20.5 C
Tiranë
E shtunë, 4 Prill 2026

Pjetër Nikolla, studiues dhe krijues letrar

SIMPOZIUM në Rrëshen Mirditë kushtuar Mësuesit të popullit
Ndrecë Ndue Gjoka, ALTAR I ARSIMIT KOMBETAR, me rastin
e 70 vjetorit të rënjes, me 17 shkurt 1946-2016.
Referat, mbajtur nga Pjetër Nikolla, studiues dhe krijues letrar
Të nderuar Drejtues të Bashkisë, të Arsimit e të Kulturës në Mirditë, personalitete të ardhur nga Tirana, Dr. Moikom Zeqo,Historiani Pellumb Xhufi, nga Kosova, prof. Mikel Gojani , Dom Ben Zymi, familjarë të Mësuesit të Popullit Ndrecë Ndue Gjoka e të tjerë.
Të flasësh apo të shkruash për “Mësuesin e Popullit” nuk gjenë fjalë për vlersimin që meriton kjo figurë e ndritur e arsimit kombëtar.
Eshtë nder për Mirditën por edhe për gjithë Shqipërinë kjo figurë e rëndësishme e arsimit. Jo më kot flakëron në horizontin shqiptar Ndrecë Ndue Gjoka, sepse Mirdita është djepi i autonomisë, i vetqeverisjes dhe i rezistencës shumëshekullore ndaj pushtimit Osman.
Nga ky truall kanë dalë tri figura të rëndësishme të Kulturës dhe të Arsimit kombëtar: Gjergj Fishta, nga fisi Paci Domgjon, kryetar i komisionit të shkronjave shqip në Kongresin e Manastirit. Prend Doçi; kryetar i shoqërisë “Bashkimi” Shkodër, nga u përzgjodhën germat latine që sot i përdorim në shkrimin Shqip, dhe Ndrecë Ndue Gjoka, i cili u bë pishtarë i dritës dhe i arsimit kombëtar; Lapidarë e monumenete të tyre duhet të qëndrojnë krenar në sheshin kryesor të qytetit të Rreshenit.
E rëndësishme është se Mirdita po vazhdon të japë kontributin e saj për arsimin dhe kulturën kombëtare me personalitetet e saj që nga Fishta e në ditët e sotme Lindita Nikolla, Ministre e Arsimit, akademiku Mark Tirta, Gjokë Beci, Luigj Gjoka, Ndue Deda, Nikollë Toma, Gjergj Marku, Pjeter Marku, Preng C. Lleshi, Agim Doçi etj.
Mësuesi lindi në vitin 1919 në Fan dhe u bë Fanar i dritës së arsimit në Shqipëri. Mësimet e para i mori në konviktin e Oroshit dhe u brumos në Normalen e Elbasanit me ideale të larta nga Aleksandër Xhuvani dhe Luigj Gurakuqi. Filloi mësues në Linaj Shkodër në vitin 1940.
Në periudhën më të vështirë nga pushtimi fashist në vitin 1941, ai bashkë me dy qind mësues të tjerë, shkuan në Kosovë për të ndihmuar në ngritjen e Shkollave Shqipe.
U emrua në shkollën e Zllakuqanit ku kishte dhënë mësim Shtjefën Gjeçovi.
Me mbritjen e Ndrecës, shkolla u gjallërua. Rreth shkollës fluturonin pëllumbat si simbol të lirisë dhe të paqës, të cilët i kishte sjell mësuesi. Në oborrin e shkollës ai instaloi disa aparate që shërbenin për parashikimin e kohës.
Ai nuk ishte një mësues i thjeshtë, por me një horizont teorik dhe aplikativ në fushën e arsimit, me aftësi të mëdha organizuese e drejtuese, ai dinte gjuhë të huaja, italisht, gjermanisht dhe serbisht.* * Gazeta “Bujku”,Kosovë 6 mars 1995.
Emri i tij në Zllakuqan, Pejë e Gjakovë u shndërua në një simbol frymëzues për arsimin e diturinë. Kërcënimet e përndjekjet, për likujdimin e tij fizik nuk e mposhtën. Ai u arrestua dy herë, nga serbet dhe bashkëpunëtorët e fashizmit. Herën e parë, e lidhën me tel brënda në shkollë dhe e dërguan në postën e Zllakuqanit, e mbajtën tre dite. U ngritë popullsia dhe nxënësit e shkollave të cilët protestuan dhe u lirua. Por përsëri u arrestua dhe me ndërhyrje nga patriotët kosovar u lirua.
Ai u shqua në kthesat e historisë. U rrjeshtua në luftën kundër fashizmit e Nazizmit, ashtu siç ishte merita e Shqiptarëve që u rrjeshtuan në këtë kualicion të rëndësishëm Amerike,Angli, France etj, edhe në këtë luftë të drejtë.
Ndreca ishte nënkryetar i Këshillit NÇl. dhe shef i arsimit të nënprefekturës Mirdite Vëllai i tij, Zef Ndue Gjoka u zgjodh anëtar i kryesisë së Këshillit NÇl. të rrethit të Mirditës.
Mësuesi veteran Mark Boçi, i cili ka punuar me Ndrecën, tregon se, ai vlersohej shumë si personalitet i rëndësishëm i rrethit. Gjithnjë pritej dhe vleresohej mendimi i pjekur i tij.
Për ngritjen e shkollave në Mirditë nuk ka patur vendim të ministrisë as të qeverisë. Ishte inisiativa e Ndrecës në bashkpunim me Bardhok Bibën dhe u veprua me një vendim të këshillit antifashist për hapjen e shkollave në Mirditë.
Megjithëse nuk kishte asnjë bazë materiale për hapjen e shkollave, ai bëri të angazhoheshin të gjithë. Fshatarët liruan shtëpitë e tyre, të cilat u bënë shkolla. Mësues u bënë ata që kishin mbaruar shkollën së bashku me Ndrecën në konviktin e Oroshit!
Vështirsitë ishin të mëdha, por u arritë të ngriheshin 51 shkolla në fshatrat e Mirditës.
Ndër mësuesit e parë ishin: Ndue Gjin Tuci, Orosh, Llesh Prend Marku Kalor, Geg Bardhoku dhe Nikoll Ndreu Rrëshen, Preng Ndue Prenga Simon, Kol Picaku Përlat, Mark Boçi Shëngjin, Dom Nikoll Luli Bisak , Llesh Dod Pjetri Sholth, Dod Shyti Konaj, Dom Mark Hasi, Pjeter Marka Tuci, Nikoll Baloj Orosh, Preng Nikoll Gjoka Mashtërkor, Pjeter Gjin Frroku Blinisht, Jak Zef Haxhia Gjegjan, Zef Gjok Doda Spaq, Kolë Marka Kola Qaf Mali, Qup Ndoc Brunga Gomsiqe, Dom Lec Sahatçiu Gëziq, Mark Legisi Shebe, Gjon Melyshi Malaj, Bib Gjeta Prosek, Pjeter Preng Toma Perlat, Nikoll Biba Kurbnesh, Cub Rica Bushkash, Zef Ndreca Ungrei, Gjok Ndue Jaka Manati, etj.
Sa vlera fisnikërie treguan këta mësues të parë të Mirditës! kur Ministria e Arsimit iu dërgoi rrogat për punën e kryer, ata nuk pranuan ti marrin, sepse e quanin këtë, detyrë te cilën e bënin për fëmijtë e tyre!
Prefektura e Shkodrës informoi Ministrisë së Arsimit për këto arritje të jashtzakonshme të arsimit në Mirditë. U shkrua edhe në shtyp.
. Gazeta ” Jehona e Shkodrës” 15 Korrik 1945 shkruante: ” Punë në heshtje”, ” Me çlirimin e Mirditës, çka çudit gjithkënd, në atë krahinë funksionojnë jo më pak se 51 shkolla fillore. Të gjitha katundet dhe malsitë e Shkodrës nuk i kanë pasë parandej kaq shkolla….Ma se 1000 fëmijë në Mirditë kanë zanë të shkruajnë e të këndojnë. Kjo është fitore ndër më të mëdhatë e rindërtimit tonë”
Duhet të mos harrojmë se ishte koha kur Qeveria e Shqipërisë e sa poçliruar quhej Qeveria Demokratike e Shqipërisë dhe ministër i Arsimit ishte Sejfulla Malëshova.
Njerzit e luftës dhe populli ëndërronin të ndërtonin Shqipërinë e ta bënin të lulëzuar. Ndreca asqë mendonte të punonte me qëndrime partiake. Ai punonte për zhvillimin e arsimit.
Kur shkrova librin për këtë mësues të lavdishëm kudo gjeje për të vlera të pakrahasueshme. Gjurmët e tij janë pasuri e madhe arsimore e kulturore.
Motra e Ndrecës, Liza, tregonte se ai kishte lindur për shkollën dhe diturinë.
Dhe erdhi gjëma e madhe! U vra mësuesi! Vranë mësuesin e fëmive të tyre , vranë dritën e syve, diturinë, dijen e të ardhmen për t’u arsimuar.
Por mësuesi Ndrecë nuk vdiq! Ndreca nuk besohej se u vra, dhe mbeti në mendjet e zemrat e gjithë Mirditës e të Kosovës, figura e mësuesit legjendë, udhërrëfys për brezin e ri. Ai u bë martir i kombit për arsimin, për t’i dhënë dritë e dituri atdheut.
Shqipëria e ngriti në pjedestal, këtë mësues hero, i dha titullin : ‘Mësues i Popullit” , i kushtoi filmin “Komisari i Dritës” dhe në vitin 1994 i bëri vlersim Presidenti i Republikës.
Rikard Ljarja, që interpreton personazhin e mësuesit në këtë film, në bisedë më tha: …”Për koinçidencë babaj im ka qenë mësues i Ndrecës, kam takuar edhe bashkënxënësit e tij: Sterjo Spase, Jolanda Klosi (Xhuvani), Genc Xhuvani etj, të cilët e vlersonin. Unë mendoj se, ai bëri një akt mbinatyror. Akti i tij ishte i mbushur me humanizëm . Ai me siguri ishte një idealist, iluminist i pakorigjueshëm”.
Dr. Moikom Zeqo shkruan: “Në historinë plot sakrifica e vizionarizëm të Arsimit, shkelqen i pishtartë … Ndrecë Ndue Gjoka me origjinë nga Mirdita, një nga thelbet e Shqipërisë e të Kombit…. ai bëri diçka të pashembullt….. Askush nuk mund të krahasohet me të në këtë pike …..”.
Po kështu shkrimtari Sulejman Mato shkruan: “ …Kur sjellim ndërmend figura të shquara të dijes e qytetrimit shqiptar mësuesi martir Ndrecë Ndue Gjoka qëndron denjësisht pranë tyre, pranë Naim Frashërit… Naum Veqilharxhit… Babë Dudë Karbunarës… Petro Nini Luarasit…etj. Ai shkelqen si një pishtar i pashuar, vazhdues i kulturës e qytetrimit shqiptar…Njerëz të tillë i lind dhe i pjek koha, si emisarë, të kombit. Në gjakun e tyre rrjedh gjak shenjtorësh, ndaj dhe kombi emrat e tyre i nderon dhe i vendos në Altarin e pavdekësisë”.
Prof. Dr. Musa Kraja shkruan: “… e them me bindje, se para meje, në optikën e sotme, pas kaq vitesh, si mësues dhe pedagog , drejtues shkolle e arsimi në të tëra nivelet, pasi kam parë vepra dhe objekte të personaliteteve arsimore të nivelit botëror, për të cilët edhe kam botuar, kam arritur në përfundimin se mësuesi Ndrec Ndue Gjoka, si mësues dhe drejtues arsimi, është një rast unikal, jo vetëm në gjithë hapsirën shqiptare, por në Ballkan e më gjërë”.* *Prof.Dr. Musa Kraja në librin e tij me titull: “Mësuiesi unikal në Ballkan” Kushtuar Ndrec Ndue Gjokës ( f. 8.)
Prof. Kraja vazhdon: ” … vepra e birit të Mirditës e mbarë Shqipërisë, e mësuesit të shquar Ndrec Ndue Gjoka, gjithnjë larg këdvështrimeve partiake e krahinore, na rezulton shumë më madhështore, largpamëse dhe e frymzuar nga ideale të mëdha kombëtare, iluministe, që fillojnë me idetë e rilindsave tanë ” Se drita e diturisë përpara do të na shpjerë” *Po aty f.10.
Organizimi i këtij përvjetori është një vlersim që i bëhet birit të Mirditës Ndrecë Ndue Gjoka. Kjo është meritë e organeve të Bashkisë këtu dhe e kryetarit Ndrecë Deda e studiove e faktorit kulturor për aktivitete kulturore cilësore.
Suksese për arritje të vazhdueshme të arsimit e të kulturës në Mirditë.
Lavdi “Mësuesit të popullit”, Ndrecë Ndue Gjoka, pishtarit të dritës, të arsimit dhe të diturisë Kombëtare.
Pjeter Nikolla: Me rastin e 70 vjetorit të rënjes së “Mësuesit të
Popullit” Ndrecë Ndue Gjoka. Rrëshen, 17 shkurt 2016.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.