16.5 C
Tiranë
E enjte, 20 Mars 2025

Nga Pjeter Nikolla, shkrimtar, poet.

PIRUSTËT JANË DARDANË

Arkeologët Shqiptarë bazuar në gjetjet arkeologjike konstatohet se fisi i Pirustëve ka fillesat aty nga shek. VIII pr. K.
Ptolemeu, gjoegraf i njohur i shek II, i vendos Pirustët në lindje të Durrësit, që i përket territoreve: Kurbin, Lezhë, Mirditë, një pjesë e Matit, vazhdon me territoret e Pukës, Kukësit dhe gjer në Gjakovë. Ky është edhe sot territor i njohur i Pirustëve. Mirditasit janë pasardhësit e mirëfilltë të fisit të famshëm e trim të Pirustëve. (M.Logoreci, “Historia e kohës së vjetër” 1924, f.268)
Autor të ndryshëm shkruajnë se fisi i pirustëve ishte mjaft i gjërë i cili shtrihej që nga Mali Zi, me emrin Peraj, por me emrin Peraj është një lagje në Shkodër, etj.
Historiani antik Straboni, në shkrimet për rebelimin pirust kundër Çezarit, i vendos banorët pirust fqinjë me Panonianët.
Nga arkeologët shqiptarë mësojmë se: ”Nga fillimi i shek. I pr. K. muret e rrethimit të qytetit të Lisus (Lezha) kishin pasur dëmtime të rënda. Fuqia mbrojtëse e tyre ishte dobësuar. Ndërkohë Lisi rrezikohej me sa duket nga lëvizja kryengritëse e Pirustëve. Ishin ndofta pikërisht këto rrethana pasigurie që e detyruan Këshillin e Dekurionëve të qytetit për të marrë masa urgjente mbi riforcimin e sistemit të mbrojtjes së tij”.
( “IIRIA”, II, f.242)
Nga këto rreshta del qartë qëndresa e fisit të Pirustëve, të cilët ishin të organizuar e të aftë ushtarakisht të ndërmerrnin sulme që rrezikonin rënien e një kështjelle e pushtuar nga romakët, si ajo e Lisus, (Lezha e sotme).
Historia e shkruar, Pirustët i përmend në vitin 54, kur u rebeluan kundër romakëve, në kohën kur Çezari ishte në fushatën kundër Galisë.
Pirustët nuk përmenden në dy luftërat e para romake, kur ata ndjeheshin të lirë, nuk përfillnin ligjet e dekretet Romake dhe jetonin e qeveriseshin me zakonet e tyre. Ata ishin tërhequr e jetonin në male.
Në vitin 6 të Erës Sonë, Bato i Desidiatëve bëri aleancë me Pirustët dhe me fise të tjera ilire kundër Romakëve, për tre vjet me radhë në kryengritje, deri në vitin 9 te Erës Sonë.
Romakët, me ushtri të shumta sulmuan ashpër kryengritësit ilirë të cilët nuk përballuan forcat e shumta romake.
Kryengritja u shtyp egërsisht, por ishin Pirustët të fundit që rezistuan.
Nga studimet e deritanishme, bazuar në shkrime të besueshme të marra nga shumë burime, del se treva e Mirditës (Pirustët) që para Erës së Re, ishte e njësuar me Dardanët.
Nga gjetjet arkeologjike del se në këto vise ka një areal kulturor e qytetërues me veçanti mjaft të përcaktuar, njësi e mëvetësishme etnologjike, kulturore e gjeografike me Rrafshin e Dukagjinit dhe Dardaninë.
Shovinistët serbë këta banorë i mbajtën të ndarë me kufinjë midis tyre. Në vazhdën e këtyre ndarjeve artificiale popullsia e ruajti ndër shekuj ndërlidhjen (me gjak e tradita) midis Shqipërisë dhe Kosovës.
Prof. Dr.Mark Tirtja ka përcaktuar drejt e në mënyrë shkencore përkatësinë etnike të Shqipërisë së Epërme dhe të Rrafshit të Dukagjinit. Ai thekson: “Hasi (Pashtriku) i Gjakovës, që para pushtimit osman, ka qenë njësi e mëvetësishme kulturore e gjeografike në fqinjësi, si një vis ndërlidhës në mes malësive të Shqipërisë së Epërme dhe Rrafshit Dukagjinit. Kështu Shqipëria e Epërme dhe Rrafshi i Dukagjinit janë njësi e mëvetësishme kulturore dhe gjeografike, ndërlidhëse, me një etnokulturë mjaft të pasur.” (M. Tirta “Panteoni,Simbolika-Doke e Kode, f. 318.)
Në vërtetim të saj vjen dhe Nopça, i cili jep shpjegimin e pranuar nga Çabej se emri i Dardanisë, që shpjegohet nga fjala shqipe Dardhë, ka një binjakëri me Pirustët. Përkthimi latinisht i emrit Dardhë do të thotë “Pirus”.
Edith Durham shkruan: “…Kam kaluar afër Prizrenit më 1903. Kishte emëra të përzier: Krusha (serbisht) e Vogël (shqip), ndofta tani që u është dhënë serbëve, quhet Krusha Mala (Dardha e Vogël)…”, që vjen në dobi të këti studimi.
Një tjeter argument gjendet në hartën e P. B. Bertius, hartograf i Luigjit III të Francës. Ai shënon Pirustët mbi Drin dhe thekson se ata janë shqiptarë. Emri “Pirus” gjendet gjithashtu në një botim të Ptolemeut, 1462…që korrespondon me Shqipërinë e sotme, ato vende që quhen “Dardhë”. Pirus është vetëm forma latine e emrit Dardhë. (Edith Durham,”Brenga e Ballkanit” f.508).
Duhet përmendur edhe gjerësia e shtrirjes së kësaj treve e cila mund të gjasohet me etimologjinë e emrit Pirust. Ptolemeu në hartat e tij na e paraqet me emrin Prushnik. Por është dhe Mali Pashtrik e mund të përbëjë kësisoj një “homonim”.
Kështu areali i fisit të Pirustëve nuk del i kufizuar vetëm me popullsinë e trevës së Pirustëve (Mirditë), por më i gjërë, në brendi të territorit të Dardanëve, gjë që e bën më të besueshme lidhjen e tyre.
Gustav Mayer shkruan se prejardhjen e emrit të Dardanëve nga fjala “dardhë” duket se e vërteton edhe fakti se emëri Pirust, me të cilën romakët i quajtën banorët perëndimorë të Dardanëve, nuk ishte gjë tjetër veçse përkthimi latinisht i emrit të Dardanëve në “pirustal” nga “pirus” që do të thotë “dardhë”. ( Gustav Mayer. Etimologisches worterbuch der Albanesischen Sprache Strqasburg 1891)
Duke qënë Pirustët metalurgë të zotë, nga fillimi shek. I, pas K. perandori Romak Trajan, transferon për në Daki mbi 5000 familje, me specialist minatorë dhe shkrirës të metaleve. (Kuvendi I. Ilir”, f. 157)
Emri Qafa e Prushit (Pirustit) edhe sot në hyrje të Gjakovës, shenjohet duke qenë edhe në tabelë rrugore me emrin “Qafa e Prushit”
Natyrshëm është vijimi i territorit të Pirustëve, që vjen në dobi të bashkësisë së trevës së Dukagjinëve (Pirust e Dardan). (”Kuvendi I. Ilir”, f. 157)
Midis fshatrave Gojan, Gjegjan dhe Dom në Mirditë (lugina e Fanit të Madh) është një kodër, e cila quhet “Kodra Pirus”. Nga veriperëndimi fusha quhet “Fusha Pirus” dhe toponime të tjera vertetuese.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.