13.5 C
Tiranë
E premte, 7 Nëntor 2025

    NGA VLASH PRENDI

GJURMË TË IDENTITETIT HISTORIK NË FAQET E NJË LIBRI

= Duke lexuar librin “Fani dhe fanasit” tё studiuesit Llesh Ndoj =

 

Pas katër veprave monografike, që kulmuan me librin “Domgjoni  – Në dokumenta, gojëdhëna dhe histori”, lind një vepër e re nga dora mjeshtrore e studiuesit Llesh Ndoi, “Fani dhe fanasit – kështjellë e pamposhtur”, qe pa dritën e botimit këto ditë. Vepra në fjalë, përbën një material me shumë vlera për historiografinë shqiptare, bazuar në kritere shkencore dhe mbështetur fuqishëm në literaturë dhe dokumente arkivore për këtë krahinë të njohur, jo vetëm në Mirditë. Në këtë libër është përshkruar historia e zhvillimit të trevës së Fanit, si historia e formimit, zhvillimi ekonomik dhe kulturorё, traditat shpirtërore ёshtë dhënë si e gjallë jeta e mjaft figurave të shquara të krahinës duke iu përmbajtur fakteve dhe duke shtjelluar me kujdes nyjat e nderlikuara të ngjarjeve historike dhe jetësore. Në këtë monografi me vlera janë rrahur probleme të historisë së krahinës, të zhvillimit ekonimik dhe kulturorë, është paraqitur realisht jeta dhe veprimtaria e disa personaliteteve, në këtë kontekst autorit i është dashur të shfletojë materiale studimore, të gjurmojë dokumente historike, të konsultojë dhë bisedojë me deshmitarë dhe të moshuar të krahinës për zgjedhjen, interpretimin historik dhe shkrirjen e tyre unike në monografi.

Udha krijuese e studiuesit të njohur Llesh Ndoi ka nisur relativisht vonë, por pati një shperthim të menjëhershëm në shumë zhanre, si poezi, studime dhe monografi, vepra të cilat kanë ka ngjallur interes tek lexuesit e shumtë, para kësaj vepre kanë qëndruar me nderim brezat qe jetojnë dhe do tё qёndrojnё brezat qe do të vijnë. Veprat e tij në fushën studimore, janë libra ku gjëmon historia e lashtë dhë e sotme, e vaditur me djersë e gjak, qe tashmë ka hyrë në jetën e njerëzve dhe ështё bërë simbol i punës, luftës dhe veprimtarisë së tyre. Sa herë sjellim ndërmend Fishtën, kujtojmë librin “Domgjoni…”, sa herë sjellim ndërmend Domgjonin, kujtojmë shkrimtarin e njohur Hasan Hasani – Përkola, sa herë sjellim ndërmend Mirditën, kujtojmë veprën më të fundit të studiuesit Llesh Ndoi “Fani dhe fanasi, kёshtjellё e pamposhtur”.

Duhet theksuar se në këtë vepër, fakti historik është transformuar nga autori në material monografik, sepse është lidhur ngushtë me historinë, jetën dhe figurat e krahinës, është bërë një mbështetje e vërtetë për të shpjeguar drejt, jo vetëm të dhënat historike për Fanin, por edhe veprimtarinë, psikologjinë, botëkuptimin dhe evolucionin e mendimit të banorëve të asaj treve. Kur lexon këtë vepër, qe nga lashtësia deri në ditët tona, vetvetiu fillon e ndjen se si rritet para teje kosiderata pёr njё krahinë të tillë, plot tradita dhe figura e shumë patriotëvë qe dhanë gjithҫka për Fanin, Mirditёn dhe atdheun.

Duke qënë një njohës i thellë i problemeve të vendlindjes, i dukurive historike, ekonomike dhe politike, studiuesi Llesh Ndoi diti t’i derdhë mendimet dhe hulumtimet e tij në 388 faqet e kёtij libri me shumë vlera, qe kemi në dorë sot. Kjo vepër është sjellë nga autori jo thjeshtë për njohje, por si një material bindës historik, qe pohon rolin e pazëvendësueshëm qe ka luajtur Fani dhe bijtë e saj në ҫështjen kombëtare shqiptare, qe në periudhat e hershme të historisë. Historia e krahinës jepet në zhvillim, që nga lashtësia, deri në ditët tona, ndërsa figurat e personaliteteve më të spikatura të krahinës janë paraqitur me ngjyra reale dhe të ngrohta, nga ana tjetër vihet re se faktet jepen sipas kriterit kronologjik, por edhe sipas një strukture të studiuar, qe i përgjigjet pikësynimit ideoartistik të veprës. Nuk gabojmë nëse themi se epoka historike, sidomos kapitulli Origjina, emri dhe lashtësia, vjen në vepër si një panoramë historike, si një studim i mirëfilltë shkencorë, që lidhet me prejardhjen dhe vendosjen e banorëve të parë në Fanë dhe origjinën e tyre. Kështu autori ka korrur material arkivore për të dhënë fakte historike, mbi të cilat mban qëndrim dhe nxjerr përfundime. Kthimi i faktit historik në material monografik është padiskutim proces krijues i vёshtirё, sepse autori ynë në këtë rast kalon në procesin e sintetizimit të materialit historik, qё fillon nga detajet e veҫanta dhe konkrete, duke patur pikësynim ndërtimin e tërësisë monografike për një rajon të njohur, siҫ është Fani. Në këtë formë vjen para nesh edhe materiali monografik i studiuesit Llesh Ndoi, ku ndërthuren aq mjeshtërisht të dhëna nga fusha të ndryshme si historike, gjeografike dhe etnografike me pershkrimet historike e shpesh edhe letrare tё autorit. Studiuesi na njeh në vazhdim me pozitën gjeografike të trevёs sё Fanit, burimet natyrore, zhvillimin ekonomik, vlerat tradicionale dhe shpirtërore, deri tek figurat e njohura në Fanë dhë më gjërë, të cilat janë tipike për trevën e Mirditës. Interes të vëҫantë paraqet kapitulli qe u kushtohet figurave të shquara nga treva e Fanit, që kanë dhënë kontribut të shquar për ҫështjen kombëtare shqiptare. Figura të tilla si ajo e atë Gjergj Fishtës, Mark Ҫetës, Zef Kol Nokës, Anton Ҫetës, Prengë Tuc Dodës, Prengë Ndrec Prengës, Zef Prengë Lleshit, Llesh Prengë Tomës etj, janë pasqyruar me kujdes dhe dashuri nga autori. Por nuk harrohen edhe personalitete të tjera nga bota e letёrsisë dhe shkencës që kanë kontribuar për trevёn e Fanit, Mirditën dhe mbarë trojet kombëtare si: Hasan Hasani – Përkola, Zef Vorf Nekaj, Gjet Kaza, Zef Loka, Gjin Mark Doda, Nikollë Shyti etj, të cilët punuan me përkushtim në fusha të ndryshme, qe krahina e Fanit të njihej në arenën kombëtare dhe më gjërë.

Edhe shpёrngulja e fanasve nga vendlindja dhe vendosja e tyre në Lugun e Drinit, trajtohet në menyrë të veҫantë nga autori. Ҫështja e emigracionit ka ekzistuar gjatë gjithë periudhave të historisë në vendin tonë dhe shkaqet kanë qënë të ndryshme. Studiuesi Llesh Ndoi na bën me dije se emigrimi i fanasve ka ndodhur kryesisht për ҫështje ekonomike. Emigrimi filloi aty nga shek. XVII, ku u vendosën kryesisht në Klinë, Krushë të Madhe, Leskoc, Ranoc, Zllakuqan etj. Tërheqin vëmendjen disa familje dhe personalitete të njohura qe punuan për ҫështjen kombëtare si familja Marniku, familja e Nek Dodëve, Milici, Tanushaj, Xhuxha, Ramaj, Alia, si dhe dy figura tё njohura patriotike si Gjokë Domgjoni e Tomë Domgjoni të cilët nuk iu nënshtruan kurrë dhunës dhe robërisë shoviniste serbe. Vepra të tilla studimore dhe historike janë shumë të dobishme për edukimin atdhetar të brezave që vijnë, qe të ndjekin me besnikëri rrugën e lavdishme të paraardhësve, duke mos kursyer asgjë për t’i dalë zot fateve të atdheut dhe për të qënë kurdoherë afër dhe në sherbim të vendlindjes. Njohja e historisë së trevës dhe përpjekjeve të paraardhësve tanë për të mbijetuar, është një përvojë e vyer, që i ndihmon brezat e ardhshëm për të përcaktuar saktë rrugën e drejtë qe duhet ndjekur për të mbajtur gjallë frymën e dashurisë për vendlindjen. Vlerat librit ia shton edhe puna plot pasion e redaktorit, studiuesit të njohur dr. Nikollë Loka, recensentit dhe konsulentit, shkrimtarit të shquar kosovar prof. Mikel Gojani, të cilët kanë bërë një punë mjaft të kualifikuar dhe me vlera. Për idetë qe pasqyron, gjuhën, leksikun dhe shprehjet ndërkrahinore dhe problemet historike qe parashtron, vepra e studiuesit Llesh Ndoi ka vlera të pamohueshme historike, sepse kjo vepër hedh dritë mbi historinë e nisjes dhe zhvillimit të trevës së Fanit, një nga më të njohurat në Mirditë dhe në trojet mbarëkombëtarë shqiptare.

VLASH PRENDI

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.