14.5 C
Tiranë
E shtunë, 26 Prill 2025

Njihuni me poeten:Mirela Leka Xhava

 

U linda në Elbasan në vitin 1966 pranë mureve te  “Kalasë” së qytetit, që më përkundi e më dha frymëzimet e para poetike.E dashuruar me letersinë  që në fëmijëri, kam botuar herë pas here në revistat e gazetat e para viteve 90′ dhe më pas  në gazetën  “Fjala e lirë”,si korespondente për disa vite,duke botuar artikuj dhe poezi,e inkurajuar nga kryeredaktori i respektuar  Z.Bujar Hudhri.Ndërkohë vazhdova studimet e larta  dhe u diplomova për Gjuhë-Letërsi Shqipe në Universitetin e Elbasanit. Në vitin 2000 botova librin e parë me poezi “S’e dua dimrin në sy”.me redaktues poetët Z.Musa Vyshka e  reçensues poetin Z.N.Ejupi.
Deri në vitin 2002,para mergimit tim në Francë punova Bibliotekere në Bibliotekën Universitare të qytetit.
Letërsia dhe krijimtaria është e pandashme  kudo ku  unë ndodhem.
Kohët e fundit,pas një  mungese relativisht të  gjatë,kam botuar  cikle poezish në revistën Atunis Galaxy Poetry drejtuar nga z.Agron Shele Belgjikëdhe në disa revista e gazeta prestigjioze  në Shqipëri, Kosovë ,Angli, Kanada etj.
Jam në  proces të përgatitjes për botim të një vellimi të  ri me poezi e inkurajuar gjithashtu nga familja ime.

 

Më  tregoni historinë tuaj Zonjë,

Historia juaj  nuk është përrallë sigurisht
Fundja përrallat nuk ekzistojnë
Historia juaj  s’do mënd nuk mund t’i ngjajë times
Kur vimë nga dy planete tokë  të  ndarë.

Ju nga planeti i Perëndimit
Unë nga planeti i  perënduar Lindjes.

Historia ime nuk është tragjedi,sigurisht
Përderisa jam ende gjallë
Historia ime kishte dhe s’kishte Krisht
Diktatorët até, vetë zota u bënë.

Dëgjojini zhurmat e planetit nga vij,të qeshurat dhe të qarat
Dhe më pas më tregoni historinë tuaj Zonjë.

“””””””””””””””””””””

Në  muzg

Ne muzg dielli shkon të flejë ,
Teksa zhduket horizontit në detin blu
Për të përqafuar sirenat.
Hëna  ngjitet në kupë të qiellit
Për të puthur yjet.
Toka  mes qiellit dhe detit
Ka rënë  në  dashuri me njerëzit.

“””””””””””””””””””””””””

Atdheu  im, të dua!

Atdheu im ,a  e di?,
Të tradhëtova, para se të të doja
Si Juda  e putha Jezusin 
Tej dritares me hekura, drita vezullonin
Atje jashtë,dielli ngrohte,gjer në Perëndim…

Me copëza librash të mykur, zbukurova muret
Fshehtas e strehova “zonja Bovarinë”
Tek mallkoja veten e token asokohe
Ndizja qirinjtë e tretur, gjer në agim.

Aq shumë u dashurova me botën,atje jashtë
Sa të urreva ty, a e di?
I theva hekurat, me zemërimin e Titanit
E të thashë ika,lamtumirë!

***
Të përkulem në gjunjë,atdheu im
Me dashurinë e fëmijës,pas një faji
I mallkoj dogmat e çelësat me gjithë dryn
Që mbajtën të mbyllura dritaret..

“””””””””””””””””””””””””””””””””

Si rrobat e lara mbi telë

Fëmijëria ngeli prapa meje
Si rrobat e lara mbi telë
Nën qiellin që ngjyrat ia zbardhi
E në kutinë e kujtimeve flenë.

Në atë kuti amaneti të artë
Kyçur nga nuk e di se kush
Ne grahmën e fundit me e hapë
Është  e  jotja do më thonë,e askujt.

Fëmijëria e kujtimeve do të  rikthehet
Sërish  do të luash vëllezër e motër
Ah,ç’lumturi  do të  ndjeja
Të  bashkohesh si atëhere  në një votër.

Të shohësh nënë tënde pas telave
Duke nderë rrobat një nga një
Le të zbardhen nga dielli i verërave
Do t’i lutesha ti lërë në shportë përgjithnjë.

“””””””””””””””””””””””

Penelopë

Në Odisenë e gjatë të pritjes
Ku vitet dukeshin ditë, e ditët vite
Ku orët  mureve ngërdhesheshin,si
Piktura surrealiste të Dalit,
Vargjet i shkruaja, i  grisja
E serish, e sërish, e sërish
Sa nuk kishte kosh ti nxinte…

Në netët e gjatë
Të thurjes e shthurjes së pëlhurës
Së fjalës së dhënë,betimit.
Odisesë njëzet vjeçare homerike
Të pritjes
Prita…
Si Penelopa Uliksin.

“””””””””””””””””””””””

Muret prej guri

Muret kanë veshë,thonë
Kanë sy muret, kanë shpirt
Muret  pëshpërisin netëve ,më besoni
Ia dëgjoj trokitjen,si  maja gishtërinjsh.
Përgjimtarë që kujdesen mos na zgjojnë
Muret , të thinjurit e paqtë
Muret prej guri të rëndë
Legjendat përqafuar, si Rozafë.
Mure kalash që  buzëqeshin hirshëm
Me të bukurit dhëmbë rruaza bedenash
Me lule që dalin prej zemrës së çarë,
Me emër fisnik goje-asllanë.
Dëshmitarët besnikë të një kohe të lashtë.
Gurët dhe lulet bashkë
Në një përqafim të zjarrtë
Këndojnë këngët e moçme rrëzë Kalasë.

Gurët kanë memorie,thonë
Janë  shpirtra të thyer në mijëra pasqyra
Janë këngë, poezia e pikës së vesës, që i lag buzën e tharë
Janë përkëdhelje, janë të rëndë nga malli.
Guri është biri i tokës
Bashkë ekzistenca, simbioza në duart e njeriut
Për t’i ndërtuar jetës,çati dhe mure.
Ai gur që na futet në xhep, kur i “braktisim”.
Ai eshte magjia që ka brenda, lot e puthje.
Flenë legjendat, flenë epokat,historia flenë.
Gurët  dhe ne,ku vetveten gjejmë…

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.