Pash më pash i rashë fëmijërisë,
projektova kohë e hapësirë,
një liqen dëshirash nën një qiparis,
te një hije te një lis.
Pash më pash i rashë atij breg zalli,
ku kisha mbjell kohë, kishte mbirë mall,
ishte fund vere e s’kish më lule mali,
veç frute vjeshte më të rrallë.
Në funde vere sa pranë ndihem me veten,
në livadhe borzilokësh e trëndafilash,
kapërcej një shteg të ngushtë imagjinate,
të mbytem në atë liqen dëshirash.
“””””””””””””””””””

Keshtjella dhe ura,
shkallë dhe litarë,
në mes të dy mbretërive qytetar.
Në det kërkon një ishull dhe një far,
në tokë një yll polar,
kërkon një parmendë e një ugarë.
“”””””””””””””””

Ç’është ky çast?
Një thyerje
e kohës së paskaj,
përplasje me vetveten
çmendurisht,
botë pasqyrash
që ndryshe qesh,
e ndryshe qan,
me vetëveten,
me vetë qënien
ngjan.
Ç’është ky çast
që po më plak
moj xhan!