13.5 C
Tiranë
E shtunë, 6 Dhjetor 2025

Nga Martin DEDAJ

Ribotim.
Trashëgimi gazetarie…
Gjeneza e familjes…
Sipas gojëdhënave thuhet se familja Rrozhani, kohë më parë është shpërngulur nga viset e epërme të Shqipërisë Etnike dhe vendosur në Mabë të Zadrimës. Aty ku jetojnë prej shekujsh. Edhe sot e kësaj dite në vendin e quajtur: “Trojet e vjetra” të Rrozhajve afër një kodre në Mabë të Zadrimës, qëndron stoike kulla dy katëshe e tyre ndërtuar me murë guri të gjërë, me jerevi e oda të mëdha, dritare e frenxhi, ku padyshim oda e burrave (që shpesh shërbente edhe për kuvende), zë vendin kryesor në këtë kullë fortesë të Rrozhanëve. Kjo familje ka patur dhe ka trashëguar ndër vite emrin: “Familje Megjlisi”, “Shtëpi kryeplaku” etj. I pari i kësaj votre Mark Rrozhani si dhe djali i tij Doda kanë qenë emra të njohur dhe të përmendur në krejt krahinën.
Të shkruash për një familje të nderuar dhe të respektuar në Zadrimë, si dhe për përfaqësuesit e saj është një sipërmarrje disi e vështirë por njëherësh edhe një obligim, pasi ndër vite brez pas brezi kjo familje ka trashëguar emrin e saj të mirë që ka në zonë, dhe është e njohur si një familje e spikatur mikëpritje dhe bujarie, bese dhe burrërie, ndershmërie dhe atdhedashurie. E kjo është familja Rrozhani pasardhës i së cilës është Jak Rrozhani, gazetari i njohur në median shqiptare të pas viteve 90-të e këtej, një përfaqësues dinjitoz i kësaj familje, që banon në qytetin e Lezhës tek i cili një ndikim të fuqishëm në kultivimin si intelektual, gazetar dhe publicist, ka patur dhe ka padyshim gjeneza e familjes së tij. Pasi familja Rrozhani është një ndër familjet e njohurura jo vetëm në Mabë të Zadrimës por në krejt këtë trevë dhe më gjërë. Një familje autoktone prej shekujsh ngulur bash aty ku sot kanë trojet dhe banesat e tyre, pasardhësit e Rrozhajve.
Ndër vite nga kjo derë kanë dalë intelektualë të spikatur, që kanë bërë emër në fusha të ndryshme por veçanarisht në fushën e gazetarisë. Mjafton të përmendim faktin se vetëm nga kulmi i shtëpisë së Dodë Mark Rrozhanit kanë dalë jo pak, por katër gazetarë dhe konkretisht vëllezërit: Zef dhe Jak Rrozhani, djali i Zefit, Arben Rrozhani dhe më e reja në këtë udhë Eglantina Rrozhani, vajza e madhe e Jakut e cila ka filluar të trokasë edhe ajo në udhën e gazetarisë dhe preferon tematikat sociale e ndikuar sa duket edhe nga studimet e larta në fushën e Psikologjisë.
“Kulakët” e Zadrimës dhe varri i humbur…
Dallgët e historisë e kanë përplasur jo pak me jetën familjen Rrozhani e cila thjesht dhe vetëm se ka qenë e kamun (pasur), në vitet e diktaturës qe cilësuar: “Familje kulake”. Për rrjedhojë pasuritë e saj, tokat dhe agrajet që pat mundur ti sajojë ndër vite (falë punës dhe djersës së pjesëtarëve të familjes) nuk e lanë ti gëzonte, pasi e ashtëquajtura “Reformë Agrare” u’a konfiskoj ato pa shpërblim, dhe u shoqërua edhe me cilësimin: “Kulak”, emër i cili e shoqëroi gjatë këtë familje, deri në fundin e viteve 90-të kohë kur ra sistemi diktatorial afro gjysmëshekullor.
Një goditje tjetër më shumë sesa vrastare do ti vinte familjes Rrozhani, në vazhdën e luftës së ashpër të klasave dhe “zbulimit” të grupeve armiqësore. Pasi, Mark Rrozhani do të ishte viktima e radhës i cili u pushkatua në Pukë në vitin 1974, pas një gjygji farsë dhe të montuar. Më pas u varros në fshehtësi të plotë nga ana e forcave të errëta të ish Sigurimit të Shtetit, duke mos treguar edhe vendvarrimin e tij për afro katër dekada.
Natën pa hënë dhe në errësirë të plotë i realizonte ekzekutimet dhe vrasjet shpura vrastare e diktaturës komuniste, pasi të zezë sterr e kishin shpirtin xhelatët e tij fanatikë, të cilët pasanikët dhe kundërshtarët e tyre ideologjikë i kishin halë në sy.
Një “gëzim” brenda hidhërimit prej afro katër dekadash…
Falë këmbënguljes titanike të Sandër Rrozhanit, djalit të të ndjerit Mark Tom Rrozhani, investigimeve dhe kërkimeve të tij disa vjeçare, arriti më në fund të gjejë eshtrat e të jatit dhe të bëjë rivarrimin e tyre në vendlindjen e tij, duke hequr kështu një brengë e cila do ti kishte shoqëruar gjatë gjithë jetës, fëmijët e të ndjerit Mark, të afërmit dhe farefisin e tij. Ajo ditë pavarësisht se u kthye në një morte të madhe pati edhe një “gëzim” brenda hidhërimit dhe brengës shumë vjeçare. Pasi familjarët e të ndjerit Mark, nga ajo ditë e në vijim kanë të paktën një vend ku shkojnë e lotojnë, çmallen dhe të vendosin lule të freskëta. E ky është varri i eshtrave të Mark Rrozhanit, që edhe pse të fosilizuara, akuzojnë dhe apelojnë për padrejtësitë dhe paudhësitë e ndodhura përgjatë viteve të diktaturës.
Njohja me Rrozhanët…
E kam njohur kolegun dhe mikun tim Jak Rrozhani që herët kur erdha me banim në Lezhë, aty nga fillimi i viteve 90-të. Që prej asaj kohe dhe aktualisht kam me të marrëdhënie shoqërore dhe familjare korrekte, pasi i tillë është ai dhe familja e tij e mrekullueshme, bashkëshortja Taze dhe vajzat Eglantina dhe Esmeralda.I kam njohur edhe nënën të ndjerën Prenë, e cila është ndarë nga kjo jetë kohë më parë. Për së gjalli ajo pat jetuar me Jakun, nën kujdesin e veçantë të Tazes e cila meriton shumë më shumë sesa vlerësime dhe respekt, pasi ka dhënë gjithçka në shërbim të vjehrrës së saj, që e thërriste nënë, ashtu siç dhe kunata ime e madhe Dava, e cila i pat shërbyer aq fort nënës time të dashur Dilë, për sa kohë ajo ishte e sëmurë. Ndërroj edhe ajo jetë bash në fillimt të vitit 2003, më 3 Janar!.
…njoh edhe vëllezërit e Jakut: Zefin dhe Vasilin (Apo siç e thërrasin Vaso), si dhe disa prej fëmijve të tyre, përfshi këtu padyshin Arbenin gazetarin tashmë të njohur në të gjithë Shqipërinë. Por njohjen më të detajuar me Jakun e kam krijuar në periudhën kur unë punoja si gazetar në “Rilindja Demokratike” dhe ai në “Shekulli”.Ndërkohë kisha dëgjuar edhe për Zefin, vëllain e tij. Një gazetar i sprovaur ndaj të cilit kisha krijuar njohje përmes penës së tij në shtypin e para viteve 90-të, në gazetat: “Zeri i Popullit” dhe “Bashkimi”. Zef Rrozhani është i pari pinjoll i dinastisë Rrozhani, që bëri emër në gazetarinë shqiptare duke shërbyer edhe si udhënisje e misionit të bukur por edhe të vështirë të gazetarisë, për vëllain e tij Jakun dhe më pas Arbenin, djalin e tij edhe ky një gazetar i njohur dhe i spikatur i pas viteve 90-të, njëherësh përfaqësues dinjitoz i brezit të ri të gazetarëve të kësaj periudhe, si dhe vajzën e Jakut Eglantina e cila sapo ka nisur udhën e bukur të gazetarisë. Trashëgimi gazetarie ndër breza! S’ka më bukur!… Një rast mbase i veçantë jo vetëm në Zadrimë e Lezhë por edhe më tej. Mesa di unë edhe Rovena bashkëshortja e Arbenit është gazetare. Sa duket e ka ndjekur profesioni i bukur i gazetarisë, mbi të cilën është ngjizur dashuria për të lidhur jetën me Benin.
Pinjollin e gazetarisë së Rrozhanëve Zefin e pata takuar në Thirrë të Fanit, në prag të festave të fundvitit 1989. Them festat e fundvitit pasi zona ku unë kam punuar si specialist bujqësie (ish Kooperativa e Xhuxhës, që përfshinte fshatrat; Lashtë, Dardhaz, Lari, Thirrë, Melth, Bizhzë, Sang dhe Batra ashtu si dhe krejt zona e Fanit në Mirditë) përpara Vitit të Ri festonin K’shnellet ndonëse asokohe kjo festë ishte e ndaluar. Ai kishte ardhur për të bërë një shkrim për jetën dhe aktivitetin e asaj zone të thellë malore, që e përpinin dimrat si dhe masat e marra për furnizimet nga ana e Ndërmarrjes së Tregtisë (NT) dhe asaj të Furnizimit të Punëtorëve (NFP) të banorëve të këtushëm. Asokohe në Thirrë të Fanit kishte disa sektorë të minierës, gjeologjisë, sharrave, mirëmbajtjes etj, ku përveç punëtorëve vendas (zonave të Fanit) kishte edhe nga zona të tjera të Mirditës dhe rrethet e tjera.
Pasi jemi prezantuar me njëri-tjetrin kemi pirë një kafe dhe kemi bashkëbiseduar gjërë e gjatë për problematikën e kohës. Gjatë bisedës ai mbante edhe ndonjë shënim të vogël sidomos kur në sqarimet e mija ju referoja shifrave. Duke përfituar nga kjo bisedë i kam bërë një sinoptikë problemeve të bujqësisë së asaj zone, të cilat sa duket i përdori për një shkrim të më vonshëm me tematikë: “Problemet në bujqësi në zonat e thella malore” ku referencë kishte Xhuxhën, këtë zonë shumë të thellë malore të Mirditës, ku unë isha emëruar të punoja si agronom sapo dola nga dyert e fakultetit edhe pse në fshatin tim të lindjes Malaj, specialisti agronom i kooperativës ishte me shkollë të mesme bujqësore natën!
Fillesa e njohjeve të mija me Rrozhanët ka qenë ajo e para viteve 90-të me gazetarin e njohur Zef Rrozhani, për të vijuar me vëllain e tij Jakun, e vijuar me Arbenin, Vasën etj. Gjatë kohës që shërbeva në Policinë e Shtetit, pata rastin të njihem edhe me Aleksandër Rrozhanin, një punonjës policie model sa i përket korrektësisë, përkushtimit dhe performancës. Për të gjithë Rrozhanët që kam njohur, kam krijuar dhe ruaj respekt dhe konsideratë të lartë pasi janë vërtet njerëz me integritet që meritojnë respekt.
Përfaqësues dinjitoz i dinastisë Rrozhani…
I biri i Dodës dhe Prenës, Jak Rrozhani u lind në Mabë më 14 Qershor 1962, një ditë pas ditës së shënjtë të Shnanoit, madhështia dhe shenjtëria e së cilës ka ndikuar edhe në karakterin e Jakut, i cili është vërtet një njeri i shenjtë. Një tip i qetë dhe i matur, fjalë pak dhe dashamirës, që nuk përzihet në punët e të tjerëve dhe i lën gjërat të rrjedhin natyrshëm në shtratin e tyre, pa marrë përsipër ndonjëherë, që të ndikojë në to. Dhuron shoqëri dhe miqësi të pastër, të pret dhe përcjell me bujari e zemër në shtëpi, por njëkohësisht din të vlerësojë dhe çmojë shoqërinë dhe miqësinë e pastër.
Arsimin fillor atë 8-vjeçar dhe të mesëm e kryen në vendlindlindjen e tij Mabë. Më pas kryen stazhin e detyrueshën, (Asokohe nuk shkoje dot në shkollë të lartë pa kryer këtë stazh, që zgjaste dy vjet) për të vijuar studimet e larta në Universitetin: “Luigj Gurakuqi” Shkodër, në Fakultetin e Histori-Gjeografisë të cilat i përfundon në vitin 1984. Pas përfundimit të studimeve të larta, Jaku punon për disa vite (deri në fund të vitit 1991) në Zyrën e Kuadrit në ish Kooperativat Bujqësore Dajç e Grash. Më pas në vitin 1992 emërohet në profesionin e tij si mësues i Histori-Gjeografisë në shkollën 9-vjeçare Grash, punë të cilën e ka vijuar për disa vite edhe në shkollat 9-vjeçare; Ishull – Shëngjin, “Nënë Tereza”, Shkollën e Mesme “Hydajet Lezha”, dhe aktualish është specialist i Marrëdhënieve me Publikun, Mediat dhe Shërbimeve Sociale, në Drejtorinë Arsimore Rajonale (DAR) Lezhë.
Falë edhe trashëgimisë familjare, marrëdhëniet me median e shkruar i ka nisur herët, që në vitin 1989 me gazetën “Koha Jonë”, duke qenë bashkëpunëtor që në fillesat e saj kur këtë gazetë e mori nën drejtim Nikollë Lesi, e cila u shndërrua shumë shpejt si një shkollë e vërtetë e gazetarisë së pavarur në Shqipëri, ndonëse në jo pak raste mori kahje politike kryesisht të majta. Por Jaku pavarësisht orjentimit të gazetës, për sa kohë ka bashkëpunuar me të ka mbajtur një qëndrim etik dhe professional në shkrimet dhe tematikat e trajtuara prej tij, gjë të cilin e ka ruajtur në të gjitha gazetat që ai ka shkruar. Nuk parapëlqen të shkruaj gjatë, por ama shkruan shkurt dhe saktë.
Gjithashtu Jak Rrozhani ka shkruar ndër vite edhe për gazeta të tjera kombëtare si: “Shekulli”, “Albania”, “Telegraf”, “Ndryshe”, “Nacional”, “Panorama” etj. Ka qenë moderator etike në disa prej gazetave lokale si dhe kryeredaktor i gazetave: “LissAlba”, dhe “Portofol”. Ka kohë, që ushtron profesionin e gazetarit, duke shkruar në gazeta të ndryshme lokale dhe kombëtare, si dhe ka kryer një sërë specializimesh mediatike të organizuara nga Instituti Shqiptar i Medias dhe organizma të tjera lokale, kombëtare dhe ndërkombëtare, që merren dhe trajtojnë problematikat mediatike. Është anëtar i Unionit të Gazetarëve të Veriut dega Lezhë dhe aktualisht është rikthyer dhe shkruan tek gazeta “Koha Jonë” e rimarrë në pronësi prej Nikollë Lesit, më 17 Tetor 2013 datë e cila përkon bash me ditën kur mua më është komunikuar lirimi nga Policia e Shtetit dhe detyra që kam mbajtur aty për afro gjashtë vjet, si shef i Sektorit të Burimeve Njerëzore, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Lezhë.
Ashtu si gjithë pjesa e ndershme e intelegjencës edhe Jaku i ka përballuar dhe po i përballon me vështirësi problemet e trancionit të stërgjatur shqiptar. Që prej vitit 1998 banon në qytetin e Lezhës. Është i martuar dhe ka dy vajza. Bashkëshortja e tij, Tazia një grua vërtet zonjë e nderuar punon në Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve Lezhë. Kanë dy vajza: E madhja Eglantina që ka studiuar në Universitetin Shtetëror Tiranë, në Degën e Psikologjisë e cila ka filluar të trokasë edhe ajo në udhën e bukur të gazetarisë, duke shkruar shkrime të karakterit social dhe ekonomik dhe vajza e vogël Esmeralda që është në gjimnazin e Lezhës. Ajo shkon shumë mirë me mësime, shkruan poezi por pasion ka baletin të cilin e ushtron e inkuadruar në grupin tashmë të njohur: “Eagle Dance” të drejtuar nga koreografi i talentuar lezhjan Gazmend Golemi. Falë përgatitjes dhe punës shumë profesionale që ai zhvillon me këtë grup, shumë shpejt ka arritur tek suksesesi.Ky grup i inkuadruar në ansamblin “Kastriotët” në një aktivitet ndërkombëtar zhvilluar kohët e fundit në Francë, është vlerësuar me çmim të posaçëm dhe Esmeralda Rrozhani me çmin individual si më e mira e këtij grupi dhe e gjithë aktivitetit, duke shkruar edhe ajo denjësisht emrin e vet në dinastinë Rrozhani.
…u përpoqa të sjell për lexuesit këto pak rradhë për Jak Rrozhanin, kolegun dhe mikun tim. Por hera-herës pse jo edhe mund të kemë dalë disi jashtë “objektivit”, duke mos qëlluar bash në shenjë. Por ama edhe pse ndoshta i jam larguar obvjektivit, nuk kam shkuar shumë larg, pasi të paktën në tabelë kam “qëndruar”, duke shkruar edhe për pinjollë të tjerë të Rrozhanëve: – Zefin, Arbenin, Aleksandrin…, pse jo edhe për Eglantinën dhe Esmeraldën, të gjithë këto të lindur prej vatanit me gjenezë dije të kodrës së Rrozhanëve, të dalë nga llava e kullës së moçme, në kodrën me të njëjtën emër dhe të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë përmes punës dhe shkrimtarisë së tyre mediatike. Ndonëse pa marrë autorizimin e tyre, ashtu siç kam bërë për të gjithë shkrimet e tjera vendosa që këto radhë ti sjellë për lexuesit, për të marrë edhe opinionin e tyre. Pasi ne gazetarët veç shkruajmë për të tjerët dhe duke ju ruajtur pafundësisht modestisë, nuk shkruajmë asnjë radhë për vehten dhe njëri-tjetrin.
Me vetëdije vendosa ta thyej këtë “rregull” duke shkruar këto radhë për dinastinë mediatike Rrozhani, pjesë përbërëse të së cilës janë kolegët tanë gazetarë dhe me emër jo vetëm në Lezhë por në të gjithë Shqipërinë, të cilët në breza kanë trashëguar profesionin e bukur të gazetarisë, i bindur se do të vijojnë ta përcjlellin këtë traditë dhe vlerë të vyer, me të cilën kanë pse të krenohon së pari vetë ato, por edhe ne komuniteti mediatik Lezhjan, pjesë e të cilës dinastia Rrozhani ka qenë dhe do të jetë. Respekt per ju dhe krenari që ju kam miq!
Shkruar në Tetor 2014
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.