8.5 C
Tiranë
E enjte, 26 Mars 2026

Nga SAKIP CAMI

Nga cikli: ngjarje të vërteta

5. Gjenerali

Një miku im nga Tropoja më ka treguar:”Aty rreth vitit 1960 u bë një stërvitje e madhe ushtarake në Tropojë.

Një grup ushtarakësh, në mes tyre një gjeneral që mbante gradën e gjeneral leitnantit dhe detyrën e zv. Ministrit të Mbrojtjes erdhi në shtëpinë tonë në Tropojë të vjetër.

Gjenerali njihej nga uniforma që shkëlqente dhe shiritat e kuq e të mëdhenj. Vëllai i madh u hapi derën e madhe të avllisë dhe i ftoi në shtëpi.

-Do ta pijmë një ujë të ftohtë, tha gjenerali.

-Shpejt merr një sapllake dhe një gotë, më urdhëroi vëllai i madh.

Ishim vetem ne të dy, unë dhjetë e vëllai i madh dymbëdhjetë vjeç, por duhet të prisnim miqtë njëlloj sikur të ishte baba.

-Hyp në mollë e na mblidh do mollë se sapo janë pjekur, vazhdoi me urdhërat vëllai i madh.

Ushtarakët e lartë nga Tirana pinë ujë të ftohtë bjeshke dhe hëngrën mollë me aromë mali dhe dolën të kënaqur.

…Kaluan shumë vite. Unë shkova ushtar dhe më mbajtën nënoficer në ushtri. Shërbeva jo pak, por deri kur dola në pension.

Atë ditë dhjetori të vitit 2004 zhvillohej një ceremoni për 85 vjetorin e gjeneral Rrahman Parllakut. Një grupi ushtarakësh që po dilnim në pension na shpërndanë certifikata mirënjohje. Kur më erdhi mua rradha të tërhiqja mirënjohjen, ministri i mbrojtjes tha:”këtij tropojanit do ja japë gjeneral Parllaku.

Gjenerali mu drejtua: “ Nga çfarë vendi në Tropojë je ?

-Nga Tropoja e vjetër, ju përgjigja unë.

-Po unë kam qenë në shtëpinë tënde në vitin 1960, kur bënim atë stërvitjen e madhe. Cili je ti, ai që hypi në mollë, apo ai tjetri?

-Unë jam ai që hypi në mollë …

Kishin kaluar 44 vjet dhe gjenerali mbante mënd edhe detajet e vizitës së tij në shtëpinë time, mbylli tregimin miku nga Tropoja.

“””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””

PLAGA E HARRUAR E SHABAN DERVISHIT
(Shaban Xhafer Dervishi i Katër-Grykëve të Dibrës, plagosur dy herë në luftimet kundër serbëve)
Nga SAKIP CAMI
U lind në fshatin Lukan të Katër-Grykëve, më 10 nëntor1890. Me ndjenjat e atdhedashurisë, u mëkua nëpër oda në të cilat ai shërbente si hyzmetçi në raste të veçanta, kur ishte në moshë të re.
Fisi Dervishi i Lukanit të Katër-Krykëve ishte një fis me tradita trimërie, mikpritje, bujarie e burrërie. Shabani u rrit dhe luftoi për krah xhaxhait të tij, Avdiut, luftëtari që mori katër plagë dhe ra dëshmor në fushën e Ohrit.
Burrat e Katër-Grykëve me komandant Llan Destani (Ndregjoni) e me luftëtarë si Lam Tahiri (Bruçi), Shaban Xhafer Dervishi, Avdi Dervishi e të tjerë i gjeje kudo dhe kurdoherë që kishte nevojë atdheu.
Ishte shtatori i vitit 1913. Në Dibër u hodh kushtrimi për të mbrojtur trojet shqiptare nga serbët dhe grekët nëManastir, Ohër e Strugë.
Një pjesë e fuqive dibrane nga qyteti i Dibrës dhe Reka që kishin si prijës, përveç krerëve të Dibrës me Hajredin Pustinën, dhe disa oficerë shqiptarë të karrierës, shkoi në Manastir dhe më pas në Follorinë për t’u përballur me ofensivën e ushtrisë greke drejt tokave shqiptare.
Ndeshjen me forcat greke prej 40 000 vetash ky grup e zhvilloi në Banicë, ku luftuan heroikisht dhe i prapsën sulmet greke por edhe vetë lanë mjaft të vrarë.
Pas tërheqjes së detyruar drejt Manastirit, dy fuqitë dibrane luftojnë në Ovak e Preblicë me forcat serbe të cilat kishin zënë malet Babunë me pozita shumës strategjike për Manastirin, duke u përleshur deri thikë me thikë.

…Batalioni, ku bënte pjesë Shabani dhe bashkëfshatarët e tij mori detyrën për të luftuar ne Ohër, ku në fushën e betejës u veçua për guxim dhe trimëri. I ridhe i fortë, i gjatë si lis luftonte në krahtë xhaxhait, Avdiut, i cili mori katër në plagë në këtë betejë.

-A besë a besë !Bini burrat dushmanit !Zoti qoftë me ne !-ushtoi zani i Bajram Bucit( Hoxhë Bucit), udhëheqësit të tyre shpirtëror që nga Lidhja e Prizrenit.

-A besë-besë!-thirri edhe Shaban Xhafer Dervishi.- A besë a besë!-Thirri Shaban Margjoka nga Kacnia. Vetëm pas disa minutash Shaban Margjoka goditet dhe vritet nga plumbat dhe mortajat serbe. Shaban Dervishi e kishte në krahë dhe ja mbylli sytë. Në krah të tij vetëm disa metra larg vriten SeferBodini, Hoxhë Bodini. Pak minuta më parë ishte vrarë edhe i biri i Seferit, Mustafa.

Por dhimbje më të madhe ndjeu Shaban Dervishi kur në krah të tij edhe xhaxha Avdiu mori katër plagë dhe nuk e ndihmonte dot. Ishte i ri dhe nuk e kishte kuptuar se edhe vetë ishte plagosur dhe kishte marrë dy plumba.

Shabani jetoi gjatë dhe këtë betejë dhe të gjitha luftërat që kishte marrë pjesë, në Shkodër, në Ohër, Në Lumë, në Vlorë i tregonte vetë me përpikmëri pa harruar edhe detajet.

Në betejën e Ohrit Shabani mbeti pa ndjenja, gjysmë i vdekur dhe shokët e tij menduan se ishte i vdekur. Ata morën armët dhe sendet e tij me vlerë dhe i nisën për në Lukan, ku ia dorëzojnë xhaxhait të tij, Seferit. Në shtëpi u hapën dyert e mortit për djalin që kish mbetur i pajetë në luftën e Ohrit.

Shabani përmendet. I plagosur rëndë shikon që ai ka mbetur i vetëm ne fushëbetejë. Mbledh zorrët e dala dhe me dorën e zhuritur i fut brenda në bark. E mbështjell barkun fort me brezin e malësorit. Rreth e rrotull tij vë re që kali i komandantit serb ishte pranë komandantit serb që ishte i vdekur. Ndërkohë Shabani tërhiqet zvarrë dhe e kap kalin. Pasi i ngjitet kalit udhëton gjithë natën deri në hyrjen e qytetit të Strugës. Në hyrje të Strugës, Shabani lëshon kalin teksa ecën duke u mbajtur nëpër muret e avllisë.

Siç tregonte dhe vetë Shabani, ashtu i plagosur mundohej të kërkonte ndihmë teksa me zë të ulët pëshpëriste: “A ka ndonjë shqiptar që të shpëtojë një shqiptar të plagosur në luftë për mbrojtjen e atdheut?!”

Nga ana tjetër e murit ndodhej një djalë i ri i cili iu përgjigj thirrjeve të Shabanit duke i thënë të kalonte në anën tjetër. Shabani në pamundësi për të lëvizur më tej iu përgjigj se nuk mundej. Djali i erdhi në ndihmë duke e mbajtur prej krahu derisa e mori brenda shtëpisë së tij.Kjo familje shqiptare e Strugës, babai dhe xhaxhai i djalit që e strehoi, i shërbyen gati një muaj derisa u shërua.

Teksa bëhej gati të nisej, plaku i shtëpisë i tha të maskohej. I maskuar si lypës zbriti në Shehër të Dibrës dhe doli në Viçisht. Atje arriti tek byrazerët e tij, në shtëpinë e Cameve. Ata e kthyen ardhjen e Shabanit në një dasmë. Pas 3 ditësh ata u mblodhën dhe e çuan me kuaj deri në Lukan. Atje u hap lajmi që Shaban Dervishi është gjallë. I gjithë populli u ngrit duke gjuajtur me armë nga gëzimi. Në shtëpinë e tij në Lukan u bë festë e madhe.

Shabani mori pjesë në shumë luftëra të tjera. Ai shkoi në luftën e Karadakut në Mal të Zi bashkë me luftëtarë të tjerë. Në foto është i veshur me uniformën e oficerit në luftën e Vlorës. Gjithashtu ai luftoi në beteja edhe kundra nemces.

Në luftë kundër pushtuesve grekë ranë më shumë se 30 dibranë nga Dibra e Madhe, Malësia dhe Topalltia, ndër to: Fuat bej Kulla, Xheladin Kuka, Hasan Stërmilli, Izet Haziz Dema, etj.

Në Manastir gjithashtu pati shumë dibranë të rënë në luftë. Disa prej të rënëve në Follorinë e Manastir janë njohur si dëshmorë të atdheut si Ramë Duka (Shtushaj), Rrahman Xheleshi (Mazhicë), Hasan Hidri (Pocest), Qerim Sula (Allajbegi), Rrahman Çupi (Vojnikë), Rrahman Tollja, Ali Kostenja, Sadik Demiri, Xhabir Sejdini (Striçan), Jashar Disha, Hasan Lila, Ismail Qorri, Sadik Balliu, Selim Loka, Ymer Margjoka, Dalip Demiri (Sopot), etj.

Në fushën e Orizares në Manastir ranë dhe dy imamët e qytetit të Dibrës së Madhe: Jusuf efendi Skikuli, Osman efendi Langu dhe kapiten Aqif Rusi. Në Preblicë u vra i riu Habedin Dema nga Homeshi.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.