Krejt jeta një alfabet
Krejt jeta një alfabet me dy shkronja,
një firmë,
dy germa dore,
të tjerat as po as jo,
tri pika…
as ti as ajo!
Një fije që tirret pa kohë,
kur s’di çfarë të bësh me veten,
as lart as poshtë,
në të bardhën,
a në të zezën!
Nënshkruan mbi fletë,
që s’arrite t’i shkruash,
sa për të thënë se ishe
dhe je!
Ti nuk end pëlhurë si Penelopa,
çliruar nga një peng,
për sot e për dje.
Dhe me fillin e bërë lëmsh
ti nuk bën rroba,
e veshur je dhe sot si dje,
ëndrrat i thur orëve të vona,
nga ato ëndrra
që as vetë nuk i sheh!
“”””””””””””””””””””
POSHTË BALLKONIT
Hijet e mbrëmjes bien pjerrtas
deri te shkallët,
poshtë ballkonit janë shkurret,
janë drurët, janë honet,
poshtë ballkonit janë ftonjtë,
janë mollët.
janë muzat, janë krojet,
janë dallgët e Jonit.
Hije pas hije deri te shpati i fundit,
janë druajtjet, janë dridhjet, janë shirat,
mëdyshjet,
ekuacionet…
Janë dimrat,
janë rëniet,
janë ngritjet…
Poshtë ballkonit janë muzat,
janë limonët,
janë duart,
dëshira kalimtare,
fluturime dallgësh që shuhen…
“””””””””””
Heshtja- kryefjala
Fjala kishte ardhur si një lëmsh i heshtur,
pasi ishte tjerrur gjatë…
ishte djegur nëpër fije shkrepsesh,
e kthyer në shtëllunga mendimesh atje lart…
Fjala kishte humbur, ishte djerrur,
kishte ikur, ishte amshuar,
pastaj kishte rilindur…
lindin nganjëherë pritmëritë!
Nuk ishte fjala e para te Zanafilla,
Kryefjala ishte heshtje,
heshtje mbi të gjitha mrekullitë.