Shkruar nga Blerina Suta, profesore ne Albanologji ne Kozenca.
Dokumente dhe dëshmi rreth themelimit të kolegjit shqiptar në Itali në 1585

Studiuesja e njohur shqiptare Blerina Suta, me gradat Profesor, Doktor pranë Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, pedagoge me kontratë e Albanologjisë në Universitetin l’Orientale të Napolit, ka sjellë së fundi një hulumtim mbi përpjekjet për themelimin e një kolegji vetëm për shqiptarë në vitin 1585 si vazhdim i kolegjit Ilirik, i cili kishte në përbërje studentë nga i gjithë Ballkani, te botuar në revistën “Shejzat”, Itali.
Në studimin e saj, Suta hulumton situatën, përpjekjet dhe aktorët për ngritjen e këtij kolegji vetëm për shqiptarë duke renditur si kontribut edhe të shumë klerikëve me orgjinë shqiptare, që bënë përpjekje për hapjen e tij.
Dokumentet, që hedhin dritë rreth themelimit të këtij kolegji janë gjetur në Arkivin Sekret të Vatikanit. Detajet e këtij studimi gjithashtu konfirmojnë se shqiptarët kishin të njëjtën rëndësi si dhe fqinjët për Vatikanin.
Më poshtë disa detaje të studimit:
Gjetja në Arkivin Sekret të Vatikanit e dy dokumentave për themelimin e një kolegji për shqiptarët në Bari ose Lecce në fillim të 1585, kanë bërë që studiuesja të hetojë ndër dokumenta të njohura, por dhe të panjohura arkivore, me qëllim përvijimin e një profili të pranisë shqiptare në Relacionet e Vizitave apostolike që përfshinë Ballkanin në dhjetëvjeçarin 1575-1585.
“Pas araqitjes së plotë të dy dokumentave për kolegjin shqiptar, e pamë me vend të hetojmë dhe sqarojme raportin e aktorëvë të idesë së themelimin të këtij kolegji me shqiptarët.
Kolegji “Ilirik” dhe ‘prania’ shqiptare në të
Gregori XIII, me qëllim formimin e klerit, krijoi një rrjet të vërtetë ndërnacional kolegjesh. Madje në 1581 “Congregazione per l’edizione della S. Bibbia”, në kontekst të idesë së themelimit të disa Kolegjve Papnore (“Fondazione di alcuni Collegj Pontifizj”), ka në plan themelimin e një kolegji të përgjithshëm për të gjitha kombet, për ekzistencën e specialistëve në gjuhë të ndryshme etj.
Për zonat e brendshme të gadishullit Ballkanik, ishin bërë disa popozime për krijimin e kolegjeve sipas modelit të kolegjit lauretan.
Themelimi i tyre u parashikua jo vetëm në Itali, por dhe jashtë, siç tregon ideja e jezuitëve për krijimi të një kolegji të përbashkët Ilirik që të bashkonte “kombin Grek” dhe “dalmatin” në vende kufitare mes dy kishave si Shkupi, Sofia, apo në Montesacro ku gjendeshin manastiret e murgjve bazilianë.
Kolegji Illirik i Loretos ishte parashikuar fillimisht në Romë, siç vërehet në “Autobiografinë” e Kardinal Santoro-s ku përshkruhet përpjekja e Gregorit XII në 1579 për ta themeluar kolegjin ilirik në ndërtesën ku ndodhet kisha e Shën Jeronimit në Via Ripetta në Romë (San Girolamo di Schiavoni di Ripetta).
Dokumentete që i paraprijnë themelimit të këtij kolegji dëshmojnë vizionin panballkanik që selia e shenjtë kishte parashikuar për përmbajtjen e nxënësve të tij.
Në njërin prej dokumentave arkivore që gjetëm në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit (BAV) të 1579, për “ngritjen e kolegjit Ilirik” parashikohet edhe Shqipëria si një ndër vendet nga do të vinin nxënësit e kolegjit : “Provincat për të cilat duhet kërkuar zgjedhje janë gjashtë, Bosnja, Shqipëria, Dalmacia, Kroacia, Austria dhe Istria”.
Po kështu në një dokument të Arkivit Jezuit (ARSI), “Shënimet e viti 1584” për Kolegjin Ilirik, dëshmohet se nga brezi i parë i studentëve të kolegjit doli së paku një student që u kthye në Shqipëri. Aty flitet për 30 të rinjtë që kryen kolegjin, mes të cilëve katër priftërinj që u çuan për herë të parë për të shërbyer në Dalmaci dhe një ndër Shqiptarë.
Po nga ky Mision i 1584, na vjen një detaj interesant që mund të na jepte shkas për të vërtetuar praninë e institucioneve mësimdhënëse në zonat shqipfolëse, përveçse në ato sllavo-folëse.
Në një letërkëmbim që gjendet në ARSI Thomaso Raggio i shkruan Acquaviva-s nga Kotorri ku kishte shkuar bashkë me “kolegun i cili kishte ardhur për të mësuar shqip”. Ndoshta bëhet fjalë për dalmatinin Salvator D’Armi i cili ishte një nga dy kolegët që shoqëronin Raggio-n në mision dhe që do bëhet më vonë Ipeshkv i Shkodrës.
Po kështu, një tjetër dokument i ARSI-t që vërteton praninë e nxënësve shqiptarë në kolegj, është ai i një letre të Salvator D’Armi-t (28 gusht 1585) dërguar gjeneralit të urdhërit, në të cilin flitet për gjashtë nxënësh shqiptarë që po i largonin nga Kolegji.
Mbi themelimin e kolegjit shqiptar në 1585
Formimi i klerit shqiptar bëhet objekt i veçantë interesi për jezuitët pas misionit të Komulović -it dhe Raggio-s në Ballkan (1584).
Në materialin e relacionit të Komulović-it dhe Raggio-s të 30 nëntorit 1584 që gjetëm në BAV thuhet se “në këto qytete të Shqipërisë sapo gjendet ndonjë Prift që din të shkruajë në mënyrë mediokre dhe të kuptojë atë që shkruan, e ndihmojnë veten me anë të praktikës. Dhe duke qenë të dëshiruar për të mësuar, do te dëshironin të kishin ndonjë tjetër që t’i mësonte gramatikën”.
Në pjesën përmbledhëse të relacionit, propozohet që numri i studentëvë shqiptarë në kolegjin Ilirik të jetë prej 25 shkollarësh, njësoj me numrin e shkollarëve Dalmatë: “Për ndihmë shpirtërore prej 200 monedhash dhe frymët që gjenden në Shqipëri të rritete në Kolegjin Ilirik numri deri në 50 shkollarë, prej të cilëve gjysma të jenë Dalmatë, dhe gjysma tjetër Shqiptarë”.
Dy muaj pas këtij relacioni, duket se piqet ideja e themelimit të një kolegji të veçantë për shqiptarët ku ishin parashikuar të shkolloheshin 25-30 nxënës. Kështu, ne fillim të 1585, nëpërmjet Kardinal Santoro-s, do të ndërhyhet pranë Papës Gregori XIII për ndërtimin e një kolegji për shqiptarët në Bari ose Lecce.
Disa të dhëna për lindjen e këtij projekti e gjejmë në studimin e Marco Moronit “Il collegio illirico e L’Albania”, të dhëna që autori i ka marrë nga një punim në dorëshkrim i kroatit Jurić për kolegjin ilirik.
Dokumentet e rralla të zbuluara në Arkivin e Vatikanit
Përmbajtja e plotë e këtyre dokumentave dhe vendin i cili gjendet në Arkivin Sekret të Vatikanit (ASV) jepet për herë të parë.
Bëhet fjalë për dy materiale autografe: dokumenti i parë është një letër e firmosur nga Kardinali i Santa Severinës, Anton Giulio Santoro dhe dokumenti tjetër sjell arsyetimin e Gjeneralit të jezuitëve (Claudio Acquaviva) dhe Rektorit të Kolegjit Gjermanik (Michele Lauretano) për themelimin e “Kolegjit të Shqiptarëve”/“Per il Collegio d’Albanesi (siç shkruhet në verso-n/pjesën e mbrapme të fletës së parafundit 3v.) apo “Për kolegjin e shqiptarëve dhe të serbëve”/“Del Collegio d’Albanesi e serviani” (siç shënohet në faqen e mbrapme të fletës së fundit, në verso-n e fletës 4v.).
Fleta e parë me firmë të kardinal Santoro-s i drejtohet Papa Gregorit XIII: “Po i dërgoj Shenjtërisë Suaj këtu bashkangjitur një shënim për përzgjedhje në lidhje me Kolegjin e Shqiptarëve konsultuar prej atit gjeneral të Jezuitëve, dhe Rektorit të Kolegjit gjermanik, në mënyrë që ta lexoni dhe të urdhëroni për ç’ka do t’i shërbejë lavdisë së Zotit të Shenjtë dhe shërimit të shpirtrave”.
Dy fletët e tjera i referohen mendimit të Acquaviva-s, Gjeneralit të Jezuitëve, përveçse Rektor i Kolegjit Ilirik dhe Mikele Lauretanos, Rektor i Kolegjit Gjermanik.
Lecce apo Bari?
Lehtësirat që ofronte Lecce përkundrejt Barit kishin të bënin jo vetëm me çështje të sigurisë, për të evituar ndonjë qëllim të keq të turqve që mund ta merrnin vesh, por dhe të natyrës logjistike. Ishin parashikuar katër mijë skude për ndërtesën, veç të hollave për sistemimin e saj në formë kolegji.
Përsa i përket “urdhrave dhe rregullave” ishin parashikuar të njëjtat që kishte dhe Kolegji Ilirik: fol. 2r. “Për kolegjin Shqiptar duhen katër gjëra: E para i përket vendit që mund të jetë Leçe ose Bari, por do ishte më komod Leçe. Pikërisht sepse qyteti nuk është buzë detit si Bari, ku qëllojnë tregtarë të Lindjes të cilët do ta merrrnin vesh me lehtësi për ekzistencën e këtij Kolegji dhe mund ta përhapnin lajmin tek Turqit, të cilët mund të krijonin ndonjë ide për ta dëmtuar. 2. sepse qyteti është më i madh, më i fisëm, dhe do të gjendet më lëhtësisht ndërtesa si dhe më pak i shtrenjtë për të jetuar. 3. sepse, megjithëse Shenjtëria e Tij përcakton me çdo mënyrë që ta marrë mbi vete Kompania e Jezusit, Kolegji që kanë ata religjozë, është më i stabilizuar, dhe ka marrë rrugë, dhe për këtë mund të kujdesen më mirë dhe në mënyrë më të rehatshme.
Gjëja e dytë është se duhet urdhëruar sa më parë të blihet shtëpia, ose të merret me qera dhe të ndreqet për përdorim Kolegji, dhe, të sigurohet mobilimi, dhe mjetet e nevojshme, dhe përsa gjykojnë ata që e njohin vendin, me katër mijë skude do të blihet shtëpia e duhur. megjithëse do të duheshin të tjera shpenzime për ta ndrequr në formë dhe për përdorim Kolegji.
Gjëja e tretë që ka të bëjë me numrin duket se do të jetë nga njëzetepesë në tridhjetë Nxënës, dhe për ata që do të shërbejnë, qeverisin, ata të Kompanisë, do të mjaftojnë ndoshta tre ose katër, dhe përreth nja pesë shërbyes. Mendohet se për nxënësit do të mjaftojnë pesëdhjetë skude për secilin, për ngrënie, veshje duke i blerë gjërat në kohë.
Për mënyrën se si do vendoset për pranimin, apo dhënien e vendit nuk duhet tjetër veç asaj që do të vendoset si e duhur nga Shenjtëria Juaj. E katërta, përsa i përket urdhërave dhe rregullave, mund të jenë të njejtat me ato të Kolegjit Ilirik, dhe forma e asaj Bulle në pjesën më të mirë mund t’i shërbejë këtij Kolegji.”
Ndonëse ideja e këtij kolegji nuk pati mundësi të realizohet për shkak të vdekjes, në pranverë të 1585 të Gregorit XIII, konteksti i ndërtimit të tij i sheh shqiptarët përkrah popujve të tjerë ballkanikë në përpjekjen për t’i bërë ballë rrezikut turk nëpërmjet mësimdhënies dhe formimit të klerit.
Aktorët e përpjekjeve së themelimit të Kolegjit të Shqiptarëve
Kardinal Santoro, personazhi kyç i veprimeve të Selisë së shenjtë për kombet orientale, i quajtur “mbrojtës i kombeve Orientale” (Prottetore della nazioni Orientali) është gjithashtu themelues i Kongregacionit për reformën e grekëve që jetonin në Itali si dhe Rektor i parë i Kolegjit Grek të themeluar në Romë nga Papa Gregori XIII në 1576. Duke monitoruar informacionet për Selinë e shenjtë mbi dallimet etnike mes Shqiptarëve, Sllavëve dhe Grekëve që patën emigruar në Itali, ai do të bëhet gjithashtu iniciatori i specifikimit etnik dhe gjuhësor që do të bëhet për shqiptarët si “italo-albanesi” në shekullin më vonë.
Në 1578 një “Promemorie” e Kardinal Santoro-s për ndihmën shpirtërore të kristianëve orientalë, sugjeron pikërisht shtypjen dhe shpërndarjen e librave me shkronjat dhe gjuhët orientale: “4.a Do të jetë me mjaft dobi botimi për ato vende i librave të ndryshëm në gjuhë të ndryshme, me germa d.m.th arabe, kaldease, armene dhe abisine, libra të cilët mund të shpërndahen në ato vende nëpërmjet tregtarëve, apo nëpërmjet dërgesave prej këtu me postë.; […] 5a ajo që Shenjtëria e Tij ka filluar të bëjë në mënyrë të pavarur është kryerja e disa shpenzimeve për botimin arabik dhe armen, do të duhej të vazhdohej në mënyrë që të shtypen vepra të ndryshme, siç ka treguar se e ka qëllim, dhe do të ishte gjithashtu mirë, në mënyrë që të mos mungojë në të ardhmen e të mos vonohet botimi i librave të tillë për ndihmën e popujve lindorë, të firmosej shifra e njëmijë a më tepër skudeve, për t’u shpenzuar çdo vitnë vepra të tilla, dhe të qëndrojë kështu në vazhdimësi për ndihmën shpirtërore të atyrë popujve, dhe administrimi i tyre të varet prej të të ngarkuarve të posaçëm me kontroll të ndonjë kardinali të nderuar”.
Në 1582 Santoro ndjek nga afër gjendjen e shqiptarëve të Himarës si dhe fatin e disave prej tyre, të cilët, pasi kanë studiuar dhe kanë marrë votat, duhet të kthehen dhe të “ndërtojnë një manastir fretërish aty”.
Michele Lauretano, (1537-1587), rektori i Kolegjit Gjermanik të Romës është figura tjetër kyçe e përpjekjes për ngritjen e kolegjit shqiptar në Lecce.
Ai arriti të ruajë një profil panballkanik në veprimtarinë e tij megjithëse diskutimet që ka shkaktuar origjina e tij shqiptare, apo dalmato Ilirike.
Miroslav Vanino bazuar në pohimet e Kačić (1610), shkruan se ai nuk është nga Recinetum i Ilirise (malet afer Shkodres) dhe se fjala “shqiptar” përdorej për të shenjuar edhe kroatët. Ai hedh idenë se eshte nga Zara dhe se kur shkoi në Loreto ndërroi mbiemër nga Dalmata në Lauretanus.
Të dhënat për origjinën shqiptare të Lauretanos gjenden në një dokument të ARSI-t shkruar prej Jacomo Borghesi-t (1601), një bashkëkohës dhe nxënës i Lauretanos. Në këtë dokument, të cilin e kemi sjellë të plotë, jepet një shpjegimi i detajuar i kontekstit të mërgimit të shqiptarëve në zonën e Kalabrisë dhe të Napolit: “Për At Mikael Lauretanon, për aq sa unë kam dëgjuar prej atij vetë (duke pasë qenë ai mësuesi im në humanitete për rreth dy vite ne Forlì, rreth 1562, dhe nga të tjerë që e kanë njohur në ato kohëra), p. Michael-i lindi në Recanati nga prindër shqiptarë të varfër përsa i përket mundësive të kohës, por të krishterë të mirë dhe të pasur me frikën ndaj Zotit, kur Shqipëria u pushtua nga Turku, që ndodhi në kohë të Piut të dytë, dhe duke u mundur Aleksandër Skanderbescu, shumë prej atyre popujve, kalojnë këtu në Itali për të mos ndenjur nën tiraninë e Turkut. Dhe kështu mbushën të gjithë bregdetin Adriatik deri në fund të Italisë në Kalabri saqë gjenden në Mbretërinë e Napolit, fshatra të ndryshme dhe kështjella me ata njerëz. Në Feudin e Rekanatit erdhën të qëndrojnë shumë familje që gjenden akoma, mes të cilëve edhe prindët e at Michale-it.”
Si një nga njerëzit që gëzonte “besimin absolut të Papa Gregorit XIII”, pavarësisht origjinës, figura e Lauretanos rrezaton një përmasë ndër-nacionale të rëndësishme duke u interesuar gjerësisht për çështje të Ballkanit.
Në një tjetër dokument të epistolarit me Polankon (5.01.1570) e shohim të interesohet për regjistrimin e një një të riu nga Shqipëria nënë Kolegjin Roman, ashtu si, në 1578, e takojmë emrin e ij në udiencat e Kardinal Santoros që kanë të bëjnë me diskutimin e memorialit që do të çojë në vendimi i Papës për kryerjen e katekizmave në gjuhët kombëtare në Serbi.
Ky universalitet i figurës së Lauretanos i ngjan, jo pa shkak figurës së Komulović-it të cilii pikërisht Lauretano i dha strehim në Kolegjin gjermanik kur u largua nga kisha e Shën Jeronimit të ilirëve (San Girolamo degli Illiri).
Komulovi kishte lidhje të veçantë me Shqiptarët, siç dihet nga materialet tashmë të njohura për lexuesin shqiptar përreth Vizitës së 1584, por dhe nga të tjera materiale siç janë të dhënat ku flitet për këshillat që Papa i jep Klementi VIII i jep atij per të kontaktuar me Shqiptarët para Misionin diplomatik të 1593, si dhe për rolin që Komulovići luajti në organizimin e lëvizjeve të sukseshme shqiptare të rezistencës antiturke ne 1595-1601, sipas Pierling, Papes et tsars.
Si përfundim, të dhënat mbi rrethanat dhe aktorët që u përfshinë në idenë ë themelimit të një kolegji për Shqiptarët në 1585, janë të dhëna që e vendosin historinë kulturore të shqiptarëve në këtë periudhe në një kontekst të ngjashëm me fqinjët.
Shejzat, 1-2, 2017