Lexova me vëmendje poezitë e shkruara nga Klodiana Plaku dhe më bëri përshtypje pozitive derdhja në vargje e shqetësimeve të kësaj poeteje, të një dashurie e cila nëpërmjet përplasjeve e dallgëve të jetës, konsolidohet, bëhet më e fortë dhe më e qëndrueshme.
Kjo është e bukura e mrekullueshmja e këtij libri të veçantë e cila përcjellë: mësim, edukim dhe jetë. Të bën përshtypje se një grua, nënë me fëmijë, e cila përballon gjithë ngarkesën e familjes, punon në një biznes dhe ka vullnet tillë, gjen kohë dhe mundësi të shkruaj poezi. Kjo është një shembull që tregon mundësitë e çdo kujt e veçanërisht të grave e vajzave që të merren me letërsi, me këtë gjini të bukur të letërsisë shqipe.
Kur të lexoni këtë libër do të shikoni si shpaloset jeta në diskurset e kontradiktat e saj për ti eleminuar ato ,dhe për të ndërtuar e vënë në shina çdo gjë të bukur të jetës.
Aty në vargjet e poezive lexon angazhimet, përpjekjet, dështimet, e sërish ringritjen dhe sodit arritjet në konsolidimin dhe vazhdimin e jetës normale të të dashuruarve, bashkëshortë që ja dolën!
Ata krijuan familje dhe jetojnë duke përballuar bashkërisht jetën e brishtë në vorbullën e preokupacioneve familjare të kohës.
Poezitë janë ndërtuar në vargje të rregullta, të rimuara dhe mbështetur në poezinë tradicionale shqiptare.
Stili i kësaj poeteje të re është interesant. Në vargjet e poezive sa vjen e rritet ndjesia poetike, sikur gurgullon gurra në kohë shirash dhe shtohen ujërat, dhe gurra oshtinë fort në kushtet e krijuara të motit dhe herë-herë të ftohtë acar.
Klodiana Plaku nëpërmjet poezive shpalos specifikën e të rinjve të emigruar jashtë Shqipërisë dhe vuajtjet e tyre për të gjetur një punë të rëndomtë, për të mbijetuar dhe pamundësinë e jetesës normale me shumë halle e preokupacione që linte pas dashurinë rinore.

Poezitë e saj nuk janë krijimtari poetike të zakonshme vetëm për të shpalosur vlera estetike, artistike, etj etj. Kjo krijimtari del nga shpirti i vuajtur i të rinjve që iu shpërthen nga zemra për ato dëshira që luftojnë me pastërti për të ngritur folenë e dashurisë edhe në kushte aq të vështira të emigracionit.
Këtu qëndron edhe vlera letrare dhe edukative e këtyre poezive të çiltra, të dashurisë së pastër, dashurisë së vërtetë në jetën bashkëshortore. Në këto poezi shihen lëkundje mos besimi tek reciprociteti bashkëshortor, një dashuri e pambrojtur, por e ndërtuar, e konsoliduar dhe e mbështetur në traditat më të mira të shqiptarisë me synimin për të krijuar një familje të shëndoshë shqiptare.
Oshilacionet, dështimet, ringritjet, arritjet, etj etj, që duken e spikasin fort në vargjet e kësaj poeteje, janë një pasqyrim real i artit të gdhendur me kujdes, hapur dhe me sinqeritet ashtu siç e ndjejnë dashurinë e tyre të rinjtë në kushtet e emigrimit e tranzicionit politik, ekonomik te shtetit shqiptar.
Ndonjë poezi fshikullon edhe dobësitë, e të rinjve që nuk e vlerësojnë dashurinë femërore, të angazhuar shumë me punët e problemet emergjente të jetës, duke harruar dhe shpërfillur ndjenjat e vajzave të cilat kërkojnë risinë për të gjetur një dashuri të vërtetë për të krijuar një familje të qëndrueshme.
Nga ana tjetër ka ndonjë poezi që thërret me trishtim se bota e sotme shqiptare në rrethanat e krijuara për arsim dhe punë, janë të pa sigurta e të pambrojtura për një moral të lartë bazuar në traditat tona të bukura shqiptare.
Ne këtë libër do të shikoni në vargjet poetike çiltërsinë e hapur dhe dashurinë e ngjizur të jetës në lidhjen bashkëshortore!
Ritheksojmë se Klodiana Plaku vazhdon të shkruaj poezi që tregon se krijuesit në letërsi nuk i pengon asgjë për të shpalosur idetë e tyre në dobi të shoqërisë.
E urojmë poeten e re Klodiana Plaku për librin e saj të parë të shkruar me pasion dhe me vlera të rëndësishme edukative dhe të vazhdojë me sukses krijimtarinë e saj letrare!