Poezia t’u bë vetja jote…
Në kujtim të shokut dhe mikut Fran Tanushi
Tash je përjetësisht te “Jetë e censuruar“,
duke e shkruar pa censurë atë libër dhe një herë.
Kapim domethënie vargjesh të shpenguar,
një lumë që rrjedh…
në një det të trazuar që s’pret…
Vargu yt e ndalon kohën,
ka dhe një kohë amshimi poet!
Ti vazhdon e shkruan,…
nuk njeh plakje as perëndim,
jeton në shoqëri me Ali Podrimjen,
kalon dhe njëherë nga vendi që e pagëzove “Ishulli im”.
E shkel prap ishullin prej andej,
e nuk do që të duket i vetëm,
kapërcen me Martin Camajn përmbi Dukagjin,
e pushon atje te “Shkarpa“, ku e rigjete veten.
Zbret nga “Shkalla e diellit“ mendueshëm,
e s’të pritet sa ta prekësh dheun me dorë,
nuk është më ai “Tempulli i braktisur“,
as varr,
është Memorial poeti,
një epitaf për jetën dhe kohën…
Poet, vargu t’u këput e s’ra,
iku në qiell e u bë dritë,
Ti mbete përjetësisht në mes nesh i gjallë,
Ti mbete përjetësisht me ne,
poezia t’u bë vetja jote e dytë…