E fort, Luljet i thua vetes, sepse duhet. Jo sepse s’lodhesh, por sepse ke zgjedhur të qëndrosh. Sepse je poete dhe poetët nuk kanë mburoja, kanë fjalë. Kanë ndjenja që i shpalosin në dritë të diellit, edhe kur dielli djeg. Ti frymon art, ti e jep shpirtin dhe e bën pasionin mënyrë jetese, jo fasadë.
Ke dalë haptas, me fytyrë, me emër, me gjithçka që je dhe prapë duhet të përballesh me turmën që nuk di të shohë më shumë se lëkura. Me disa meshkuj që ende nuk kuptojnë se femra që shprehet nuk do të thotë “ofrohet”. Që të shkruajnë si të ishe në shitje, ndërsa ti je një kështjellë me dyer të mbyllura për çdokënd që s’di të trokasë.
Ti s’del për ata. Del për veten, për gratë që s’guxojnë, për nënat që kanë heshtur, për të treguar se bukuria s’është turp dhe pasioni nuk është mëkat. Del sepse je e lirë jo për të provokuar, por për të dëshmuar që forca e gruas nuk matet me sa shumë mbyllet, por me sa shumë qëndron drejt.
Sepse në fund, nuk ke pse shpjegohesh. Nuk je as për të sqaruar, as për të kërkuar falje për jetën që ke zgjedhur të jetosh.
Mos ngatërroni praninë time me disponueshmëri.
Mos mendoni se një grua që shpreh veten, e ka çmimin në buzë.
Unë nuk shitem. Nëse jeni mësuar ta blini femrën, ta poshtëroni e ta trajtoni si mall,
atëherë kthejuni shtëpive tuaja, e shitni bijat tuaja në jetë
jo mua.
Sepse unë nuk jam për t’u blerë, as për t’u prekur.
Unë jam zë. Jam ndjesi. Jam një grua që flet. Dhe nuk ju trembet.