e parë të PD në Berat. Atje udhëheqës të komitetit organizator të PD deklaruan “Çekun e bardhë” dhe prishjen e gjithçkaje që kishte ndërtuar komunizmi. Entuziazmi im u zbeh. Unë jam inxhinier dhe nuk ndryshoj dot në kuptimin teknik. Profesori në lëndën e “Ekonomisë kapitaliste”, nuk më kishte pëlqyer kur shpjegoi mbivlerën me alkol dhe jo me këpucë si shembulli klasik i saj. Për mua, të shpjegosh një leksion është e papranueshme të bësh jo seriozin, po kur bëhet fjalë për fatet e një populli? Shkatërrimi nuk është dëm meteorologjik, por ekonomik, politik, emocional, kombëtar.
Në Kuçovë u krijua dega e PD, po në të bënin pjesë edhe njerëz që nuk kisha aspak respekt, ata nuk më bindën kurrë se PD do të sillte ndryshim drastik në jetën që na priste. Një shokun tim, këta njerëz pa nivel e ftuan të… ngjiste parulla natën nëpër mure!?
Arroganca e tyre ia kalonte arrogancës së sekretarëve të partisë që kisha njohur. Ngërdheshja me tone triumfi ishte e pështirë dhe aspak tërheqëse që të bëhesha pjesë e PD. Në anën tjetër, Kasemi, sekretari i Partisë më kishte thënë kur filluan mbledhjet e hapura të Partisë së Punës, se “e mori lumi këtë vend.” Gazeta RD, merrej me shkrime të tipit “Pulat e Haxhi Lleshit” kur mund të shpjegonte pse duhej të përmbysej komunizmi dhe çfarë është demokracia. RD nuk më bindi kurrë si një gazetë e vërtetë antikomuniste dhe me vlera. Nuk lexova asnjëherë gjëra që të më mësonin teorinë e demokracisë.
A dallohet natën hija e qenit nga hija e ujkut?
Ashtu dhe hija e dy sistemeve nëse nuk analizohen thellë ata.
Ndërkohë, në kohën e metingjeve për zgjedhjet e para pluraliste, mbaja në zyrë portretin e Leka Zogut dhe të diktatorit, diçka shumë e guximshme në atë kohë në zonën e Kavajës. Të dy palët kur i shikonin, debatonin me mua. Më pëlqen të hulumtoj sjelljen e njerëzve për idealet e tyre. Unë nuk kam armiq njerëz të asnjë krahu politik, por papajtueshmëri me praktikën politike të tyre. Ata nuk luftuan kurrë të gjenin zërin e vetë, po ngelën vetëm dëgjues pa zë dhe nuk e ndryshuan kurrë statusin ekonomik të varfërisë. Ndërkohë liderët e tyre kanë krijuar kultin e individit, aq sa edhe Ilham Aliyev i Azerbaixhanit do ti ketë zili.
Në situatën e ndezur, kur një përfaqësues i PS u përplas me dhunën e djemve demokratë në fshatin ku punoja në kantierin e naftës, e strehova në zyrë atë, se kisha njohje në zonë. Ai mbajti një takim me punëtorët duke thënë ca fjalë fushate. Pas shumë vitesh jemi takuar në Tiranë. Ka burra që nuk harrojnë dhe dinë ta manifestojnë këtë gjë. Ish-deputeti Jup Tabaku nuk jeton më, por e kujtova si një homazh për integritetin e tij.
Në atë kohë simpatizoja Nanon. Unë jam i prirur drejt inteligjencës së shpërfaqur me elegancë. Në një kafe me miq të mi, që punonin në organet më të larta të drejtësisë, u ndez një debat me një deputet të PS, pasi ishte përkrahës i Metës. E mbrojta Nanon edhe pse s’kisha asnjë lidhje me partitë, por kuptova se këta ishin njëlloj në të dy krahët, sepse edhe nga e djathta ishin linçuar emra me shumë integritet. Veçanërisht një inxhinier, ministër ndërtimi, një burrë fisnik, u godit ashpër pse shkoi në një vizitë me Presidentin e Republikës në atë kohë.
Ç’është tradhëtia? Çështje që udhëheqësi vendos të jetë e tillë, nëse ndjen ti rrezikohet pushteti personal i çastit, apo i ardhmërisë nga “tradhëtari i rastit,” që shkëlqen me integritetin e tij më shumë se udhëheqësi.
Asgjë nuk ndryshoi në këtë histori nga e shkuara.
Endesha në mendime që nuk konvergonin, nëse kisha të bëja me forca politike që do të progresonin ekonominë dhe lirinë e një populli të dërrmuar. Çfarë kontratash sociale kishin këto parti?
Viti ‘97 nuk ishte as fotokopje e shëmtuar dhe e përmbysur e luftës Veri -Jug midis gjeneralit Grant të Unionit me gjeneralin Robert Li të Konfederatës në Amerikë.
Nuk e kam menduar kurrë se një parti, e dalë nga mitra e Partisë Komuniste si vazhdimësi e saj, do të dominonte skenën politike të tranzicionit të pambarrimtë, që duket si purgator tranzit. Pyes veten çfarë është PD? Gazeta e saj lançonte intervista udhëheqësish komunistë që ishin burgosur nga diktatori. Nuk pashë shkrime apo intervista të familjeve të nacionalistëve apo të oligarkëve që u përmbysën në ’44. Ajo çfarë mendoja është se asgjë nuk bëhet spontanisht. PD ka akoma një ish-komunist, udhëheqës që prej vitit ’90.
Ndërkohë, policia e viteve të para të sistemit të ri ishte një polici politike dhe shumë radikale. Si mund të bëhesha me PD kur një person më goditi gomën e makinës me biçikletë kur isha i ndaluar në semaforin e rrugës së Durrësit tek muzeu kombëtar dhe një polic më bën shenjë të ndaloja përpara muzeut? Pasi më kontrolluan për alkool, ai polici më tha: “Ke fat, shpëtove, se ose 3 milion lekë do të dorëzoje tek unë, ose në burg tek “Mine Peza.” Tani, pa diskutim, jepi këtij shokut tim me biçikletë 600 lekë që të ndërrojë diskun e prishur!?
Ishte viti ’93, por jo ai i Hygo…
Unë kisha gëzuar shumë që erdhi demokracia. Por kjo gjë nuk ma zhduku kurrë pyetjen ekzistenciale: -A erdhi vërtet demokracia tek ne? Askush nuk bënte eksplorim të popullit, kontratës sociale dhe klimës politike. PD më kujtonte Partinë e Punës me radikalizmin e saj, ndërsa udhëheqësit e PS shfrytëzonin në mënyrë vulgare integritetin e burrave që ishin komunistë dhe nuk ndryshuan Parti në tranzicion. Ndiqja me vëmendje besën e këtyre burrave që i njihja mirë, ishin po aq të pafjalë dhe besnikë. Ata u përdorën tmerrësisht keq, pasi as nuk mundën me pensionet lëmoshë të jetonin me dinjitet. Shikoja njerëz që pretendonin se i përkisnin të majtës me veshje dhe aksesorë luksi dhe në krahun e djathtë gjeja njerëz idealistë, por të varfër, që pretendonin besnikëri për të djathtën. Udhëheqja e të djathtës që nuk kishte asnjë lidhje me oligarkinë e vitit ’44, u pasurua për një kohë shumë të shpejtë. Makinat e shtrenjta dhe vilat e borgjezëve të rinj pa fabrika, filluan konkurrencën. Në kohën e diktaturës më pëlqenin filmat italianë me Mafian, apo edhe ata filmat rumunë ku Jani Semaka ishte një bandit i fuqishëm kundër shtetit. Në këta filma kisha vërejtur se kriminelët rrethohen gjithmonë nga njerëz me kostume të zinj, që kanë mbaruar universitetin dhe kanë mësuar artin e mashtrimit burokratik…
Orbitat në çdo kohë janë me forma gjeometrike rrethore.
Themelova që në ’90 aktivitete biznesi. po kurrë nuk bleva një makinë të re apo syze 30 mijë dollarëshe. Ata i kishin, ndërsa besnikët e të dy krahëve u armiqësuan deri në konflikte me jetë të humbura. Pse njerëzit urrehen për shkak të politikës?
Çfarë është politika, pyesja veten.
Të majtëve klasikë ju pëlqen të përzihen me vuajtjet dhe djersën e njerit tjetrit në një solidaritet pa traktat, ndërsa të djathtët mbështeten mbi krenarinë që derivojnë vlerat e familjes dhe pronës, ata nuk kanë djegur kurrë kisha dhe xhamia si radikalët e kundërt. Edhe lideri i të majtës, një person demagog aventurier folklorist, që nuk e arriti kurrë standardin e të djathtës për t’i ofruar më shumë rritje të të ardhurave personale popullit, sigloi në statutin e Partisë përjetësinë e tij.
Në adoleshencë një libër i ndaluar më kishte impresionuar, “Pirati bëhet Papë” me personazh Baltazar Kosa.
Të dy liderët as kanë ndërmend ta lënë drejtimin e Partive. Po Enveri çfarë bëri më shumë se këta? A quhet demokraci kur kemi 3 dekada me të njëjtat fytyra?
Regan shembi komunizmin botëror dhe vetëm 8 vite qëndroi në pushtet.
S’mund ti kërkosh një kumbulle të ruaj lulëzimin pas pranverës.
Loja e tyre tani nuk është më e sofistikuar, sepse topitja e vigjilencës së popullit i garanton përjetësi.
Por Prudoni thotë : “Etja për liri e tejkalon shtypjen”.
Në vendin e fundit në Evropë zgjidhet një qeveri nga një parti bijë e komunizmit për katër mandate. Populli është përgjysmuar. Çfarë kërkonte më shumë Vasa Çubrilloviç me “Memorandumin” e tij famëkeq?
Njerëzit nuk i besojnë më demokracisë shqiptare. Pas kuintave, qeveritarët vjedhin gjithçka me ritme tmerri. Ne vazhdojmë akoma të shajmë Zogun për vjedhjen e floririt, që duket qesharake para vjedhjes së qeveritarëve të tranzicionit. Po populli? Ai më ngjan me Laocoonte, priftin trojan, por ndoshta fati i tij e kalon atë të heroit të sklupturës romake në Vatikan. Populli voton dhe në varfërinë e tij gëzohet se i mundi kundërshtarët, të cilët janë po aq të varfër sa gëzimtarët e fitores që votojnë pushtete korruptive, fituesit e vërtetë në postdiktaturë. Po unë? U lodha atje dhe ika një ditë, për të jetuar me dinjitet njerëzor. Ata nuk do të më fyejnë dot më inteligjencën. As nuk mundën të më mashtronin për t’u bërë ushtar i tyre në të dy sistemet me regjime të ngjashme.
Politika e sotme luhet me letrat e vjetra të bixhozit, të cilat nuk ndërrohen nëse nuk “griset dërri maç me dy kokat kundërshtare në unitet brenda asaj letre.”
“Pemët e rrëzuara” ishin një iluzion.
Burrë të bën ajo çfarë ti bën kur të afrohet stuhia, ndaj luftova duke humbur betejën me ata, por jo me vetveten…
K.F.
BOSTON 05/14/2025
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.