13.9 C
Tiranë
E enjte, 15 Maj 2025

Nikollë Loka

Prengë Lleshi i Gjomarkajve-Portreti i një luftëtari të paepur

Gjon Marku la tre djem. Njëri prej tyre vdiq pa lënë trashëgimtar, tjetri pati një djalë nga e cila rrjedh dega e Prengë Markolës. Kurse djali i madh quhej Llesh Gjoni. Ai mori pjesë në shumë luftime dhe gjeti vdekjen në një betejë.112 Vdiq pa e marrë parësinë e Mirditës. U vra në vitin 1772 në Fanë në luftë kundër forcave të Begollajve të Pejës. Llesh Gjoni la tre djem: Prengën, Dodën dhe Lleshin. Djali i vogël, që mori emrin e tij, siç duket kur u vra ai ishte barrë në bark dhe sipas zakonit duhet të merrte emrin e të atit. Parësinë e Mirditës e trashëgoi djali i madh, Prengë Lleshi.
Prengë Lleshi u bashkua me Mahmut Pashën e Shkodrës, që e shoqëroi në fushatën e Malit të Zi, kur ky Pasha u vra. Prenga u vu në shërbim të të gjithë pashallarëve të Shqipërisë, të cilëve u jepte trupa luftëtarësh që komandoheshin nga vëllezërit, apo djemtë e tij, trupa që, qysh atëherë, janë vlerësuar si më të mirat dhe më besniket.113 Fama e Prengë Lleshit, fitoret që korrën armët e tij bënë për vete malësorët sypatrembur të Dibrës dhe të Matit, të cilët së bashku me mirditorët luftuan nën urdhërat e pjestarëve të familjes së tij në të gjithë Rumelinë, të mbështetur e të paguar nga bejlerët e pavarur e shumë të pasur.114
Në vitin 1795, Karamahmut Pasha msyni Prizrenit për ta bashkuar me pashallëkun e tij. Në këtë aksion ai u mbështet kryesisht në luftëtarët mirditas të komanduar nga Kapidan Prengë Lleshi. Pretendimi për ta përfshirë edhe Malin e Zi nën Pashallëkun e tij e nxiti Karamahmutin të sulmonte drejt tij në verën e vitit 1796. Në betejën e 11 gushtit të atij viti mirditasit treguan besnikërinë e tyre ndaj Bushatlliut, duke siguruar tërheqjen e ushtrisë së Pashait dhe duke e shpëtuar vetë atë nga rënia në dorë të malazezëve. Shumë mirënjohje dhe shpërblime fitoi Kapidan Prenga me këtë rast. Pavarësisht nga humbja, në vjeshtën e po atij viti, Karamahmut Pasha në krye të 20 mijë forcave e përsëriti fushatën kundër Malit të Zi. Në përbërje të ushtrisë së tij bënin pjesë edhe 6 mijë mirditas të komanduar nga Prengë Lleshi. Edhe në këto luftime qëndresa e mirditasve qe e pashoqe.
Kapidan Prengë Lleshi u ndihmoi Bushatllinjëve në të gjitha fushatat ushtarake dhe marrëdhëniet midis Kapidanit dhe Vezirit ishin shumë miqësore. Por marrëdhëniet në mes tyre u ndërprenë në vitin 1806, kur mirditasit sipas traditës që ishte krijuar, iu bashkuan ushtrisë së Ibrahim Pashës kundër kryengritësve serbë. Këtu Ibrahim Pasha preu pabesisht prijësin e ushtrisë së Mirditës, Kolë Marka Gjokën. Pas këtij akti të rëndë, Prengë Lleshi u bë armik i Bushatllinjëve dhe përvijoi një aleancë të re me Ali Pashë Tepelenën, që mbajti tre taborre mirditasish në gardën e tij personale.115 Kapidan Prenga dërgoi në ndihmë të Ali Pashë Tepelenës së bashku me djalin e madh Dodën një trupë të zgjedhur mirditorësh, të cilën e përforcoi më vonë edhe me pesëdhjetë burra të komanduar nga i vëllai Lleshi i Zi. Si shpërblim për këto shërbime Ali Pasha e mbuloi me nderime dhe pasuri dhe lejoi që mirditasit të praktikonin lirisht besimin e tyre.
Në vitin 1810, Kapidani i Mirditës, Kapidan Prengë Lleshi la në Janinë të birin, Dodën si shenjë e besnikërisë ndaj Ali Pashës.116 Kapidanati i Mirditës dhe Pashallëku i Shkodrës kaluan rreth 8 vjet në armiqësi me njëri tjetrin. Gjatë kësaj kohe Prengë Lleshi vazhdoi inkursionet mbi Zadrimë, duke rrafshuar çdo gjë që u përkiste turqëve, pa u mundur kurrë dhe duke ia dalë mbanë të kthehej në male pa pësuar humbje, madje edhe kur kishte të bënte me ushtri shumë të mëdha se e vetja.
Në fillim të vitit 1810, oborrtarët e Ibrahim Pashës, duke kujtuar se Mustafa Beu përkrahte të vetët dhe se tentonte të dëbonte të gjithë të tjerët, u bashkuan me të mërguarit Xheladin Beun dhe Abdulla Agën, të gjithë njaj fjale, i ftuan në Tophane kundër Mustafa Beut, e ndanë Shkodrën në dy parti dhe zaptuan pazarin deri tek Qafa, siç bëhej qëmoti. Me fjalën e tyre, Prengë Lleshi bashkë me Sulejman Agën, qeveritarin e Lezhës zaptuen të gjitha vendet e Zadrimës. Duke u gjendur në të tillë ngushtica dhe pothuaj i rrethuar, vetëm me ndihmën e tabakëve e të pak malësorëve trima, Mustafa Beu qe shpallur Pasha nga Porta, me anën e një tartari që ia pru shenjat nga Stambolli.
Në luftën kundër Bushatllinjve, Kapidani Prengë kishte mbështetjen e Begollajve të Pejës, që kishin në varësi edhe sanxhakun e Dukagjinit. Në vitin 1810, nga mbarimi i majit, ndërsa Kreu i mirditasve arriti te Ura e Spasit për të sjellë Numan Pashën e Begollajve në Zadrimë. Në atë situatë Veziri i Shkodrës mobilizoi forca të shumta për të shkatërruar fillimisht forcat e Mirditës, përpara sesa të vinte ushtria e Pejës. Kapidani me të dëgjuar punët e Zadrimës, me të gjithë ushtarët e vet u turr nga Spasi në Zadrimë dhe zuri vend në Naraç. Tahir Beu, pasi i theu me të holla rojtarët e Vaut të Bushatit, hyri në Shkjezë. Rojtarët e korruptuar kur dëgjuan se erdhi Prenga në Zadrimë, të turpëruar për korruptimin e vet, bënë përpjekjet e fundit për ta shtënë prap në dorë atë vend, por më kot, sepse qenë dëbuar, duke mbetur shumica të vrarë e të plagosur.117
Kapidan Prenga detyrohet vetëm me 300 vetë të luftojë me ushtrinë e Shkodrës dhe të Mbishkodrës. Në atë betejë të pabarabartë me përkrahësit e Mustafa Pashës, Prenga plagoset dhe vritet i vëllai, Doda. Në atë situatë, në pamundësi për të mbajtur pozitat e veta, Kreu i Mirditës tërhiqet për në Mirditë.118
Armiqësia vazhdoi dhe Mustafa Pasha për inat të Prengë Lleshit kapi shumë mirditas që ishin shtegtarë me mushka në tregun e Shkodrës. Atëherë Prenga arrestoi tregtarët shkodranë që po ktheheshin nga pazari i Strugës dhe me forcat e tij e 500 maqedonas, ra nëpër Zadrimë e plaçkiti Mjedën. Për ta zgjidhur problemin, Mustafa Pasha dhe Prengë Lleshi u detyruan të pranojnë ndërmjetësim, por bisedat përfunduan pa ndonjë rezultat më të mirë, me përjashtim të lirimit të pengjeve. Me nxitjen e oborrtarëve të mërguar të Ibrahim Pashës. Në fillim të verës së vitit 1815, qe pushtuar kalaja prej malësorëve të Lezhës.
I paepuri Prengë, megjithëse disa nga të tijët ishin rebeluar dhe ishin bashkuar me Mustafa Pashën, doli në Troshan me një çetë të zgjedhur, të armatosur, duke pritur një tjetër tragjedi për kështjellën e Shkodrës, ashtu siç kishte qenë besëlidhja. Por, meqenëse të besëlidhurit shkodranë nuk mundën të zbatonin tentatitën e tyre, Mustafa Pasha e dërgoi ushtrinë në Zadrimë. Troshanin e plaçkitën. Qe vrarë Jak Kabashi në manastir, ndërsa ndiqej Prengë Lleshi, i cili u tërhoq për në vendin e vet. Ai u ndal në majën e malit Kreshtë përmbi Troshan e Kallmet dhe i priti mbishkodranët e me një përleshje të ashpër u tregoi se me kë luftonin. Shumë mbishkodranë mbetën të vdekur e shumë të plagosur. Atij nuk i mbetën, veçse dy.
Në përpjekjet për ta pajtuar Kapidanin Gjomarkaj me Bushatllinjët si ndërmjetës ishte Ali Pashë Tepelena. U vendos që secila palë të dërgonte nga tre përfaqësues në Janinë.119 Në vitin 1815, Prengë Lleshi dhe Mustafa Pashë Bushati bënë armpushim. Për ta ruajtur miqësinë me Ali Pashë Tepelenën, Prenga nuk shkoi vetë në Shkodër, por çoi të birin, Dodën. Paqja në mes të dy dyerve të para të Gegërisë u shoqërua me kalimin e bajrakut të Dibrit nga Bushatllinjtë tek Gjonmarkajt. Në këtë kohë Mirdita katërbajrakëshe bëhet me pesë bajrakë. Pas armëpushimit, me 25 nëntor 1815, me anë të një letre,
Mustafë Pashë Bushati e konfirmoi shtëpinë e Gjon Markut “si shtëpi të parë të gjithë Mirditës, ashtu siç e kishin njohur vezirët paraardhës”. Pas pajtimit Prengë Lleshi u sëmur. Plaga që kish marrë në luftën e vitit 1810 me Bushatllinjët i solli probleme me shëndetin, prandaj shkoi për mjekim në Kototrr, por nga mbarimi i nëntorit kaloi në jetën tjetër.120
Literatura
111. Stavri Naçi, Pashallëku i Shkodrës, Tiranë 1964, f.94
112. Hyacinthe Hecquart, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë, f. 223
113. Hyacinthe Hecquart, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë,f. 223
114. Hyacinthe Hecquart, Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së Epërme ose i Gegërisë, f.223-224
115. Hylli i Dritës,vjeti VII, Nr.3, viti 1931, Kronikat e Shkodrës, f.113
116. Kahreman Ulqini, Bajraku në organizimin e vjetër shoqëror,… f. 54.
117. Pjesë nga kronika e Dajçit të Zadrimës, shih Hylli i Dritës, Nr.3, viti 1931,f. 109- 113.
119. Stavri Naçi, Pashallëku i Shkodrës,… f.94
120. Pjesë nga kronika e Dajçit të Zadrimës, shih Hylli i Dritës, Nr.5, viti 1931, f.304-305.
120. Pjesë nga kronika e Dajçit të Zadrimës, shih Hylli i Dritës, Nr.5, viti 1931, f.304-305.
“”””””””””””””””””””””””””””
Shporta e ëndrrave
Kishim pak vjet mbi supe,
ndiheshim të lehtë,
vitet i numëronim me gishtat e njërës dorë,
kur u shtuan,
ngatërruam gishtat e duarve,
ende nuk e dinim sa bëjnë pesë plus një,
pesë plus dy, plus tre, plus katër,
për hatrin e moshës
ruanim shumë ëndrra në shportë,
deri dhe atë më të largëtën…
Duhet të rriteshim,
që t’i zbrisnim ëndrrat të paprishura mbi tokë.
Ja u rritëm dhe ëndrrat i zbritëm,
por atë më largëtën s’e arritëm dot!
Dhe pamë rrënoja grumbuj-grumbuj,
në shembje,
provojmë ta ndalim e s’e ndalim dot!
Ishte e kotë
ajo ëndrra për t’u rritur,
gjithnjë me ngutjen për të ikur…
Kthehemi sot,
te llogaria pesë plus pesë,
te numërimi me gishta,
te shporta e ëndrrave
që po zbrazet ngadalë në kujtesë.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.