18.5 C
Tiranë
E martë, 10 Mars 2026

NGA LULASH BRIGJA

(Shkrimtarë, poet, publicist)
PËR TY ZOGU I TRETUR
(monolog * lulash brigja )
Me ka ndodhur me qindra herë gjatë netëve pa gjumë, të bredh nëpër kujtime të shëtis nëpër ëndrra duke të kërkuar ty o ‘Zogu i tretur’.
Më ka ndodhur të fle i zgjuar dhe të zgjohem i pa fjetur me një libër në dorë, ose me një laps të bëj bilancin e këtij rituali që përseritet dhe nuk e kuptoj dot se ku mbaron ëndrra dhe ku fillon realiteti.
Mendja ime si një zog i tretur në lëmshin e ngatërruar të kësaj bote, mërmëritë si të vetmen fjalë, citon si të vetmin shqetësim, thërret si të vetmen shpresë, vetëm ty o Zogu i tretur. I ndodhur në udhëkryqin e kohërave në nje ditë vjeshte në prag të ndërrimit të stinëve i mbuluar nga vetmia jam ndaluar dhe diçka po meditoj. Shoh në kaltersinë e pazakontë të qiellit turma me zogj shtegtarë.
Zogj shtegtarë që kthehen nga vendet e mija.
Ikin nga ato bjeshkë ku krojet po shterrin prej mërzisë dhe mrizat po thahen prej vetmisë,
Ikin nga ato livadhe ku u rrita unë, nga ato hapsira ku dikur fluturoje ti o Zogu i tretur.
Ata po ikin së bashku me banorët e fundit të këtyre anëve ndoshta për tu kthyer përsëri, por se kur se di.
Në pranverat e mjegullta të fund shekullit që kaloi, nga vendet e mija të tjera turma udhëtonin drejt jugut dhe perëndimit. Me qindra djem nënash i lanë shtëpitë e tyre dhe ikën, ehhh, sa ngjashmëri me turmat e zogjve.
Ikën nga dimri për të gjetur pranverë, ikën për tu kthyer përsëri në pranverë,ikën dhe pyes a do të kthehen ndonjëherë o Atdhe.
Për një gjë kam qënë dhe jam i sigurtë së “ata janë ZOGI I TRETUR i mendjes time”.
Pra ata janë zogj të tretur të vendit tim, ata janë cicerima e ëndërruar e pranverës që presim, janë ylberet që dhe qiellin na zbujurojnë.
Ja pra, ata ikën, dikush në dimër e dikush në pranverë, por kudo që kanë shkuar ata kanë vetëm një emër – “Zogj të tretur”.
Ata ikën dhe unë pres që shumica do të kthehen, ata do të jenë lulet e para në pranverën e vonuar të vendit tim, ata janë shpresa për një jete ndryshe këtu në Atdheun tim të robëruar.
Kanë kaluar shumë vite, ka rrjedhur shumë ujë, kanë fluturuar shumë ëndrra por…
Iku edhe një vit, e po vjen një tjetër dhe unë jam njëri nga ata që e ndjej mungesën tënde ndaj më djeg shpirti për ty “Zog i tretur”.
Të kërkoj në mëngjes ku pi kafe, të kërkoj në darkë kur ha bukë, të kërkoj gjatë javës në rrugët e zbrazura të qytetit, lutem për ty të dielën në kishë, përlotëm kur ti nuk vjen në raste vdekjesh përmallohem kur nuk të shoh në dasma, mërzitem kur sjell në mëndje kujtimet e shkuara gëzohëm vetëm një herë. – – Kur takohëm me ty në ëndrra…
Sonte kam marrë një laps dhe dua të shkruaj për ty, për ty o Zogu i tretur. Pena nuk është magjike, por do të doja me gjithë shpirt që kërto rreshta që shkruaj një ditë të vinin tek Ti. Kjo penë nuk është lapsi i Borges që çdo faqe e shkruar është Gines, nuk është leva e Arkimedit që mund të lëviz botën.
Pena ime është lapsi i mendimtarit i ngjyrosur me lotin e nënave shqiptare që presin djemt e tyre të kthehen nga kurbeti i djallosur.
Lapsi im është i ngjyrosur me lotin e nuseve që kujtojnë vetëm ditën e dasmës.
Lapsi im është i frymëzuar nga premtimet e shumta që mbajnë me shpresë vajzat e dashuruara, lapsi im është shigjetë me mallkimet e nuseve të tradhtuara.
Lapsi im i pastërvitur, që shëtit në fushën e artit, është si një fëmijë i vogël që shkruan fjalën babi e babin nuk e njeh.
Ah bote e poshter, sa mizori ke brënda.
Lapsi im kërkon të shkruaj për ty o Zogu i tretur, me gjallërinë e një fëmije, me dashurinë e një vajze, me bukurinë e një nuseje, me mallin e një nëne, me urtësinë e një plaku.
Nga dritaret e internetit do të doja të bisedoj me të gjithë mërgimtarët, do të doja të bisedoj në veçanti me ty që ke vite pa ardhur por por..
Mos më thuaj se nuk i ke marrë ato të shkreta letra, mos më thuaj se je shumë i ngarkuar me punë.. Njeriu nuk mund të presë të gjithë jetën për një dokument që quhet “Letër” por as nuk mund të fokusojë gjithë jetën e tij për disa letra të tjera që quhen “para”..
Unë mendoj se jeta në themel të saj ka dhe duhet të ketë dashurinë, të jesh i bindur se dikujt këtu në Shqipëri i mungon dashuria jote.
Me gjithë shpirtë do të doja të uroja ty.
O mërgimtar i burgosur, nuk marr guximin të pyes se si ndodhi por nuk ja dëshiroj fatin tënd asnjë shqiptari të mërguar.
Ndihem pak sa borxhli që nuk arrij të telefonoj rregullisht shokët mij por ndjehem tepër i zhgënjyer kur në telefon a në skype më dalin familjet e tyre dhe unë nuk mund të komunikoj në gjuhën shqipe me ta..
Ah në këto raste edhe fjalët më shterrojnë.
Në këto raste me veten time bëj një monolog. – Jo, ti nuk je shoku im, ti nuk je zogu i tretur i vendit tim ti do të mbetesh një kujtim i trishtuar i mendjes time..Mos, mos ju lutem mos. Thirri arsyes e zgjo mendjen.
O Zogu i tretur në mëgrim , dua që ta kuptosh se edhe ne pa ju jemi si zogj të tretur në vendin e lindjes. Po po zogj të tretur në vendin tonë. Ne dhe Ju jemi si dy copa dru në vatrën e zjarrit të vendlindjes që të veçuar shuhemi e të bashkuar ndizemi.
Ju lutem në emër të qindra e qindra familjarëve, ejani, ejani të paktën të festojmë së bashku që ta shuajmë heshtjen e vetmisë dhe të ndezim mbi zjarrin e mallit flakën e dashurisë së munguar.
Kam qënë edhe unë mërgimtarë e kam përjetuar vetminë në emigrim, dhe e kuptoj peshën e punës dhe jetës në vend të huaj.
Fati e tha të jem unë këtu e Ju atje..
Të varfër ju e i varfër unë.
Unë e vlerësoj dhe e shoh çdo ditë djersën tuaj sepse i shoh shtëpitë e reja, dyqanet, dhe ndryshimet që ka bërë qyteti ynë, vendi ynë, kryesisht nga puna juaj. Për këtë meritoni shumë mirënjohje.
Po vendit tim çdo ditë e më shumë po i mungon ajo pasuria më e madhe që Zoti i ka fal njeriut, dashuria.
Pra, këtu mungon ti o Zogu i tretur..
Shtëpitë po braktisën, rinia po ikën, kombi po plaket..
Mundohem ta kuptoj por nuk ja arrij dot pse, pse ne u çoroditëm kështu, ndoshta ky realitet i ri na ka çoroditur dhe duhen ide të reja dhe ndosha unë kam mbetur prapa në mendime. Ndoshta…
Qofsha unë i gabuar.
Në këto momente dua të citoj një thënie të Migjenit ;
“Kafshatë që s’kapërdihet, është o vëlla mjerimi”.
Një tjetër kafshatë ju ka ngecur në fyt nënave dhe baballarëve tuaj. Vetmia, vetmia deri në ditën e vdekjes.
Vetmia është ajo që po i mundon më tepër se mjerimi i dikurshëm, po i mundon më tepër se pleqëria e sotme. Po e mbylli këtë monolog me vetveten duke ju uruar të gjithë mërgimtarëve shqiptarë kudo që ndodhen një jete të lumtur por edhe duke shpresuar….
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.