Nikolle Loka

Mi kallxo arat

May be an image of natyrë dhe mal

Mi kallxo arat e ti gjej kufijt,

shpatet e lugjeve të gjana,

vijëndarjen për kurriz,

në tokën qi mbet nan murana,

kohë e ligsht,

pamje e hijeve të randa,

për midis Bjeshkëve t’Namuna…

O more ku je,

ka ra hasmi ndër ne,

ka ra gjama,

vra e pre,

e arat s’kanë mbi,

në kroje po rrjedh uji i zi,

në prrojna ka ra flama,

mbi ujë po rrjedh gjak i ri!…

Të lutem m’i kallxo arat,

trojet që na i muerën barbarët,

më le t’i gjej vetë kufijt.

“””””””””””””””””””

Rrjedhë
May be an image of pemë, mal, liqen, natyrë dhe qiell

Burime që shtohen rrugës,

duke kapërcyer pragje dhe nënura,

përrenj pa emra,

që bredhin arterieve dhe venave të trupit,

lumenj të deteve të ngrohta të dimrave,

rrjedhë në kapërcim,

rrahje pulsesh,

ritme zemrash,

ujëvarë që derdhet përsëri në burim,

pa humbur askund një pikë ujë,

gurrë e virgjër e shpirtërave,

udhë e pashkelur,

ortek ujë i lëshuar pa duar.

“””””””””””””””””

Hallka, hallka, hallka!…
Hallka, hallka, hallka,
sa të terren sytë,
të drunjta, të gurta, të zjarrta,
të ëmbla, të idhta, të tharta…
Çfarë s’ta solli dita,
fati yt,
mos prit ta sjellë nata,
mos prit as nga qiejt,
kur ndër akullnaja
në shtigje të udhëve të gjata,
brenda muresh të larta,
bjerret shpirti yt.
Hallka, hallka, hallka,
në tri pranga të arta,
në tri pranga të ajrta…

Shëmben idhuj
Shëmben idhuj pa krena,
mbi tempuj,
rrënohen muguj!
Rrëzohen mure nga brenda,
ndër dyer
fluturojnë copa gurësh.
Horizont pylli i mbrëmjes,
s’duken drurët.
Nëpër muzg të kthjellet mendja,
s’mbin grurë, ku rritet egjra,
ndihemi unët.

Ma mirë laj duert!
U shemb nji mur nga themelet
mos thuej!
U shemb trau i nji kulle,
u shkim nji za,
laj duert!
S’asht kohë me qa,
por aty nuk ishim na
mos thuej!
E nëse jena në t’huejt,
çka kem me ba,
mos truj,
nuk rregullon gja!
Askand s’e ban me turp,
e pra mos u sill si kalama,
që s’di çka thuhet,
mos shuj,
ma mirë laj duert!
Ma mirë laj duert,
se vjen nji ditë
e shihen gjurmët.

Çadra
Çadra ngjan si një maskë e domosdoshme,
një maskë që blihet lirë në treg,
ta mbulon fytyrën dhe ta zbulon dorën,
shiun ta lëshon me pikatore,
dhe gjithë ajo lakuriqësi e bjerrje mjegulle,
me ujin përfundon në det…

Por ti mos e thuaj se nuk blihen ura,

se nuk thahen qiejt!

Mjegulla nuk gjuhet me gurë nëpër pasqyra,

as kur çadra të prishet,

dhe kur vranët të rri fytyra.

Kërko pra në njëmijë e një arsye,

në njëmijë e një mënyra,

një pergjigje të vetme!

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.