BUKURIE BUÇPAPAJ
Vrullojne bisqet.
POEZI
Shtëpia Botuese “LENA GRAFIK”, 2021
Bukuri Buçpapaj
Vrullojnë bisqet
poezi
Redaktor letrar: Prof. Kristaq F. Shabani
Recensente: Flutura Maçi
Ideim kopertine: Autorja
Art grafik:
Copyright Bukurie Buçpapa, 2021
Libri u përgatit nën kujdesin e LNPSHA “PEGASI” ALBANIA
Ëndrra ime krijuese
Që e vogël ndjeja përbrenda vetes sime një ndjenjë shpërthyese, e cila sa vinte dhe konturohej. Trurin tim e ngacmonte magjikshëm natyra, njerëzit. Parandjeja se kisha një aftësi të veçantë të kundrimit të botës. Isha e dhënë pas leximit. Lexoja shumë dhe brenda meje rritej dashuria për letërsinë, për artin. Fillova të hidhja vargje të brishta dhe të shfaqesha, sidomos ne shkollën 8 vjeçare si krijuese, duke marrë pjesë në rrethin e letrarëve të rinj të shkollës, ku fillova të shquhesha, duke u dhënë pas krijimit dhe interpretimit. E ndjeja tani se kisha talent… Mësuesja e letërsisë më nxiste për të shkruar dhe komentonte krijimet e mia, duke aktivizuar në komentet e shkurtra dhe shokët e shoqet e mia , të cilat kishin pasion shkrimin, apo ishin lexuese të zellshme dhe u pëlqente letërsia… Gjatë kësaj periudhe, ndjeva entusiazmin e botimit të poezive të mia te revista “Pioneri”. Çfarë sadisfaksioni! Ndjeva se vleja dhe “përvesha mëngët”për të filluar rrugëtimin e bukur. Krahas krijimit më pëlqente të kërceja vallet tropojane , të vishesha me kostum popullor.
Pas përfundimit të shkollës 8 vjeçare dhe fillimit të shkollës së mesme, unë vijova të krijoj dhe krijimi asqë mund të më ndahej më nga unë dhe unë prej Tij.
Kalova peripeci të ndryshme të jetës dhe krijimi gjithmonë ishte dhe është bashkëudhëtari im i bukur, i cili më ngazëllente, më lumturonte, më sfumonte hidhërimin, trishtimin dhe streset qe prodhon jeta…
Këndvështrimi im u rrit dhe në trajtimin e proceseve, fenomeneve. Shkruaja lirika, të cilave u rikthehesha,deri sa të më mbushej mendja që mund të publikoheshin. Po kështu, shkruaja dhe vjersha epike. I kushtova poezi vendlindjes sime Tropojës e tjera.
Rritej poezia bashkë me mua deri sa në vitin 2020 hodha hapin e parë, pastaj në vitin 2021 hapin e dytë dhe ja tani, përsëri, po dal me një vëllim tjetër: “Vrullojnë bisqet”, duke ndjerë ngjitje shkallinash të poezisë sime.
Kam tani një rreth të gjërë që më ndjek edhe në rrjetet sociale dhe më japin mendime, komentojn poezitë e mia,por ky libër, të cilin e konsideroj të veçantë, më ka gazmuar zemrën dhe shpirtin. Bashkë me të tjerët e të tjerat, dashamirësit e letërsisë i përbashkohem urimit të tyre buronjë: ” Rrugë të mbarë, libri “ Vrullojnë bisqet”.
Afrimi me LNPSHA “PEGASI” ALBANIA, me disa nga figurat më të njohura dhe më të forta të kësaj lidhje, më shtuan pasionin dhe këmbënguljen që të nisem drejt një ideje dhe synimi: “Të dilja me librin tim të tretë ”. M’u duk një ide e spikatur për botën time shpirtërore, ndaj u nisa në këtë rrugë me krahë fluturues dhe me lajtmotivin pegasian: “Jemi të gjithë Ëngjëj… Ejani të bashkojmë krahët të fluturojmë së toku”…
Ju lutem ,hyni në arkitekturën dhe përmbajtjen e këtij libri…
Autorja
Gjilan , shtator 2021
Pasthirrmat e shpirtit tim…
Mall …
Mora vrullshëm
rrugën në meditim.
Në ato vende,
ku ende bora
S’ka shkrirë…
S’ka më bukur ,
kur mendja
ka shtegtue,
ka fluturue,
si zog i mallshëm ,
krahëshpejtë,
Atje,
mbi viset e mia kaltëroshe ,
plot gjelbërim.
Ç’panoramë e ndritshme!
Fusha mbushur me lulnaja…
Gëzueshëm
flatrova
me kundrue.
Mbi Valbonë ,
mbi Çerem.
Mbi Fierzë ,
e mbi Bytyç ,
te dajtë e mi,
Aty, ku pushon
qetësisht shpirti jem…
Bash, njaty,
më pushon zemra,
në rehati.
Iu luta shqiponjës,
Të më jepte krahët.
Ajo m’i dha …
“Merri, bijë!”….
E kush mund
të më mbante pastaj?
Fluturova
mbi maja të nalta:
Mbi male,
Mbi rudina,
Mbi liqen…
Atje, ku mrekullisht
Del gëzueshëm agu,
bie me natyrshmëri
ëmbël nata …
Oh, njaty,
Ku rrita shtatin,
Lulet e fushave
i bana kunorë
Për vete,
për të afërmit e zemrës !
I rrita me kujdesin tim…
Aty, në oborrin e shtëpisë,
Buzë liqenit,
te pallati ynë
i “ndala” krahët …
Nisa të heq
mallin e shpirtit të përvëluem,
Pikërisht njaaty,
ku thura andrrat e mia
plot personazhe të çuditshëm…
“Rehatshëm”
bana nji sy gjum’,
si në kohën e kalume…
Bash, u kënaqa ,
tue meditue për njerëzit,
për zanat…
Pastaj
mbi Tropojë
hapërova
në fluturim…
*
Sa “shpejt”,
kam me shkue,
me puth tokën,
me hjekë kët’
Mallnim,…
S’mund me e mbajt’
në zemër e në shpirt…
Lejomë…
Më bëj vend
në mallin tënd,
Një skutë
te zemra jote.
Mos më largo mua
për askënd,
Se ti, qenke lulebukur
e kësaj bote!
Lejomë të vij
në “ato” ëndrrat e tua,
ndërthurur bukur…
Magjishëm të hapëroj
në ëndërrime,
e tej lumtun…
Të vij si tik – taku
i orës te zemra,
se të dua.
Të trokas
me forcën më sublime
dhe të hyj , oh, brenda,
sërish me ëndrra…
Lejomë,
mos ma ndalo,
s’ke të drejtë
të ndalësh kureshtjen ,
mallin tim të përvëluem.
Për ty
jam Bota,
Universi ,
Dielli e Hëna!
Je pjesë e shpirtit tim,
sa të kem frymë, jetë.
Perëndeshëz bukurie,
Vashëz, të ka ba nana!
Lejomë, të vij
në krojet e lotëve të tu,
T’i fshij me duart e mia
që më dridhen…
Lejomë me shpirt
të them “të du”,
E në përqafimin tënd
të kridhem e ngazëllyer…
Kohë e bukur
Jam dehur pa pirë,
Ti je arsyeja.
U çmenda pa qenë e tillë ,
vetë je çmenduri.
Më “budallepse”, bukuri,
s’ dija nga shkoja …
Ah, si të bëka
kjo e shkreta dashuri!
Mes sekuencave të saj,
ti ndihesh gjallë,
Botën në duar, tashmë,
ke zbritur .
Një minutë
mos ta shohësh
ndien mall.
Ç’konfuzion ndienjash
pa zë,
si i “mitur”…
Shpirti shpirtin
kërkoka në harrim ,
Zemra zemrën
pranë dëshiron ta ketë.