15.5 C
Tiranë
E shtunë, 16 Maj 2026

Nikolle Loka

Fjala e parë
E para ishte fjala,
s’kishte asnji Kullë të Babelit,
asnji magazinë të pa inventar,
kishte një Odë të Lekë Dukagjinit me pleq,May be an image of 1 person
në krye ishte Leka,
i pari ndër dymbëdhjetë pleqnarë.
Pleqtë flisnin me rend njëri mbas tjetrit,
në fund i takoi ma të vjetrit ndër ta,
ai heshti gjatë,
por të gjithë e kuptuen çfarë tha.
Kur lindi fjala,
na nuk ishim në atë vend,
e gjetëm dhe po atje e lamë.
Ndërhyni Leka, s’ka tjetër kuvend,
çfarë ishte për t’u thanë u tha!
Po iknin pleqtë…
Por pesha e fjalës së dhanë,
peshonte randë te ata.
“”””””””””””””””””””””””””””
BOJAXHIU Drane(1889-12 korrik 1972), e ëma e Nënë Terezës.
Drane Bardhi(Bojaxhiu) ka lindur në Novosellë të Gjakovës prej një familje me origjinë nga Kaçinari i Mirditës, siç e pohojnë edhe sot të moshuarit e fshatit Novosellë, ndër ta dhe të afërm të familjes Bardhi. Novosellë gjenden tokat dikur në pronësi të familjes. Dranja kishte dhe një emër të dytë, Roza, por në rrethin familjar dhe në jetën e përditëshme ai emër përdorej rrallë, madje edhe në një dokument zyrtar, nënshkruan me emrin Drane. Familja Bardhi, pasi u largua nga vendlindja, në kërkim të një jete më të mirë, fillimisht ishte vendosur në Perlep, pastaj në Gramaçel dhe ne vitet ne vazhdim në Novosellë. Pas një qëndrimi në këtë fshat, ku bleu shumë toka dhe ndërtoi njërën nga tri kullat e para të fshatit, që dhe sot përmendet si kulla e Ndue Bardhit, u transferua në qytetin e Prizrenit dhe prej andej, në fillim të viteve 1900 në Shkup, në lagjen e quajtur Duqanxhik, në qendër të qytetit. Aty jetonin edhe familjet e tjera katolike: Bojaxhiu, Jaku, Gulia, Serreqi, Mirdita, Seba, Prenku, Antoni, Gjini, Ukhajdari, Marku, etj.
Shtëpinë e Ndue Bardhit në Novosellë e pati blerë Lush Nika, banor i atij fshati, i cili e shembi dhe ndërtoi një kullë të re, të cilën më vonë, ia kishte shitur familjes Doda, e cila, nga ana e saj, e kishte shitur, për tu vendosur në Prizren. Siç shihet, kemi lëvizje të shumta të popullsisë së ardhur deri sa e gjen veten dhe vendoset përfundimisht në një vend.
Kolë Bojaxhiu, të cilin shumë të dhëna e sjellin me origjinë të largët nga Mirdita, dhe Drane Bardhi (jo Bernaj) kishin jetuar në një lagje dhe e kishin njohur mirë njëri-tjetrin para se të martoheshin, kur ajo ishte 16 vjeçe dhe ai 34. Nga martesa patën pesë fëmijë, dy prej të cilëve vdiqën që në lindje, pasi nuk u njihen emrat dhe siç duket nuk e kishin kryer ritin e pagëzimit. Nga fëmijët e mbijetuar, Agia lindi në vitin 1905, Lazri në vitin 1908 dhe Gonxhia në vitin 1910, të gjithë në qytetin e Shkupit.
Vdekja e papritur e Kolë Bojaxhiut e la familjen në gjendje të vështirë ekonomike. Dranja i rriti fëmijët me virtytet më të larta shqiptare, duke ndikuar shumë në karakterin e tyre. Në vitin 1928, kur Gonxhia ishte 18 vjeç, shkoi në Irlandë për t’u bashkuar me Motrat e Loretos në Institutin e Virgjëreshës Mari, një komunitet murgeshash me mision në Indi. Gjashtë javë më vonë ajo udhëtoi për në Indi, për të shërbyer si mësuese në shkollën e Urdhërit në Kalkuta. Për të kaluar atje, kërkohej leja e të ëmës që jepet me 11 korrik 1928 dhe është lëshuar në Kishën Katedrale “Zemra e Krishtit” në Shkup. Në këtë periudhë, djali Lazri sapo ishte diplomuar oficer në Akademinë Ushtarake të Modenës në Itali dhe ishte kthyer në Shqipëri, ku e kishte filluar detyrën si oficer. Dranja me Agen vendosen në Shqipëri në vitin 1932, fillimisht në Shkodër, në një banesë me qera në rrugën “Ludovik Saraçi”, ku qëndruan një vit, pastaj transferohen në një shtëpi me qira në Tiranë, në familjen e Avni Zajmit, ku kishin jetuar për18 vjet, deri sa më në fund kishin patur një shtëpi të vetën.
Në mes të viteve ’60 nëna Drane u rëndua nga gjendja shëndetsore dhe, bashkë me Agen, i kërkuan Lazrit që t’iu dërgonte disa barna që nuk gjendeshin në Shqipëri. Me këtë rast, Lazri kishte bërë dy herë kërkesë në Ambasadën e Shqipërisë në Romë për t’i marr përkohësisht, sa për kurim, por kërkesat nuk ishin pranuar. Nuk u pranua as kërkesa e Gonxhes, që e shqetësuar për shëndetin e të ëmës, në fillim të viteve ’70 kishte kërkuar të vinte në Tiranë e ta shihte të ëmën për herë të fundit. Kërkesën në mënyrë informale e kishte paraqitur Ministri i Punëve të Jashtme të Francës Maurice Couve de Murville, i cili kishte takuar Ambasadorin e Shqipërisë në Paris, duke iu lutur që t’ia përcillte privatisht Enver Hoxhës dhe kishte sqaruar se për këtë çështje kishte shprehur interesim Presidenti De Gol, si dhe ish-Zonja e Parë e SHBA-ve, Zhaklinë Kenedi. Ata i luteshin Enver Hoxhës që, në emër të humanizmit, të ndërhynte vetë për ta dhënë lejen. Pas dështimit të kësaj përpjekje, Nënë Tereza nuk rreshti përpjekjet për t’i nxjerrë të ëmën dhe të motrën nga Shqipëria. Ajo iu drejtua për ndihmë disa prej personaliteteve më të rëndësishme botërore. Kur e pa se ëndrra e saj për t’i takuar po shuhej, Nënë Tereza i shkruante të ëmës dhe të motrës: “Nuk mund të bëj gjë tjetër, vetëm se të lutem për ju”.
Siç dëshmon shtypi, Drane Bojaxhiu vdiq me dhimbje në zemër që nuk arriti ta shihte përsëri të birin e mbetur në Itali dhe të bijën misionare në Indi. Pas vitit 1990 janë botuar studime, ku shënohet një fakt prekës: “Dranja bijës së vet, që nuk e shihte prej dyzet e pesë vjetësh, fotografinë e fundit ia dërgoi me këtë nënshkrim: Gonxhe, të puth Nanëlokja”.©Nikollë Loka
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.