Ribotim nga pamfleti ” “Nji Dritare e Re”.
SHQIPTARET NE RRUGETIMIN E TYRE HISTORIK (4)
Pas copëtimit administrativ të vendit, ndarja e Shqiptarëvet në tri fe dhe anarkia që u krijua pastaj e përçanë kombësinë shqiptare më tepër se ç’kishte qënë në Kohën e Mesme. Përpjekjet e bëra në gjysmën e dytë të shekullit XIV dhe sidomos n’atë të XV-in me Skënderbén për bashkimin e Shqipërisë në një shtet të pavarur, u duk sikur shkuan humbur për gjithmonë. Jehona që la pas epopeja kastriotiane vazhdoi për disa kohë në malet e Shqipërisë dhe u bënë kryengritje aty-këtu, në shekujt XVI e XVII, me qëllim shkëputjeje nga Turqia. Shqiptarët ishin të gatishëm për të lëvizur saherë që shikonin një farë shprese nga jashtë, por askush nuk i përkrahte. Kur dukej sikur Spanja po hynte në luftë kundër Turqisë ose Turqit vinin në përpjekje me Hungarezët dhe Polakët, Shqiptarët kërkonin menjëherë ndihmën e jashtëme n’armë e municione, zakonisht nëpërmjet të Papës, për të bërë kryengritje. Por s’patën kurrë një ndihmë.
Në krye të shekullit XVII u mblodhën disa kuvende të rëndësishëm, sidomos ai që u mbajt në katundin Dukagjin të Matit më 1601 dhe dy të tjerë në Malësinë e Madhe, për të biseduar mënyrën e organizimit të kryengritjes dhe gjetjen e armëvet. Këto përpjekje vërtetojnë se ideja e lirisë dhe e pavarësisë nuk u shua në malet shqiptare, por erdhi duke u ngushtuar deri sa u kufizua në rrethin e krahinës a të fisit. Një dokument i vlefshëm për të treguar lëvizjet dhe mendimin e Shqiptarëvet n’atë kohë është raporti që kleriku dhe shkrimtari shqiptar, Pjetër Budi, i paraqiti Kardinalit Gozzadini, në Romë, më 1621. Budi kërkonte ndihmën e Perëndimit për të mbështetur luftën e Shqiptarëvet, të cilët ishin gati për kryengritje. Përveç disa njohurive që na jep mbi gjendjen ekonomike e shoqërore t’atëhershme, raporti i Budit hedh dritë mbi ndjenjat e përbashkëta të Shqiptarëvet, të krishterë e myslimanë, parësi e vegjëli. Në një kryengritje kundër Turqvet, shkruante Budi, të Krishterët do të luftonin bashkë me Myslimanët, me të cilët ishin në marrëveshje, dhe do të merrnin sigurisht pjesë mjaft krerë nga parësia myslimane. Sa për fortesat, mendonte ai, ato mund të merrëshin pa luftë me anën e ushtarëvet shqiptarë që shërbenin n’ushtërinë turke. Shqiptarët kishin nevojë për udhëheqës, për armë e municione, se nga numri ishin mjaft ata vetë për t’iu qëndruar Turqvet me forcat e tyre.
Ndërmjet vjetëvet 1610 e 1613 patën ngjarë kryengritje e luftime të përgjakshme në krahinat e Dukagjinit dhe të Malësisë së Madhe. Turqit dërguan fuqi të shumta, por nuk e shtruan dot vendin plotësisht. Më 1639, Kelmendasit prishën ushtërinë e Vuço Pashës, bejlerbeut të Bosnjës, që përbëhej prej 15.000 vetash. Ky iu fut Malësisë së Madhe në mes të dimrit, duke menduar se Shqiptarët nuk do të largohëshin dot prej shtëpivet me gra e fëmijë. Por Kelmendasit “me nji zân: Eja kush asht trim” – siç thotë shkrimtari shqiptar i asaj kohe, Pjetër Bogdani – “mbledhunë afër 500 vetë, vranë Vuçe Pashënë, vjetit së Krishtit 1639. E ndë nevojë mpsuen me ngranë lëkurën e qarrit possi të begatëtë majën e miellit…”
Kryengritjet e kohëpaskohëshme vazhduan edhe në jugë, sidomos në Himarë e në Kurvelesh. Por me kalimin e shekujvet, këto lëvizje e humbën kuptimin kombëtar të pavarësisë dhe bëhëshin për mospagimin e taksavet ose për të shkëputur të drejta krahinore.
Në vija të përgjithshme, Perandoria Otomane, e vuri një farë rregulli në Shqipëri, veçanërisht nëpër qytetet dhe zonat e shkelshme. Vendi nuk ishte më një shesh invadimesh nga jashtë sikurse pat qënë në të gjitha kohët, as fushë luftash feudale q’e mbanin në një trazirë të përhershme. Filloi të njihte deri diku një periudhë qetësie për të cilën kishte shumë nevojë. Prandaj, me punimin e rregullt të tokavet dhe me zgjerimin e tregëtisë, edhe ekonomia nisi të mëkëmbej nga mbarimi i shekullit XVI e në të XVII-in duke i dhënë hov zhvillimit të qytetevet. Përmirësimi ekonomik sjell, si rrjedhim të natyrshëm shtimin e popullsisë. Raca shqiptare zuri t’a merrte vehten nga hemoragjia dhe mërgimet e shekullit XV, si edhe nga topitja që ndjeu në gjysmën e parë të të XVI-it. Prodhimet bujqësore u shtuan, tregëtia filloi të hapej edhe me botën e jashtëme, një zejtari mjaft e përparuar rilindi nëpër qytetet, e cila punonte armë e pajisje kuajsh, hekurishte e bakëre, poçe e sende të drunjta, shajak e pëlhura vendi, sidomos mëndafshe, qëndima të bukura, lajlisje ergjëndi edh’ ari.
Skela m’e rëndësishme e Shqipërisë u bë Vlora, prej së cilës delnin jashtë prodhime bujqësore e lëndë të para dhe hynin prej Evrope pëlhura, cohëra e të tjerë mallra të fabrikuar. Kurse qyteti m’i madh u bë Berati, si numër popullsie dhe si qendër kulture orientale. Pas këtij vinin Elbasani, Gjirokastra, më vonë e mori edhe Shkodra pamjen e dikurshme. Në Kosovë e Maqedoni, përveç Shkupit, Manastirit, Kosturit, dallohëshin Ohri, Tetova, Prizrendi, Gjakova, Peja, Prishtina, Vuçiterni, Mitrovica, Kumanova etj. Në shekullin XVIII, u ngrit përsëri Janina si kryeqendër e Epirit dhe shkëlqeu Voskopoja.
Mjerisht, kultura që përhapej nëpër qytetet ishte greke ose turko-arabe. Mbasi mësimi n’ato kohë lidhej me fenë dhe shkollat mbahëshin prej institutevet fetare, është afër mendsh që s’mund të kishte shkolla shqipe. Po edhe më vonë, në shekullin XIX, kur arësimi laik mbahej prej shtetit, qeveria turke, në bashkëpunim me Patrikanën greke, ndaloi rreptësisht çdo shkollë e përhapje mësimi në gjuhën shqipe.
Duke mos pasur kombësia shqiptare një letërsi të shkruar në gjuhën e saj, armiqtë e jashtëm janë munduar t’a shuanin e ta shkrinin nëpër kulturat e tyre me anën e kishës ose të xhamisë. Këtë lloj lufte, Grekët, Turqit dhe Sllavët ia kanë bërë me aq tërbim sa edhe luftën me armë.
Siç e pamë, pushtimi turk i ra Shqipërisë në një kohë kur kjo s’e kishte arritur akoma bashkimin e plotë si shtet e si tërësi ethnike. Një komb s’mund të ketë bashkim organik pa gjuhë e letërsi të shkruar. Ndoshta shqipja kishte nisur të shkruhej shumë kohë përpara Skënderbeut, sikurse vërtetohet nga një raport i vitit 1332 drejtuar mbretit të Francës, Philippe de Valois, prej kryepeshkopit të Tivarit, Gulielm Adam, ose, siç besohej gjer tani vonë, prej një murgu gjerman të quajtur Brokard. Në raportin thuhet: “Ndonëse Shqiptarët kanë një gjuhë më vehte krejt të ndryshme prej latinishtes, në marrëdhëniet e në gjithë librat e tyre përdorin shkronjat latine”. Por si dokumenta të shkruara në gjuhën shqipe, përpara shekullit XVI, nuk kemi veçse formulën e pagëzimit, shkruar me abecenë latine më 1462, dhe një copëz t’Ungjillit të Mattheut që këndohet natën e Pashkëvet në ritin orthodoks, përkëthyer shqip me abecenë greke. Ky dokument i dytë është m’i vjetër nga formula e pagëzimit dhe hipën ndoshta gjer në shekullin XIV. Kemi pastaj një fjalorth prej nja tridhjetë e ca fjalësh dhe shprehjesh të gjuhës shqipe, si edhe numërat gjer më dhjetë, mbledhur prej kalorësit Arnold von Harff nga Kolonjë e Gjermanisë, i cili pat udhëtuar nëpër Shqipëri ndërmjet vjetëvet 1496-1499. Shënimet e kalorësit në fjalë kanë qënë botuar prej E. von Groote më 1860, dhe pjesa që i përket gjuhës shqipe është ribotuar prej Karl Hopf-it në Kronikat Greko-Romane pranë Gjenealogjisë së Muzakës më 1873.
Luftat e Skënderbeut i dhanë një vend lavdie Shqipërisë në radhën e popujve t’Evropës, dhe Shqiptarët, të mbushur me një frymë heroizmi e kryelartë përsa kishin bërë në fushën e armëvet, do t’ishin shtytur sigurisht prej sedrës kombëtare të thurnin poema mbi ato ngjarje madhështore, të shkruanin e të krijonin në gjuhën e tyre. Dhe brenda një kohe të shkurtër, shqipja do të kishte pasur letërsinë e saj. Pushtimi turk i erdhi si të ngritët që iu bie lulevet në fillim të prendverës. Pjesa m’e madhe e njerëzve të kulturës u largua jashtë atdheut duke e varfëruar vendin nga vleftat morale e mendore. Në mërgim e shkroi Marin Barleti, latinisht, veprën e famshme mbi historinë dhe trimëritë e larta të Skënderbeut. Në mërgim tregoi talentin e tij një tjetër Shkodran, Marin Beçikemi, si shkrimtar e profesor i Universitetit të Padovës. Por në mërgim u gjend edhe ai që i ngriti shqipes monumentin e parë, Gjon Buzuku. Ky, “tue u kujtuom shumë herë se gluha jonë nukë kish gja t’ëndigluom nsë Shkruomit Shenjtë e nsë dashunit së botës sane”, shkroi shqip Mesharin e pavdekshëm për “me zdritunë pakë mendet” e bashkatdhetarëvet të tij. Libri i Gjon Buzukut, botuar më 1555, është m’i vjetëri i gjuhës shqipe dhe një visar i paçmuar për studimin e saj. Sepse Buzuku, i cili u lind e jetoi si duket ndë grupet e Shqiptarëvet të mërguar diku në Dalmaci, na jep të folmet e trajtat më të vjetëra të shqipes, ashtu si flitej në Kohën e Mesme. Prej tij mësojmë se dialektet e shqipes së hershme nuk ishin ashtu si sot, nuk kishin të njëjtat shtrirje gjeografike, dhe ndryshonin fort pak ndërmjet tyre. Meshari mbetet vepër monumentale në letërsinë tonë.
Mjerisht, në kushtet politike që u krijuan, shkrimi i gjuhës sonë nuk vazhdoi, dhe mbi kombin shqiptar u hap ndikimi i kulturavet greke e turko-arabe. Këto desh ia ndryshuan fare ndjenjat dhe kombësinë.
Shkollat greqishte filluan të hapeshin në shekullin XVII nëpër qytete e katunde të Shqipërisë së jugës. Por u shtuan sidomos në shekullin XVIII dhe u përgjithësuan në të XIX-in, kur për hapjen e helenizmit, përveç Patrikanës, e mbështette edhe shteti grek.
Në shekullin XVI kleri i të dy Kishavet pësoi në Shqipëri një rënie të shpejtë, që vazhdoi edhe në pjesën e parë të të XVII-it. Roma u perpoq të zhvillonte një farë veprimtarie fetare me anën e Fretërvet dhe të murgjëvet bazilianë për të shpëtuar katolikizmin, ose edhe për të sjellë n’unitizëm një pjesë t’Orthodoksvet, por ndeshi në pengesa të mëdha. Turqia n’atë kohë e kundërshtonte rreptë ndërhyrjen e Kishës së Romës. Nga ana tjetër, Patrikana e Stambollit, e cila njihej prej sulltanëvet si përfaqësonjësja e popujvet orthodoks të Perandorisë, nuk hiqte dorë nga autoriteti i saj. Edhe pas pushtimit të Stambollit prej Turqvet, antagonizmi ndërmjet dy Kishavet vazhdoi si më parë. Në Shqipëri, nuk u zbut as nga përhapja e islamizmit. Patrikana e mbante vehten jo vetëm si kreu i orthodoksisë, po edhe si kreu i helenizmit dhe trashëgimtarja e Perandorisë Bizantine. Prandaj nëpërmjet të fesë kërkonte greqizimin e Orthodoksvet shqiptarë. Në këtë punë, ndihmohej edhe prej pozitës që ajo gëzonte në shtetin otoman. Me pushtimin e Stambollit, Sulltan Mehmeti II u shpall si mprojtës i Kishës Orthodokse dhe i njohu Patrikanës jo vetëm të drejtat e vjetëra n’anën fetare, po edhe fuqi juridike mbi Orthodoksit. Pas asaj kohe ajo vazhdoi të mbante ndezur e të përhapte, me anën e fesë, kulturën helenike dhe ndjenjat kombëtare greke. U përpoq të greqizonte sidomos ata popuj që nuk kishin një Kishë kombëtare të tyren, siç ishte rasti i Shqiptarëvet. Prandaj priftërinjtë që dërgohëshin në Shqipëri – dhe që pregatitëshin zakonisht ne Malin e Shënjtë – kishin për qëllim, përveç shërbimevet fetare, të përhapnin edhe greqishten si gjuhë të folur midis besnikëvet orthodoks.
Myslimanët, nga ana tjetër, hapën nëpër qytetet shkolla fillore turqishte (mektepe), ku mësohëshin elementet e para të fesë; dhe shkolla më të larta (medrese), të cilat ishin si një lloj seminari ku, përveç turqishtes mësohej arabishtja ose edhe persishtja, për të kuptuar Kuranin dhe për të zgjeruar kulturën letrare orientale. S’ka dyshim që edhe shkollat myslimane, të mbajtura prej vakëfevet, punonin për turqizimin e Shqiptarëvet.
Siç shihet, këto dy rryma fetaro-kulturore të ndryshme, të kthyera në fanatizëm, mund t’a ndanin kombin shqiptar më dysh, në dy popuj armiq. Fatmirësisht, nuk arritën punët gjer n’atë shkallë, megjithëse kjo përçarje i ka prurë dëmin më të madh kombësisë shqiptare.
Kisha katolike nuk kishte ndonjë arësye se përse t’ishte kundër arësimit shqip, prandaj jo vetëm që nuk e pengonte, po edhe e përkrahte përhapjen e mësimit në gjuhën shqipe, sikurse në gjuhët e tjera t’Evropës ballkanike e lindore. Për të pregatitur kuadrat klerikore të këtyre popujve, qenë themeluar “Kolegji i Shën Athanasit”, në Romë, më 1572, “Kolegji Ilirik”, në Loreto, më 1580, dhe sidomos qendra e madhe për përhapjen e fesë “De Propaganda Fide”, në Romë, më 1622.
Kur më 1700 u bë papë Klementi XI Albani, i cili ishte Shqiptar nga origjina, përhapja e letërsisë fetare në gjuhën shqipe mori një shtytje më të fortë. Me urdhërin e Papës u mblodh edhe një koncil i peshkopëvet të Shqipërisë, më 1703, i cili u quajt “Koncili i Arbërit”. Klementi XI u interesua për të krijuar një katedër të gjuhës shqipe në kolegjin e Montorio-s, në Romë, në 1711.
Për fat të keq, veprimtaria e Kishës katolike në Shqipëri ishte ngushtuar, numri i besnikëvet ishte zvogëluar, dhe librat shqipe nuk gjetën fushë përhapjeje. Por i dhanë shtytje mësimit të gjuhës tek Arbëreshët e Italisë, të cilët çelën shkolla, sikurse Kolegjin San Adriano, në San Demetrio Corone, në Kalabri, që lozi më vonë një rol aq të rëndësishëm jo vetëm për mësimin e shqipes po edhe në përhapjen e kulturës dhe të ndjenjavet shqiptare.