10.5 C
Tiranë
E martë, 31 Mars 2026

Nikolle Loka

Vjen një jehonë

Vjen një jehonë,
prej një orë larg në vijimësi,…
dhe nëpër malin për karshi,
një rigë me shi,
një larë me diell,
vjen një ulkonjë me këlyshtë në gji,
shpërthen në vaj,
përmbi një lis,
qyqja tregon jetën e saj.

Shkon një jehonë,

prej një orë larg në vijimësi,…

një lis më këmbë,

me shpirt ndër dhëmbë,

një këngë pa zë,

një fishkëllimë,

një britmë që s’gjen shoqen e saj,

një erë që s’di kur do të prajë,

një tersëllimë.

“”””””””””””””

Poshtë ballkonit

Mund të jetë një imazh i palma, rrugë dhe qiell

Hijet e mbrëmjes bien pjerrtas deri te shkallët,
poshtë ballkonit janë shkurret, janë drurët janë honet,
poshtë ballkonit janë ftonjët,
janë mollët.
janë muzat, janë krojet,
janë dallgët e Jonit.
Hije pas hije deri te shpati i fundit,
janë druajtjet, dridhjet, shirat,
mëdyshjet,
ekuacionet…
Janë dimrat,
janë rëniet,
janë ngritjet…

Poshtë ballkonit janë muzat,

në degët e ftoit

janë duart,

që për ty ia këpusin lulet limonit.

“”””””””””””””””””””””

Me flakën jam prekur
Me flakën jam prekur pas një vetëtime të beftë,
pas ankthit që djeg kam pritur bubullimën,
a thua qenka thënë të digjem pa e dijtë,
a thua djegia të jetë ilaç për zemrën!
Me flakën jam prekur në një ditë të epshme,
në një ditë kur trupi humb në shpirt,
shatrivani prej syve të një femre,
në vend që të më ftohte më ka djegë!
Me flakën jam prekur te një lule zoje,
që si nuse harlisej në livadh,
e shkela padashje dhe me pafajësi fëmije,
guxova e i thashë: Më fal!
Dhe nga lule e shkelur flakë dilte,
flakë e ndezur gabimisht,
zjarr i saj te unë nuk po arrinte,
po shpirtin po ma digjte dhëmbshurisht!

Flakë në shpirtin tim nuk ndjeva kurrë,

i endur ndër ylberë e vetëtima,

më ishte djegur shpirti që me flakën e parë,

e tash pa flakë po më digjej vetëm hiri.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.