23.5 C
Tiranë
E mërkurë, 9 Korrik 2025

Nikollë Loka

KONTRIBUTI I MIRDITËS NË LUFTËN ANTIFASHISTE NACIONALÇLIRIMTARE

(Me rastin e ditës së çlirimit të Mirditës).Imazhi mund të përmbajë: 5 njerëz, jashtë dhe tekst

Nikollë Loka

Pjesa më e madhe e studiuesve vendas e të huaj kanë arritur të vlerësojnë me objektivitet tiparet, veçoritë, meritat, sigurisht edhe gabimet e bëra gjatë Luftës Nacionalçlirimtare. Shqiptarët që dëshironin pavarësinë e atdheut u rreshtuan vetvetiu në kampin e madh antifashist anglo-sovjeto-amerikan, i cili u formua në vjeshtën e vitit 1941. Dihet se në fillim të Luftës Nacionalçlirimtare, simpatitë e opinionit publik shqiptar anonin drejt faktorëve demokratë, të cilët konsideroheshin si pasardhës të Rilindjes Kombëtare Shqiptare dhe të lëvizjes demokratike parlamentare të Paraluftës. Askush nuk e parashikonte se komunistët shqiptarë, të cilët para luftës nuk ushtronin ndonjë ndikim në jetën politike të vendit, ta përmbysnin brenda dy-tre vjetëve situatën në favor të tyre(Kristo Frasheri, Skema politike e Shqipërisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, gazeta “Dita”, 16 shtator 2015)
Pas një rezistence dëshpëruese dhe të çorganizuar, forcat pushtuese italiane hynë në brendësi të vendit. Në ditët e para të prillit, Gjon Marka Gjoni i kishte mbledhur mirditasit sipas parimit “burrë për shpi” dhe i kishte vendosur te Kroj i Shllezhdrit, në afërsi të Urës së Matit, gjoja për të luftuar italianët, por ai i paraqiti para tyre si forca që kishin shkuar për të përmbysur Zogun dhe, pasi kishte marrë shpërblimin e kërkuar, kishte dhënë urdhër që ato forca të shpërndahen(Historia e popullit shqiptar, vëllimi III, Toena 2002, f. 369) Edhe burrat e armatosur të tre bajrakëve të Kthellës u grumbulluan në Burrel, u armatosën dhe zunë pozicione në pyjet e Trodhnës afër Qafë Shtamës, por pasi Zogu u largua jashtë, ato forca u shpërndanë(Mëhill Doçi, Mirdita gjatë periudhës se Luftës Antifashiste Nacionaçlirimtare, shtypshkronja “Gervis”, Tiranë 2001, f.17).
Në rezistencën antifashiste të shqipatrëve u dallua ushtaraku Mark Doçi, i cili me kompaninë e drejtuar prej tij, shkoi në Vlorë, ku u dallua për trimëri në betejën e Bestrovës. Populli i Vlorës i ka thur këngë trimërisë së tij, në atë luftë: “Në Vlorë kush luftoi vallë/ Mark Mirdita trim i rrallë… Mbi çezmë tek hapi zjarrë/Se loz Marku istikamnë”(Mark Rica, Rrëfime për Sheben dhe shebasit, Tiranë 2016, f.204). Në këtë kompani bënte pjesë Mark Nikollë Gjoka nga Mashtërkori, Ndue Gjokë Skana nga Lajthiza, Gjon Broz Leci nga Ndërfushazi, etj(Mëhill Doçi, Mirdita gjatë periudhës se Luftës Antifashiste Nacionaçlirimtare, shtypshkronja “Gervis”, Tiranë 2001, f.63). Në Shkodër luftonte te Ura e Bahçallëkut batalioni “Taraboshi”, ku bënte pjesë dhe Toger Ndrecë Prenga.
Pas pushtimit, autoritetet fashiste iu kërkuan oficerëve që të pranonin realitetin e ri dhe ata vendosën me vullnetin e tyre, por me përjashtim të Pashk Currit që nuk iu bashkua ushtrisë së pushtuesit, të tjerët e vazhduan shërbimin ose iu bashkangjitën më vonë forcave ushtarake pushtuese, sidomos pas emërimit të Mark Gjomarkajt si Ministër i Brendshëm. Nga ushtarakët e lartë mirditas, Major Ndrec Preng Marku qe vrarë nga një njësit gueril në Shkodër në vitin 1943. Një pjesë e ushtarakëve të tjerë si: Mark Doçi, Nikollë Melyshi, Mark Arapi, Mark Gjet Macaj, Frrok Fusha etj, me ardhjen e forcave partizane në Mirditë dezertuan nga ushtria fashiste dhe iu bashkangjitën forcave partizane dhe dhanë kontributin e tyre në luftë kundër hitlerianëve deri në Vishegrad të Jugosllavisë. Kështu Mark Doçi u bë shef Operativ i Brigadës VII – S dhe pastaj Shef Operativ Divizioni(Mëhill Doçi, Një vështrim mbi katundin Shebe, shtypshkronja “Gervis”, Tiranë 2003, f.34-35); të tjerë morën detyra më të ulëta, por në saj të aftësive të tyre u ngritën në detyrë si Mark Arapi që u bë Shef Operativ Divizioni.
Antifashistët e parë të Mirditës ishin të rinjtë e shkolluar, djem të shtëpive më me ndikim në Krahinë si Bardhok Biba, Gjon Frroku, Mëhill Doçi, Gjon Gjonaj, Ndrecë Ndue Gjoka, të cilëve iu bashkuan në tetor 1944 edhe Pal Melyshi, Mark Gjet Macaj etj. Gjon Gjonaj që kishte dezertuar nga ushtria italiane, u ishte bashkuar forcave të rezistencës greke EAM dhe pastaj Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare dhe arriti të bëhet deri zëvendëskomandant i Brigadës XVI S, me gradën “Kapiten I”. Buqësorja e Kavajës, Gjimnazi i Shkodrës dhe Normalja e Elbasanit ishin vatrat kryesore, ku u edukuan antifashistët e parë.
Pas pushtimit të Shqipërisë, italianët sollën në Shpal, në qendrën e Mirditës, një repart forcash alpine që i komandonte Tenente Nino Kurti(AQSH, F.254, viti 1939, D.6, fl.89). Postat e xhandarmërisë që ishin ngritur gjatë regjimit të Zogut u kthyen në posta karabinierie. Pas kapitullimit të Italisë, gjermanët vendosën forca vetëm në qendrat e nënprefekturave dhe prefekturave dhe përgjatë rrugëkalimeve kryesore. Në Shpal të Mirditës e kishte komandën regjimenti D-181 që mbante nën kontroll rrugën Milot-Rrëshen-Burrel dhe Rrëshen-Shpal-Gjegjan.
Ndër antifashistët më të njohur mirditas përmendim Gjin Markun, i cili në vitin 1940 kalon në ilegalitet. Pjesmarrës në mbledhjen themeluese të PKSH; në dhjetor të vitit 1941 caktohet me detyrë për ngritjen e njësive guerile antifashiste dhe orientimin e qartë të veprimtarisë antifashiste të çetave për çlirimin e Atdheut. Gjini u bë njëri nga drejtuesit kryesorë të rezistencës antifashiste në çetën heroike të Pezës, e pastaj në Skrapar, Berat, Myzeqe, Mirditë, Lezhë, Shkodër e deri në Vishegrad dhe arriti të bëhet komandant i Divizionit VI S, Shqiptarja.com, 28 janar 2014). Ndikim sidomos në Mirditë pati Bardhok Biba, ish student i gjimnazit të Shkodrës, pjesëmarres i grevave antifashiste që në vitin 1940. E filloi veprimtarinë antifashiste si përgjegjës politik për njësitin e Bregut të Bunës; përgjegjës politik në njësitin e Dukagjinit dhe me krijimin e çetës Pukë-Mirditë, emërohet punonjës politik pranë saj.
Pas pushtimit fashist, forcat më të mira atdhetare, ndër ta dhe mirditas filluan të veprojnë shpejt. Në maj të vitit 1941 u formua çeta nacionaliste e Nikoll Çurrit, ndër të para çeta antifashiste në Shqipëri, e cila në verën e vitit 1942, kishte në përbërje edhe 5 vetë të familjes së tij. Nga luftëtarët e tjerë kishte 3 vetë nga Gojani, 4 vetë nga Vrithi, 3 vetë nga Kryeziu, si dhe disa pukjanë nga Kabashi, Dushi, Qelëza, Buhoti etj. (Ismet Balaj, Kulla e Currit plot histori, Geer 2012, f.791-794). Sipas dokumenteve ushtarake italiane çetat e Pashk Currit dhe Imer Bardhoshit së bashku shkonin në 80 vetë(AQSH, F.378, viti 1943, D.24, fl.1). Me 18 nëntor 1943, Komanda e Xhandarmërisë së Nënprefekturës së Mirditës i shkruan Komandës së Xhandarmërisë së Prefekturës së Shkodrës se “në rajonin e këtij rrethi janë tetë kryetar çetash me ide nacionaliste çlirimtare. Emrat e tyre janë dërguar në reportin Nr.58-29 res, datë 18.11.1943. Dy kryetarë, siç thuhet, janë me ide komuniste dhe quhen Mark(Mat) Dod Pepa prej katundit Gomsiqe dhe Pashk Curri prej katundit Fushë Arrës. Këto kategori(lloje komandantësh) mbajnë me veti 10-15-20 vetë për lëvizje personale. Në rast nevoje, sipas propagandës që asht zhvillue janë në gjendje me ngreh më tepër se 100 vetë, tue mos marr parasysh idenat, kjoftë nacionale, kjoftë komuniste.(AQSH, F.254, viti 1943, D.159, shkresë datë 15 shtator 1943).
Çeta e Pashk Currit kreu disa aksione luftarake. Kështu preu linjat telefonike që lidhin Kukësin me Shkodrën; nën kërcënimet për sulmin nga ana e çetës ishin mbyllë postat e Dushit në vitin 1943 dhe të Qafë Malit në vitin 1944. Pashk Curri i bindi përfaqësuesit e Pukës që të mos u bashkoheshin delegatëve të Shkodrës për të votuar Asamblenë Kombëtare të krijuar nga gjermanët(Ismet Balaj, Kulla e Currit plot histori, Geer 2012, f.448). Në gusht të vitit 1944 në Kodrat e Hamallajve, pranë qendrës së Nënprefekturës Pukë, çeta kishte sulmuar një autokolonë gjermane(AQSH, F.253, viti 1944, D.150, f.1); me 31 korrik 1944, në Korthpulë kishte sulmuar dy makina të ushtrisë gjermane, ku ishte plagosur rëndë një gjerman(AQSH, F.152, viti 1944, D.150, datë 31.7.1944). Me 15 gusht çeta kishte sulmuar një autokolonë gjermane. Autorët e sulmit ishin Ndrek Llesh Nikolli nga Bregu Nikollë Marka Prenga nga Miloti(AQSH, F.152, viti 1944, dok. 3, datë 23.8.1944). Në një dokument tjetër shkruhet se Nikollë Marka Prenga ishte prej Shkoze. Me 5 tetor 1944, te Shkalla e Bushtrës, çeta kishte sulmuar një veturë të ushtrisë gjermane dhe kishte plagos shoferin e një xhandar(AQSH, F.152, viti 1944, D.150, dok. nr.5, datë 8.10.1944). Nga mesi i tetorit, çeta e Nikoll Çurrit kreu një aksion midis Urës së Brah Nezës dhe Kodrave të Hadrojt. Autoritetet gjermane dhe të xhandarmërisë kishin identifikuar sulmuesit: Cub Preng Nikolli, Mark Llesh Frroku dhe Jak Mema(Ismet Balaj, Kulla e Currit plot histori, Geer 2012, f.496).
Çeta partizane Pukë-Mirditë në pjesën më të madhe të kohës veproi në njësite: i Pukës, Mirditës dhe i Lezhës dhe për vetë madhësinë e këtyre njësiteve, kishte si detyrë propagandën kundër fashizmit dhe, vetëm në rast se njësiti binte në pritë, kryente detyra luftarake për vetmbrojtje, siç ishte rasti me heronjtë e Vigut.
Çeta Pukë-Mirditë zhvilloi punë të dendur propagandistike dhe si rezultat i saj, krijoi baza të Luftës dhe kushtet për shtimin e rradhëve të Lëvizjes me partizanë nga kjo Krahinë. Në korrik të vitit 1944 u ngritën këshillat nacionalçlirimtare në Gomsiqe, Dush dhe Vig.
Me kalimin e brigadave partizane në veri të Shkumbinit, puna u nda me grupe: Mëhill Doçi dhe Gjon Frroku në Kthellë, Bardhok Biba me nëj partizan tjetër në Orosh; Në Gomsiqe Frano Jakova dhe Mat Doda; Ahmet Haxhia, Naim Gjylbegu dhe Hydajet Lezha punonin në trevën e Lezhës, ndërsa Ndoc Mazi e Ndoc Deda vepronin në Milot(Frano Jakova, Shënime mbi çetën Pukë-Mirditë, Arkivi i familjes Jakova, f.2).
Çeta Pukë-Mirditë ka kryer edhe disa aksione luftarake si goditje me armë te mjeteve transportuese gjermane në Shkallë – Bushtër, në Hadroj, Qafalaç, Dushkakuq gjatë vjeshtës 1943 dhe vitit 1944, ku në këto aksione ka pasur dhe të vrarë e të plagosur(Ismet Balaj, Pashk Curri, revista “Mirdita”, nr. 23, 2019, f. 68). Në heoizmin partizan të çetës përmendet dhe qëndresa e pesë trimave të Vigut që sensibilizoi Mirditën, Pukën, Shkodrën e më gjërë.
Me hyrjen e brigadave partizane në Mirditë, çeta nuk u shkri, por bashkëpunoi me brigadat partizane.
Roli i Britanisë së Madhe ka pasur rëndësi për të përcaktuar fatin dhe të ardhmen e Shqipërisë. Në Britani ekzistonin dy shërbime sekrete që mund të ngarkohen me kryerjen e operacioneve në zonën italiane në Shqipëri. Njëri ishte M.I. (R) (Kërkimi i Inteligjencës Ushtarake), krijuar brenda Ministrisë së Luftës në fund të vitit 1938. Qëllimi i tij ishte të organizonte operacione të parregullta ushtarake.Tjetri ishte Seksioni D, i krijuar pas aneksimit të Austrisë në Mars 1938, i cili ishte pjesë e Shërbimit Sekret S.I.S. (Shërbimi sekret i inteligjencës, i njohur dhe si M.I.6) deri në fund të verës së vitit 1940. Nga fundi i vjeshtës ai u kthye në Zyrën e Operacioneve Speciale (Ekzekutiv i Operacioneve Speciale-NSH), e cila varej nga Ministria e Punëve Ekonomike(Armand Sheqi, British Plans to Organize a Revolt in Northern Albania in Years 1940-1941, Anglisticum Journal (IJLLIS), Volume: 5, Issue: 3, March 2016, p.72). Kur frontet kryesore të luftës u shtynë mbrapa drejt territoreve të shteteve të Boshtit, Ballkani ra në vizionin e Aleatëve. Rajoni, jo vetëm shihej si një vend ku forcat armike potencialisht do të vuanin dëmet e mundshme, por gjithashtu doli tishte një pikë përplasje të shfaqjes afatgjatë të planeve strategjike, ku arsyet politike shpesh zinin thjeshtë vendin e arësyeve ushtarake. Në prill të vitit 1940, M.I. (R) zhvilloi një plan për një kryengritje në Shqipëri, me të cilin do të bashkohen me agjentët e Seksionit D në Jugosllavi. Ata ranë në kontakt me të tre grupet që mund të përfshihen në veprim. E para drejtohej nga ish ambasadori Jugosllav në Tiranë, J.Djonovic, i dyti nga Gani Bej Kryeziu dhe, i treti nga koloneli Murat Kaloshi, i cili kishte Dibrën si bazë (qenie që vinte nga një familje me ndikim në Dibër). Të dy organizatat e fundit dërguan në Shqipëri informatorë për të mbledhur informacion në lidhje me ushtrinë italiane dhe situata e përgjithshme në vend. Seksioni D kishte raportuar për shanset e organizimit të incidenteve dhe të një kryengritje të përgjithshme në pjesën lindore të vendit, veçanërisht në zonën e Mirditës ishin të mira. Por ky plan nuk u miratua dhe mbeti vetëm në letër(Armand Sheqi, British Plans to Organize a Revolt in Northern Albania in Years 1940-1941, Anglisticum Journal (IJLLIS), Volume: 5, Issue: 3, March 2016, p.87).
Nxitja e fiseve gegë kundër pushtuesve do të parandalonte komunistët nga marrja e pushtetit. Një rol kryesor në komplot iu caktua Kupi dhe disa udhëheqësve lokalë të Shqipërisë së Veriut si Gjon Markagjoni, Muharrem Bajraktar, Gani Kryeziu dhe të ngjashme. Sipas McLean, ata ishin të interesuar në ndërmarrjen e veprimeve në mënyrë aktive, pasi regjimi shoqëror që i mbajti ata në pushtet ishte në rrezik shkatërrimi. McLean e vlerësoi koston e sipërmarrjes së planifikuar në 25 000 napolona ari, përfshirë dërgesat e sasive të konsiderueshme të armëve dhe municioneve. McLean bëri një kërkesë të veçantë për të pajisur 2 000 njerëz të organizuar në 8 grupe rebele, me nga 250 persona secili me armët e nëvojëshme. Por mbledhja krerëve të “Koncensusi II” e planifikuar për fillimin e korrikut në mënyrë që të diskutohej plani i kryengritjes dështoi(Bisser Petrov, Great Britain and Resistance in Albania 1943-1944, Études balkaniques 2006, No.2, Institut d’études balkaniques, p.109).
Përpjekjet kishin vazhduar edhe kur Brigadat partizane kishin kaluar në mësymje në veri të vendit. Në korrik të vitit 1944, një mision aleat britanik kishte qëndruar në Orosh për të biseduar për krijimin e një fronti të djathtë antifashist(Ismet Balaj, Kulla e Currit plot histori, Geer 2012, f.791). Ata shoqëroheshin prej emigrantëve politikë shqiptarë(siç shkruhej), në fakt luftëtarëve antifashistë Pashk Curri, Fushë Arrës; Ndue Pjetër Prenga, Kodër Spaç; Mark Jak Bajraktari, Kalivaç; Imer Bardhoshi nga Puka etj.
Një oficer anglez, togeri Nils për disa kohë qëndroi pranë çetës së Pashk Currit, i cili përfitoi furnizime me veshmbathje dhe me armë për çetën e tij(Ismet Balaj, Kulla e Currit plot histori, Geer 2012, f.488). Gjon Marka Gjoni e kishte kundërshtuar luftën me gjermanët. Majori britanik, Saymour, në raportin analitik për situatën politike në Shqipëri në nëntor të vitit 1944, duke trasmentuar për shefat në Londër arsyet e triumfit të komunistëve në vendin tonë shkruan: “Gjon Markagjoni ishte shprehur hapur, se ai nuk do të punonte me britanikët dhe se askush nuk mund ta kalonte atë territor pa marrë lejen e tij”(Majori britanik: Sollëm pa dashje komunistët në pushtet, Panorama 9 mars 2014).
Kapidanët dhe një pjesë e parisë u bashkuan dhe qëndruan deri në humbjen përfundimtare besnikë të italianëve dhe pastaj të gjermanëve. Gjon Marka Gjoni u bë Senator i Perandorisë Italiane dhe i biri Marku, deputet, Ministër i Brendshëm dhe pastaj Ministër i Kulturës. Ata organizuan forca me rrogë, që i përdorën kundër partizanëve jashtë Mirditës, kryesisht në jug të vendit.
Me kalimin e Divizonit të Parë në Dibër, Gjon Marka Gjoni mori masa për të penguar kalimin e forcave partizane nëpër Mirditë. Gjomarkajt kryen mobilizimin sipas parimit burrë për shpi, por vetëm një pjesë e mirditasve iu përgjigj thirrjes së tyre. Muaj para se forcat partizane të kalonin në Krahinë, ishin dërguar njerëz për të krijuar lidhje me atdhetarë antifashistë në terren që do të bindnin popullin se partizanët vinin në Mirditë vetëm për të luftuar fashizmin. Falë punës së gjatë propaganduese të njësitit të Mirditës të çetës Pukë-Mirditë, në këtë krahinë nuk pati luftë të partizanëve kundër popullit. Kundërshtarët e Lëvizjes bënë vetëm dy beteja serioze në përbërje të forcave gjermane në Shpal dhe në Gëziq.
Në sulmin mbi Shpal morën pjesë forcat e Brigadave VIS dhe XXIIS të Divizionit IIS(Mëhill Doçi, Mirdita gjatë periudhës së LANÇ-it dhe të konsolidimit, botimet “Gervis”, Tiranë 2001, f. 75).
Në luftën e Gëziqit ranë në fushën e betejës 22 partizanë të tjerë të gjithë nga jugu, konkretisht: Hysen Shabani. Shaban Ramizi. Gani Islami, Fasli Hoxha, Qerim Gjeladini, Ahmet Reshiti, Mesut Boko Lapardhaja, Vasil Mehmeti, Bajram Mehmeti, Ajet Kosova, Alush Harizaj, Estref Kokruta, Fasli Vokopola, Sadri Rroku, Naim Guri, Firdete Beqiri, Leksi Kondakçi, Skënder Veleshnja, Koli Gjeçi, Izet Xhelo, Gani Çelo, Vangjel Çerepi. Po në këtë luftë janë vrarë e masakruar edhe këta banorë të fshatit të Gziqit: Frrok Ndre Marku, Gjergj Preng Biba, Gjet Dod Bardhi,, Gjet Dod Prenga, Gjet Marka Gjoni, Llesh Dod Prenga, Mara Llesh Doda, Mara Pjetër Bardhi, Mrika Gjet Doda, Ndue Gjok Gjeta, Nikoll Vorf Cara, Preng Dod Bardhi, Vorf Preng Biba. (Nikoll Ndoku, Mirdita në 75 vjetorin e çlirimit, gazeta “Telegraf, 25 tetor 2019).
Pas çlirimit të Mirditës, u mobilizuan deri në 600 partizanë, të inkuadruar në tetëmbëdhjetë brigade(Fragmente nga autobiografia e Bardhok Bibës, shih Yje të pashuar të Mirditës, botimet “Geer” Tiranë 2001, f.23), të cilët, në ditët në vazhdim, morën pjesë në luftime brenda dhe jashtë kufijëve tanë shtetëror, në përbërje të brigadave partizane që kaluan në ish Jugosllavi.
Me forcat e brigadës XXII S, me 20 janar 1945 në Cermizver të Malit të Zi, ra dëshmor Mark Gjet Macaj. Nga Mirdita ranë dëshmorë dhe Pjetër Prengë Lleshi nga Malaj, partizan i brigadës IV S, vrarë në luftimet për çlirimin e Tiranës në muajin nëntor të vitit 1944 në zonën e Bërzhitës. Kurt Osman Ukaj nga Lufajt, pjesëmarrës në njësitet guerile të Tiranës, vrarë me 4 shkurt 1944 në luftimet në Tujan kundër gjermanëve. Gjin Ndue Kola nga katundi Lajthizë i Oroshit, pjesëmarrës në Brigadën V S, u vra në luftimet jashtë kufijëve shtetërorë në janar të vitit 1945(Mëhill Doçi, Mirdita gjatë periudhës se Luftës Antifashiste Nacionaçlirimtare, shtypshkronja “Gervis”, Tiranë 2001, f.92). Gjergj Frrok Legisi, lindur në Shebe e banues në Tiranë, i lidhur me Luftën Nacionalçlirimtare, vrarë me 4 shkurt 1944 nga forcat e Xhaferr Devës gjatë masakrës së 4 shkurtit. Qe plagosur në afërsi të Junikut dhe mbet invalid i përjetshëm Kolë Mark Lufi.
Pjesëmarrja e Mirditës në Luftën Nacionalçlirimtare duhet të ishte më e madhe, por edhe nëse nuk pati numër të madh partizanësh, Mirdita i dha Luftës Nacionalçlirimtar oficerë madhorë që dhanë kontribut të rëndësishëm si dhe luftëtarë trima që u bënë krenari e familjeve të tyre dhe e vetë Krahinës
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.