
KUSH E POROSITI VRASJEN E ESAT PASHËS?
(Grimca historie, që nuk thuhen )
Aqif Pasha i Elbasanit, armik i betuar i Esat Pashë Toptanit, në mbështetje të vendimit të përbashkët ndërmjet tij dhe Ahmet Zogut, kishte thirrur bashkëpunëtorin e tij të ngushtë, Salih Çekën nga Çamëria, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, të cilit, mbasi ia kishte rrëfyer në mirëbesim vendimin, duke shpjeguar domosdoshmërinë e vrasjes së Esat Pashës, nga shkaku se ai e dinte si bukën që do të hante se do të kthehej në Shqipëri, ai nuk kishte për t’i lënë më në fuqi udhëheqësit shtetërorë të qeverisë së tashme.
Salih Çeka, ndërsa po merrte porosinë për vendimin e vrasjes së Esat Pashës, i shkoi nëpër mendje Avni Rustemi, ish-nxënësi i tij te Normalja e Elbasanit. Aty për aty, iu përgjigj Aqif Pashës se:
“E njoh një djalë të ri libohovit, guximtar, por të tipit nervastenik dhe të dhënë me fanatizëm pas idesë së nacionalizmit, të cilin, sikur ta thërrisnim në praninë tonë e të Ahmet Zogut dhe t’ia sugjeronim nevojën e vrasjes së Esat Pashës, me frymën e një vetëmohtimi që sot po e kërkon zani i atdheut për ta shpëtue nga rreziku që po të vinte prej këtij personi, jam më i sigurt se, sesi një djalë i padjallëzuar dhe i çiltër që është, i ndikuem prej fjalëve tona, do t’i mbushej mendja, bile me mburrje, do ta pranonte marrjen përsipër të kryerjes së këtij atentati.”
Dhe kështu ngjau, sepse, kur e thërritën dhe ia bënë këtë propozim, të mburrun se me këtë akt kishte me i sjellë një shërbim të madh atdheut, ai menjëherë iu ishte përgjigjur këtyre se e merrte përsipër, me plot gëzim, këtë mision që po ia ngarkonin, megjithëse, siç po ia shpjegonin, atdheu qenka në rrezik prej tij.
Mbasi u plotësuan formalitetet përkatëse të pasaportës dhe iu dhanë instruksionet e rastit, Ahmet Zogu, nga ana tjetër, i pagoi një shumë të hollash për shpenzime udhëtimi e të tjera, tue ia dorëzue këto, me anë të vlonjatit Ali Asllani, atëherë shef seksioni në Ministrinë e Punëve të Jashtme, më vonë ministër diplomatik.
Dhe mandej, Avniu u nis, ku ai, pa kuptue gja nga intrigat politike që po luheshin për hallin e kolltukut, por me bindjen e tij plot sinqeritet se po kryente një detyrë të shenjtë patriotike.
Nuk vonoi dhe, një ditë prej ditësh, ia numëroi Toptanit të gjashtë plumbat e nagantit, tue e shembë për tokë, mu përpara hotelit “Kontinental”, në Paris.
Kështu, pra, ai e zbatoi këtë vrasje nën ndikimin e këtyre shtytësve, si edhe të vetëdijes së vet, njëkohësisht. (Xhemal Kusi SHQIPËRIA NË VITET 1912- 1944 KUJTIME FQ 243.244)



GJAKU I KAPEDANVE
(Dritare historie )
Gjon Maku i Vjetër pati vdekë në muret e Peqinit. Ai la tre djem. Njeni prej tyne vdiq pa lanë gjurmë. I dyti pati një djalë, prej të cilit rrodhi dega e Preng Mark Kolës, gjyshit të cilit iu pre koka me urdhën të Mehmet Pashës.
Djali i madh i Gjon Markut u quajt Preng Lleshi (Pjetër Aleksandër). Ai ndoqi udhën e të atit, si luftëtar sy pa trembun, dhe la tre djem: Preng Lleshin, Dedë Lleshin dhe Lleshin e Zi (Aleksandri i Zi).
Preng Lleshi, si djali i parë, u ba prijës i Mirditës dhe u bashkue me Mahmut Pashën e Shkodrës në sulmet e tij pushtuese në Malin e Zi, ku Pasha u vra.
Pas nënshtrimit të Shqipërisë së Poshtme nga Ali Tepelena, Preng Lleshi u vu në shërbim të tiranit të Janinës. Në mbështetje të tij dërgoi djalin e vet, Dodën, dhe një armatë të fortë mirditore, të komanduem nga i vëllai i tij, Lleshi i Zi.
Trimëria dhe sukseset e bënë të famshëm, saqë pas tij shkuen jo vetëm mirditorë, por edhe matjanë e dibranë, të cilët luftuen në gjithë Rumelinë, të mbështetun e të paguem nga bejlerët e pasun.
Prengë Lleshi vdiq nga një plagë të marrë prej turqve pranë Spasit. Preng Doda trashëgoi pushtetin e tij. Pasi luftoi nën urdhnat e Ali Pashës, shoqëroi Mustafë Pashën në More.
Thuhet se Marko Baçari u vra në çadrën e tij nga mirditori.
Preng Doda i vdiq i helmuem nga një grua myslimane e Shkodrës. Ai ndërroi jetë në Kotorr, ku kishte shkue për të gjetë kurim.
Preng Dodën e kanë lëvdue si prijësin ma të moderuem, ma inteligjent dhe ma njerëzor të Mirditës.
Pas vdekjes së tij, pushtetin e mori Lleshi i Zi, i shquar në Shqipëri për guximin e tij të paepun, por që shpesh ia zbehte shkëlqimin mizoria e tij.
Një ditë, Lleshi i Zi vrau të nipin pas shpine, në çastin kur ky po lante duert, për t’u ulë në sofër. Pa u mbushë një vit, gruaja e të ndjerit, Nikllë , vrau Lleshin e Zi gjatë natës.
Lleshit të Zi nuk i mbeti asnjë mashkull që t’ia merrte gjakun. Prandaj, gruaja e Lleshit pagoi vrasësit, të cilët hoqën qafe djalin e Gjon Markut.
Nga dera e Preng Lleshit mbeti vetëm Preng Bibë Doda, që u ba kapedani i Mirditës.
Nga Dedë Lleshi dhe vëllai i tij, Lleshi i Zi, mbeti Kapedani Gjon, i cili trashëgoi egërsinë e gjyshit dhe u ba tmerri i vendit.
(Hyacinthe Hecquard, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegnisë, fq. 226–227.)