TË DY I PAMË
Të njëjtin qiell shikonim të çuditur,
të njëjtat re kapriçoze në të,
“jemi ne të dy aty”, befas the,
Teksa retë u puthën pa zë.
Qesha dhe vëështrova përreth,
çudi si po shihnim të njëjtat gjëra,
dy fytyra resh që u puthën gjatë,
besoj të shtyra nga fati dhe era.
S’besoj se fshehur ishe pranë,
por fati ndonjëherë bën çudi,
dy re u puthën sot në qiell,
e pashë unë, e pe dhe ti.
“”””””””””””””””””””””””””
LODHJE ËNDËRRTHYER
Tani më ti je lodhur,
ëndërrthyer,
ditët të pangjyrta po njësoj,
ca re të zymta ke në qiej,
mulliri i mendimeve rri në blojë.
Nuk e ruan më cepin e udhës,
prej kohësh harruar në tënden vetmi,
tinguj hapash buçasin në rrugë,
asnjë tingull s’mbërrin tek ti.
As zhurmën e detit më s’e dëgjon,
të shurdhëta klithmat e pulëbardhës,
harresës i dorëzove gjithçka,
t’i fshij si gjurmët që i the valës.
28.01.2022
“”””””””””””””””””””
SA FORT TË DUA
Përse ky mëngjes më kujton sytë e tu,
atë vështrim të ëmbël plot me dashuri?
Ja, te cepi i dhomës më vështrojnë në sy,
zgjatem t’i puth, më zhduken përsëri.
Pakëz u ndalem, ata dalin prapë,
“ e ka, kush e ka”, luajnë me mua,
buzëqesh magjishëm zemra, mbushet plot,
vetëm ajo e di, se sa fort të dua.
“”””””””””””””””
Nuk jemi njohur
Nuk jemi njohur ende në këtë botë
Në të tjera jetë me siguri
Udhëtoj drejt teje për cdo natë
Ëndrrat magjike më sjellin veç tek ti
Nuk jemi puthur, ende s’jemi prekur
dhe pse cdo natë fle me ty në një shtrat
ashtu përqafuar e imja dashuri
Në një tjetër dimesion, diku atje lart