S’kam dashtë me e ditë
S’kam dashtë me e ditë,
se vjen nji ditë
e pushon zemra,
kur të mbyllen sytë.
Kam dashtë me pyet
ku fillon dhembja,
mbi dhimtë
kam dashtë me u ngritë,
e vorrit mrenda
me i lanë veç hijet.
JAKU, Prengë,(1892-1923) ushtarak, atdhetar i shquar.
Prenga lindi në fshatin Pruell të Bulgrit në vitin 1892. Mësimet e para i mori në Orosh, ndërsa arsimin e mesëm në Seminarin Françeskan Shkodër. Hyri në detashmentin gjerman të Shkodrës dhe pastaj vazhdoi studimet ushtarake në Austri, ku u gardua oficer dhe mori gardën “Toger”(1917). Gjatë Luftës së Parë Botërore, në përbërje të forcave austriake, në krye prej njëqind ushtarëve, sulmoi një detashment francez në Mokër dhe e shpartalloi (1918). U vu në shërbim të Qeverisë së Durrësit, në armën e xhandarmërisë(1919). Shpartalloi banditët esadistë të Dumresë(1919). U vu në mbrojtje të Kongresit të Lushnjës me vullnetarët e Dumresë dhe fuqi të tjera vullnetare(1920). Pas Kongresit, u emrua Komandant i Batalionit Shëtitës, që përbëhej nga trupa elite, që ishin të angazhuara për garantimin e rendit publik(1920). Me këtë rast Prengës iu dha garda “Kapiten”. Batalioni ishte caktuar për të kryer çarmatosjen e popullsisë në zonat e nxehta, ku dështonin forcat e rendit.
Prenga u bë mbështetës kryesor i Ahmet Zogut, në përpjekjet për të kryer çarmatosjen dhe për të vendosur rendin në Shqipëri. Mori pjesë në disa operacione ushtarake: Shpartalloi në Prezë forcat esadiste(1920); luftoi kundër serbëve në viset e Dibrës; vendosi rendin në Zadrimë; luftoi kundër rebelëve që shpallën të ashtuquajturën “Republika e Mirditës”(1921), duke zhbllokuar forcat qeveritare që ishin rrethuar në Orosh; organizoi betejën e Shallgjanës dhe betejën për marrjen e Spaçit. Me këtë rast iu dha garda “Major”. Prenga luftoi dhe në Lanë Lurë kundër serbëve(1921), si dhe kundër forcave shqiptare në zonën neutrale të Junikut,(1923), të cilat me kryengritjen që organizuan, i dhanë pretekst Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene të ndërhynte, qoftë edhe brenda territorit shqiptar.
Pas shpërbërjes së Zonës Neutrale, Major Preng Jaku me batalionin e tij qëndroi për disa kohë në Tropojë. Në njërën prej atyre ditëve, kur po gjuante peshk me dinamit në lumin e Valbonës, i shpërtheu dinamiti dhe i këputi dorën e i dëmtoi rëndë krahun e djathtë. E nisën menjëherë për në Tiranë, por kishte humbur shumë gjak dhe kjo i shkaktoi vdekjen. Gazeta “Shqiperia e Re” me 29 korrik 1923,shkruante:”Major Preng Jaku numërohej nji prej oficerve ma të mirë shqiptar,atdhetar i flaktë,ushtarak tepër i guximtë. Kur ndjeu se po vdiste tha:”Nuk më vjen keq se po vdes,po vetëm se nuk po vdes në fushë të luftimit”. Gjatë periudhës së Zogut i qenë dhënë nderime të larta, por për këtë arsye, familja e tij u persekutua pas ardhjes së rregjimit komunist.