Dëgjoj muzikën time të preferuar, pastaj mbyllem në vetvete e përhumb meditimit, që përafron e sjell imazhe të pafundme në memorien time.
Përthith thellë kohën, shijoj një ndjesi të çuditshme brenda vetes, ku shpesh ndihem larg realitetit të përditshëm.
Përjetoj si në ëndërr, marr frymë, mendoj gjëra të bukura plot shkëlqim e dritë dhe ndiej emocione të papërsëritshme.
Vështroj si ngjyrat bëhen më të theksuara, më fluide e tejçuese, ndërsa notat muzikore më kumbuese, më thirrmuese dhe e lëshoj veten në këtë akuartitet të krijuar.
Mbaron kënga, merr fund udhëtimi im imagjinar, ndërsa realiteti jashtë digjet poshtë rrezeve pingul të diellit. Para syve të mi deti i madh e mistik, dashuria ime e përjetshme, i cili valëzon masivin e tij blu në krehje të valëzimit flokë.
Jam bashkë me “My sweetheart” shtrirë në rërën e nxehtë, ku bisedojmë për gjëra të çastit, i jepemi plogështisë nën përkushtimin e përhershëm të rrezeve të diellit.
Trupat femërorë me linja të bukura, veshur me bikini tërheqin shikimet e ndezura mashkullore e nxitin në fantazinë e tyre dëshira të fshehta. Dielli nuk harron të shkojë drejt perëndimit, ul fuqinë e rrezeve, stërgjat hijen e lehtë, ndërsa ne mbledhim gjërat e plazhit. Rëra dhe uji marrin puthjen e mbrëmjes, ndërsa muzgu zbret i qetë bashkë me vellon e verdhëlleme të shfaqjes së yjeve. Ka erë dhe dallgë shkumëbardha që përplasen në breg. Dëgjohen goditjet e tyre dhe tërheqja më pas, si pas një beteje të përjetshme, që nuk merr fund kurrë. Bëjmë fotot e fundit përmes kësaj bukurie dritëthyer dhe jemi të magjepsur nga përmbyllja e ditës, përthithja brenda vetes e peizazhit të mahnitshëm.
Të dashuruar, rrëmbejmë nga një puthje dhe harrojmë mungesat në jetën e përditshme.
Nga sfondi i bareve dëgjohet sërish muzikë dhe do të dëshiroja që të vallëzoja në rërë, unë dhe ti, këtu ku valët prekin të etura bregun e lënë shpirtin peng, ndërsa veloret e bardha përkunden e lodrojnë mes flladit më të ngrohtë.