“””””””””””””
Diku je larg e nuk më thua
dhe të dy presim kohë e pa kohë,
gjumi më zë indeve të tua,
pse luajmë kot: “Më do, s’më do?”.
Si nuk më merr natës ky gjumë,
as ti nuk fle, e di, e di,
se unë jam ti e ti je unë,
sot ku jam unë, sot ku je ti?
S’më flet, por ëndrrës vjen e vij,
s’të flas, por frymës sate jam,
sa kot heshtim unë dhe ti,
kur qiejve çajnë shpirtrat tanë.
//A Lako//
“””””””””””””
Ku ndjenjat bashkohen
Në krahët e tu,
shkrin errësira,
dhe terri bëhet blu,
çelin yj’ me mijëra.
Aq rrugë plot dritë,
më çel ti çdo agim,
vjen përnatë, përditë,
si rrahje shpirtit tim.
Me ty fle dhe zgjohem,
imazh i ëndrrës sime,
ku ndjenjat njësh bashkohen,
në muzgje e agime.
Më je ylber çdo stine,
shtatë drita kam në sy,
u bëre ëndrra ime,
Diell unë për ty.
A. Lako