Marre nga portali”
“.Rreth dy vëllimeve të librit të Mario Guarnaccit “Origjinë italike apo janë kujtime dhe histori etruske”.
Nikollë Loka
Dominique Briquel thekson se “traditat e dhëna nga Antikiteti mbi origjinën e etruskëve janë vetëm shprehja e imazhit që aleatët ose kundërshtarët e tyre donin të përhapnin. Për asnjë arsye, historitë e tilla nuk duhet të konsiderohen dokumente historike. Sigurisht etruskët ishin subjekt i një debati të vërtetë, në të cilin, siç tregojnë vëzhgimet e Dionisit të Halikarnasit mbi izolimin e gjuhës etruske, dolën elemente shkencërisht të provuar, si dhe kujtime të vërteta historike”. Në fakt, historitë e autorëve grekë mbi origjinën e etruskëve janë hartuar shumë shekuj pas dëshmisë së parë arkeologjike të etruskëve në Itali. Për më tepër, burimet më të lashta si “Teogonia e Hesiodit” dhe një himn homerik nuk përmendin një origjinë autoktone të etruskëve.
Dy tezat mbi origjinën orientale (ajo pellazgjike nga Thesalia dhe ajo anatoliane nga Lidia), në fakt kishin për qëllim lidhjen e origjinës së popullit etrusk me një horizont etnik, kulturor dhe gjeografik më afër botës greke, ndërsa teza autoktone e etruskëve synonte të theksonte, me një kuptim nënçmues, distancën etnike dhe kulturore që ekzistonte midis etruskëve dhe grekëve. Studimet e fundit gjuhësore kanë treguar një afërsi të qëndrueshme të gjuhës etruske me gjuhën retike, të folur në Alpe. Besohet se si gjuhët etruske, ashtu edhe ato retike janë pjesë e familjes së gjuhëve tirrenike, që i përkasin gjuhëve para-indo-evropiane dhe paleo-evropiane.
Teza e prejardhjes orientale jepet nga Dionisi i Halikarnasit, duke iu referuar traditës athinase, që i lidh tirrenasit me pellazgët, e vendosur në Pellazgiotide, një territory në Thesali. Pellazgiotidët u pushtuan nga fiset e dorianëve, thesprotëve dhe të mollosëve dhe nga fiset e tjera gjatë ngjarjeve që pasuan Luftën e Trojës. Sipas Ellanikos, pushtimi i grekëve përcaktoi ikjen e pellazgëve nga vendlindja e tyre në drejtim të detit Adriatik dhe përtej në Gadishullin Apenin, në deltën e lumit Po, pranë Spinës dhe më vonë në Cortone, nga ku u vendosën në rajonin e quajtur atëherë Tirrenia, duke marr emrin e Tirrenit. Nën emrin e Tirrenit, pastaj ata u kthyen për të frekuentuar detet e Lindjes me anijet e tyre.
Teza e Ellanikut të Lesbos, megjithëse sugjestive, është përpunuar në një klimë politike veçanërisht të favorshme për etruskët, domethënë kur etruskët dhe athinasit, në fund të shekullit të pestë para Krishtit, u gjendën aleatë kundër sirakuzanëve dhe sikulëve (siçilianëve).
Një hap i rëndësishëm i bërë nga historiani romak Tit Livi mbi Etrurinë padane dhe Retinë me popullsi alpine të luginave të Trentino-Alto Adiges së sotme(e shpërndare në pjesë të Venetos, në Zvicrën lindore dhe në Tirolin austriak), i referohet prejardhjes së tyre nga etruskët, mbështetur në ngjashmëritë gjuhësore. Arkeologë dhe historianë të tjerë autoritarë të shekullit XIX, si Theodor Mommsen , Wolfgang Helbig, Gaetano De Sanctis dhe Luigi Pareti e ndoqën këtë teori, e cila përmbysi pikëpamjen tradicionale të historianëve gjuhësorë, pasi argumentohet se ishin etruskët ata që migruan nga veriu në Italinë Qendrore, të ardhur nga territoret alpine të Retisë. Me fjalë të tjera, sipas hipotezës së origjinës veriore, etruskët zbresin nga Retia dhe jo anasjelltas, siç thuhet në burimet latine.
Në libër gjejmë pohime të cilat lidhen me vendin tone dhe ngjallin interesim të veçantë për lexuesin shqiptar. Po përmendim vetëm një pjesë të tyre: Adria, që i ka dhënë emrin gjithë detit Adriatik ka qenë koloni e toskëve. Toskët zotëronin të gjitha detet, gjatë gjithë gjatësisë së Italisë nga Alpet deri në Faro, si dhe në ngushticën e Sikulit (Siçilisë), pra zotëronin sigurisht Detin Adriatik dhe detin Jon. Tit Livi e paraqet krejt Italisë etruske. Sipas tij “Dodonën dhe Tepullin e saj e kanë ndërtuar Tirrenët pellazgë.
Dr. Ana Hida në parathënien e librit, ndër të tjera thekson: “Është kënaqësi e veçantë, kur në libër lexojmë emrat: Homeri, Uliksi, Troja, Antenori, Enea, Askanio, liburnët, sikulët, ilirët ku, siç thotë Burnacci “i përshkruan Homeri si të tijët”. Kush ishin të tij? Homeri ishte pellazg, dardan. Ai i ka mëshuar idesë se etruskët nuk janë grekë, por janë pellzgë, që Roma dhe Greqia i zmadhuan, i zbukuruan dhe i tjetërsuan historitë e tyre. Ai përmend një port përtej Brundusios(Brindizit), të quajtur Volana Civitas, Valona (Vlora), të cituar shumë herë nga Plini dhe Polibi, të cilët e konsiderojnë si “portin më të sigurtë të gjithë Adriatikut”. Kur ka jetuar dhe shkruar këtë vepër Guarnacci, Shqipëria ishte thjeshtë një territor ottoman dhe ai nuk e njihte gjuhën shqipe, por duke u nisur nga përvoja e tij prej shkencëtari dhe nga arritjet e shkencës së gjuhësisë, paleografisë, arkeologjisë etj shpreh idenë se “latinishtja u krijua nga gjuha etruske. Por nëse këta etruskë janë dardanë ilirë, do të thotë se ajo gjuhë ishte ilire.
Dr. Ana Hida dhe Prof. Magjister Murat Ajvazi me botimin e këtyre dy vëllimeve meritojnë çdo falenderim. Teza pellazge e origjinës sonë është krijuar nga shkencëtarë të njohur botërorë dhe po pasurohet çdo ditë. Vitet e fundit është shtuar kontributi shqiptar, ku duhen veçuar veprat shkencore të Nermin Vlorës, Aristidh Koljes, Mathieu Aref, Niko Stillo etj. Ne nuk kemi asnjë arsye të mos vazhdojmë në këtë drejtim. Përkthyesja Ana Hida ka bërë një punë voluminoze me dy vëllimet e publikuara dhe Murat Ajvazi, kryetar i Lidhjes së Historianëve në Botë, me qendër në Zvicërr ka sponsorizuar botimin e tyre. Një sakrificë fisnike, për t’i shërbyer kulturës sonë kombëtare.