17.5 C
Tiranë
E hënë, 25 Maj 2026

Nga Laureta Petoshati

Këpucë për udhë

Këpucët janë lëvozhga e arrës
që mbrojnë thelbin brenda,
këmbët që i drejton mendja
kur nisin udhë nga malli, halli e gjendja.
Udhë të bëra nga këpucë të larta,
kërcasin në zyra nga trallisja që lë nata,
pispillosen, ngrefosen, sikur s’ka gremisje
dhe ku çdo mbarim duket një rinisje.
Udhë me këmbë që mbajnë bucela, shkarpa,
ndërsa duart me shtiza thurin papushim
më shumë rëndon dhimbja mbi të shkretat brashnja,
si të jenë anije gati për batim.
Këpucë punuar me dorë për foshnjat e njoma,
ndërsa ngrihen e bien kur mësojnë të ecin,
këpucë për fëmijë që i rreh bora e ftoma,
kur shkojnë në shkollë dhe gjumi ka zënë shtetin.
Këpucë për këmbë të hallakatura si mendja,
e pavendosur se nuk di ç’rrugë të marrë,
nga të reja në të vjetra, tak-fak ndryshon gjendja,
kur rrugaçi brenda natës rrëmben statusin shtetar.
Këpucë që xixëllojnë, shtrënguar me qafa,
kur flamur –shpalosur nis një det marshimi,
vringëllojnë armët, shungullojnë pafkat,
toka nis e dridhet në rezonancë tërbimi.
Ndërsa shkojnë vargan kërcasin vullkan,
nga ushtari i thjeshtë te gradat e larta,
çizmet edhe dhëmbët ku armatosur janë,
për hapin e shtrirë, për thirrjet e zjarrta.
Këmbë të ënjtura, mavijosura në këpucë,
nga qëndrimi i gjatë në llogore e në llucë,
ç’duhen për këmbë të ngrira kur bëhen të prera,
a vishet me këpucë kutërbimi, era?
Këpucë për paqe, sandale për rrugë të madhe,
drejt Fushës së Yjeve, fundit të botës, diku në Spanjë,
ku Shën Jakobi prehet e mban në gji një xhixhivalle,
gocën e detit, që e gdhendën valët, siç thanë të parët tanë.
Këpucë të thjeshta dhe të ngrohta, për një rrugë të gjatë,
për të shpëtuar shpirtin e trupin në një vend të shenjtë,
te Kishë e Shën Ndout, ky vend magjik mbi shpat,
me gjuhë pelegrinësh e gjithë Europa flet.

Këpucë, këpucë për rrugën e duhur,

ku thelbi, ku shpirti bëhen më të bukur…

“””””””””””””””””””””Imazhi mund të përmbajë: Laureta Petoshati, ulur dhe E brendshme

Fustani që më qepi nëna
Rrobaqepësja ime ka qenë nëna ime,
e tani që i është bashkuar gjithësisë
m΄i paraprin fustanet sipas stinëve,
m΄i qep me argjendin e dëlirësisë.
Dhe kur qielli u derdh oqean me borë,
dhe nata u shemb si të ishte dhè
një fustan të ëndërrt po prekja me dorë,
ç’diell m’u bë nëna, ç’gëzonte atje:
– Si flutur dukesh, si dritë, dritë,
mëndafshi i bardhë të shket, të shket,
lulet në ngjyrë të trëndafiltë
çelin mbi fustan si bajamja vetë.
Nënë, për Kërshëndella një mëngjes,
i këndoja Zotit m’u në kishë,
vinte aty brenda kënga e minares,
mbi lulet e mollës vesa e qershisë.

Të të shihja ty iu luta Krishtit,

dhurata më e shenjtë të të kisha pranë,

në palcë të dimrit, në palcë të shpirtit,

s’erdhe duarbosh, më solle fustan.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.