Andej nga kalojnë njerëz

Shihesh në pasqyrën e një lumi të kthjellët,
që rrjedh përtej një lumi tjetër,
ndalon te një shembëlltyrë e paqtë,
ku rrijnë bashkë gjumi dhe zgjimi,
fundi dhe fillimi.
Ke mundur të kapësh fillin e përtejmë të jetës,
ura që ngrihen vetë,
shtigje me të përpjeta amshimi,
lartësi malesh mbi retë,
vende ku jetohet dy herë
brenda një fryme,
si një lahutar,
dhe si poet.
Kthehesh ndërmend me fytyrë nga dielli,
për të parë më mirë
njerëz që kalojnë bashkë,
mos harro se i bardhi dhe i ziu
nuk të urrejnë,
por s’kanë me të dashtë.
“”””””””””””””””””””””””””””
Vetmitar fillikat
Jam betuar sa herë për sytë e mi,
kur dielli po ikte
dhe dita po merrte ngjyrë,
ndër rënie gjethesh dhe fluturash gri,
botën e kam parë në fytyrë.
Jam ndalur sa herë me veten në terr,
rrugës së detit jam nisur,
jam kthyer,
jam nisur si dallgë që vjen e të merr,
jam kthyer si një lumë i rrëmbyer.
Kam ecur nëpër natë
në një terr vjeshte,
ku kisha për të treguar aq shumë.
Vetmitar fillikat,
që e kisha humbur të djeshmen,
dhe për të sotmen flas,
e nuk flë gjumë!