Faleminderit Profesor Qazim Shehu.
Mirënjohje dhe Respekt , për Vlerësimin që më bëni ,me shkrimin tuaj analitik për Librin Tim..

,” RRËNJËT E SHPIRTIT” Botuar në “.Nacional,,
DENDURIA E FJALËVE NË QERTHULLIN LIRIK TË SHPRESA DHIMËS
Për vëllimin poetik:”Rënjët e shpirtit”
Nga QAZIM SHEHU
Shpresa Dhima shfaqet poete interesante me zërin e vet origjinal,veçmas në vëllimin poetik”Rrënjët e shpirtit”, të publikuar kohët e fundit nga shtëpia botuese “Nacional”.Poete me zërin e vet,ajo vjen me një lirizëm të butë dhe këndellës e njëherit me një denduri fjalësh që të krijojnë fluksin e një pështjellimi të ajërt ,plot ëmbëlsi, delikatesë e ndjesi të buta.

Poetja i këndon dashurisë, dhimbjes ,së kaluarës, të tashmes, jetës, largësisë ,përjetimeve të çasteve të ndryshme, duke zbuluar nga e zakonshmja atë çfarë ajo s`ka mundur ta tresë në banalitetin e vet. Kështu, ajo sjell një poezi që, në dukje, ta krijon përshtypjen e një overture, pjese hyrëse në gjërat që nuk duken, por, me pak vëmendje, bëhen të afërta dhe të tejpashme.
Shkrova dhimbjet e veten thërrmova
Më bloi dashuria si elbi në mokër,
Dashurinë mes qiellit e lulesh e gatova
E vadita me lot, por s’dha fruta e kokërr
U tunda arsyes e fort klitha dhe fola…
Kjo vetëndjerje gati Safojane ,ku dashuria ndihet si një mekanizëm eterik që bluan, nuk shpreh tjetër veçë trysninë e saj të ëmbël dhe atë përmasë të saj që ndërtohet dhe zgjatet nga qielli në tokë e asnasjelltas dhe njëherit e fiton gjerësinë e kuptimit filozofik dhe të perceptimit të saj.Dashuria nuk mund të kuptohet pa dhimbjen,çka shpreh forcën e saj tunduese që shkundullon shpirtin delikat të poetes;ajo merr trajtë e frymë:
Më duket …
Se brenda meje, ti je..
E në çdo qelizë timen
Ti lëvrin…
Në çdo rrahje të zemrës,
Ti pulson..
Unë dhe ti, jemi një
Dhe jeta merr jetë nga ne.
Ky kuptim i dashurisë lidhet me atë që poetja e quan me “tundje të arsyes”,shkundje të saj ,për të kuptuar se ndjenja jo gjithnjë gjendet e pakontrolluar dhe ajo i drejtohet kuptueshëm dhe në bindjen se ajo shkrihet, jetësohet me të, e kënaqur se jeta merr jetë vetëm nga dashuria. Në këtë kohë të thatësirë morale globaliste,në këtë kohë të deformimeve morale,të stisjes dhe të arratisë së shpirtit nëpër shtigje të humbura,mesazhet e poetes janë të qarta dhe bindëse; poetja vijon:
Buzëqeshja më endet në fytyrë
Binjake me rrezet ngjan
Dita nis e vrapon
Kalon ajo fluturim
Dielli nis të largohet
E rrezet humbasin shkëlqimin
Ajo evidenton atë që quhet mungesë e dashurisë ,çka shihet qartë në vargjet e misipërme, ku kontrasti është i dukshëm dhe transmetohet përmes nëntekstit dhe asosacioneve mendimore që kërkon rreshtimi i thjeshtë i fjalëve.Por poetja është e palëkundur në përjetimin e saj ndiesor, ndërsa shprehet:
Eja sonte këtë natë vetmitare
Qiellit, yjeve, deteve a maleve
Më shuaj këtë zjarr sa dhjetëra vullkane
Puthmë, mbështillmë gjoksin mes krahëve.
Eja, hymë shpirtit tim përtharë
Çelma sythin e dashurisë, tharë ngricës vetmi.
Vetmia stresi,delir i një jete që nuk mund të ndërtohet tjetër veçse me dashuri,është një tjetër shtysë motivimi dhe dëshirë për t`iu rikthyer dashurisë ,si e vetmja rrugë shpëtimi,si e vetmja rrugë e drejtë.Dashuria si ndjenjë ose ndjenja që përjetohet si forcë e dashurisë për jetën,shtresëzohet në kujtime,vërehet me një intesitet të përshkrimit artistik,thjesht e pa bujë në vargjet e mëposhtme:
Mpleksur kujtimet, ndër vitet e jetës
Mallit të dhimbjes, brengës, dashurisë
Fshehur thellë shpirtit në pusin e shpresës
Klithën të prehen vargut të poezisë
Ashtu të pastra, ruajtur kujtesës .
Ky vetëreflektim i këndshëm sillet në poezinë e Shpresës me një dalldi të vetëpërmbajtur që gjurmon në tërësinë e viteve dhe konkludon se dashuria më e madhe mbetet poezia,e vetmja dashuri që nuk e zbeh forcën.Që të sjellësh emocionet në një denduri të tillë fjalësh që vijnë spontanisht,pa kërkime e mundime,mund të trhemi se Shpresa mbetet poete spontane, e natyrshme,me poezinë e saj krejtësisht të brishtë,por që e gjen forcën te mënyra realizuese,shenjë talenti.Ajo ka një besim të vetvetishëm se poezinë nuk e huazon nga një sirtar i harruar,as nga herbariume të thara,por poezia mbetet tek ajo si një burim ndjesish që rrjedh gjithnjë nga forca e shpirtit .
Mes botës tënde mbolla ëndrrat
Me tërë yjesinë i mbështolla
Mes botës tënde kurrë s’u tremba
Kurrë nuk qava, kurrë s’lotova
Veçse buzëve, rrjedh vetëm kënga
Nga vargjet e librit poetik”Rrënjët e shpirtit”mund të sillnin një mori pafund gjendjesh poetike të bukura; por kaq mbeten të mjaftueshme për të kuptuar tharmin e poezisë së Shpresa Dhimës, një poete pa bujë,e heshtur ,por imponuese dhe me një denduri fjalësh që rreshtohen hijshëm dhe mbushin folezat e mendimeve, si ato zogjtë e vegjël.Poezia e saj e vendos unin lirik në përjetimin e çasteve të thjeshta dhe i thërret vetëm universit të ndjenjës, duke zbuluar magjepsje të saj,kështu ajo ka një bukurtingëllim ndiesor në heshtje, dhe një ngjyrosje të beftë si lulet e para të qershisë.Nuk ka një gjendje shpirtërore me një ankth gri,po një gjendje shpirtërore që, përmes ankthit të lehtë, përhap dritën e dashurisë dhe të forcës së ndjenjës. Shkruhet me varg të lirshëm dhe herë e respekton organizimin strofik e herë jo,por gjithmonë duke ruajtur ritmin dhe tonalitetin e shprehësisë lirike dhe të besueshmërisë së shprehjes poetike; hollësitë psikologjike, llojshmëria e emocioneve, regëtimat e zemrës dhe vibrimet e holla të ndjenjave e dallojnë atë, larg çdo impozimi të thatë dhe manisë për t`u dukur,por që,në të vërtetë ,nuk mund të të lerë të mos e shohësh këtë poezi të tonaliteve të buta dhe të një lirizmi subtil.
Denduria e falëve nuk është ngutje as shenjë që vjen nga ndonjë sforcim,përkundrazi fjala tek ajo s`vjen e kërkuar,por e gjetur,e qëmtuar vetvetiu,larg çdo manierizmi.Vështrimi që ndalet te gjërat e thjeshta,te njerëzit,te të afërmit,vendlindja,kujtimet,te dashuria si koncept dhe frymë, nuk është një vështrim hetues,për të gjetur ndonjë gjë të jashtëzakonshme,por një vështrim që vjen nga përvojat dhe nga pozicioni i njeriut që jeton intensivisht me jetën,me artin dhe që e shikon botën me humanizëm,larg çdo paragjykimi.Vargjet ruajnë linearitetin,nuk kanë thyerje të mëdha,ato vijnë si një monolog lirik mbi përsiatje të ndryshme, duke arritur në kufirin e një trandeshence që përcillet si një tym i kaltër i çlirimit të tokës në një mëngjes të pastër e të freskët.
Si një poezi brendacentrike,poezia e Shpresës dallon në vërtitjen e ngjyrave të ngrohta dhe të buta, duke e përcaktuar poezinë e saj në binomin: mendim dhe ndjenjë.