14.5 C
Tiranë
E enjte, 6 Shkurt 2025

Parlamenti miraton ndryshimet në Ligjin për Diasporën

Parlamenti ka votuar ditën e sotme pro ndryshimeve në Ligjin për Diasporën, ndryshime të propozuara pas krijimit të dy strukturave të reja për Diasporën, Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët dhe Komiteti Shtetëror për Diasporën.

Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për ka nisur funksionimin e saj në janar 2020 dhe ka si mision kryerjen e studimeve të specializuara për historinë, letërsinë dhe kulturën e komunitetit arbëreshe siç janë arbëreshët e Italisë dhe Arbanasit e Kroacisë. Këto komunitete të shqiptarëve të cilët për shkak të veçorive të tyre etnografike, gjuhësore dhe kulturore si dhe faktit që kanë mbijetuar mbi 5 shekuj duke ruajtur vlerat dhe traditat e tyre pa një kontakt të vazhdueshëm me vendin amë, meritojnë një vëmendje të veçantë për kryerjen e studimeve dhe publikimeve.

Ndërsa Komiteti Shtetëror për Diasporën është organ konsultativ i Këshillit të Ministrave për bashkërendimin e politikave e të veprimtarive shtetërore në fushën e Diasporës. Ai drejtohet  nga Kryeministri dhe ka në përbërje 9 anëtarë, Ministrin për Evropën dhe Punët e Jashtme; Ministrin e Brendshëm;  Ministrin e Financave dhe Ekonomisë;  Ministrin e Drejtësisë;  Ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;  Ministrin e Kulturës;  Ministrin e Mjedisit dhe Turizmit;  Ministrin e Shtetit për Diasporën;  Guvernatorin e Bankës së Shqipërisë;  Kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe Drejtorin e INSTAT-it.

Nisur nga qëllimi për forcimin e lidhjes me vendin e origjinës dhe njohjen e gjuhës e kulturës shqiptare Ligji i ndryshuar për Diasporën parashikon gjithashtu dhënien e bursave studentëve nga komunitetet shqiptare të Diasporës për të studiuar në universitetet e Republikës së Shqipërisë.

Me propozim të Ministrit të Shtetit për Diasporën, z. Pandeli Majko ndryshimet në ligjin për Diasporën përfshijnë edhe dhënien e çmimeve kombëtare dhe medaljeve për kontribut të veçantë në ruajtjen, forcimin e lidhjeve ndërmjet vendit të origjinës dhe Diasporës, promovimin e Shqipërisë në botë dhe përkrahjen e interesave të saj.

Ndërsa Ministri i Shtetit për Diasporës, Pandeli Majko deklaroi sot gjatë seancës se: “Ligji për Diasporën është një ligj i miratuar në këtë Parlament dhe tashmë, falë dhe ndryshimeve të reja që kanë ndodhur në politikën shtetërore për Diasporën vijnë këto propozime. Ka shumë rëndësi që këto propozime u miratuan në Komisionin për Politikën e Jashtme”.

Ai theksoi se: “Ka shumë rëndësi që ne të ecim më shpejt përsa i përket politikës tonë shtetërore për Diasporën dhe krijimi i Qendrës së Arbëreshëve është një nga lajmet më të mirëpritura nga komuniteti arbëresh”.

Ligji u miratua në tërësi me 95 vota pro, 9 kundër dhe 5 abstenim, do të hyjë në fuqi 15 ditë pas publikimit në Fletoren Zyrtare dhe nuk parashikon kosto shtesë në buxhetin e shtetit.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.