SIME SHOQE
Kaq afër jemi, por kaqë larg
Të lutem mos më prit-
Na ndajnë terre rreth e qark
Dhe yll për mua s’ndrit.
Përse ta lidhësh fatin tënd
Me një pafat si unë,
Kur di se emri im u shëmb
Me dhunë e me përdhunë?
Pra hidhe hapin guximtar
Ndaj jetës së gëzuar.
Dhe më harro këtu, në varr,
Të vdekur pa mbuluar.
Se unë pres, përças po pres
Një udhë fort të gjatë
Dhe një të martë, në mëngjes,
Do hidhem nëpër natë.
Nëpër një natë që s’ka mbarim
Po qetësi për jetë:
Pushim…harrim…pushim…pushim…
Në prehjen e vërtetë.
– Poezi nga Mitrush Kuteli (kur ishte ne burg)
“”””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””
“…Posi një yll i perënduar,
më pate humbur gjith’ më larg…
Nga malli yt i thura fjalët,
gjith’ sërë-sërë-e-varg-e-varg;
E çdo mendim e pata tretur,
vetëm n’ergjënd e në flori.
O, vashë-e lotit të zhuritur,
që vetëtin nër syt’ e mi!”
~ Lasgush Poradeci ~
~ Lasgush Poradeci ~
“””””””””””””””””””””””””””””””””
Poezi e shkruar nga Pablo Neruda.
Nëse do të dish të më rrish pranë,
dhe të mund të jemi të ndryshëm,
nëse Dielli do të na ndriçojë të dy,
pa u mbivendosur hijet tona,
nëse do arrijmë të jemi “Ne”, në mesin e kësaj botë
dhe bashkë në botë, të qajmë, të qeshim, të jetojmë.
Nëse çdo ditë do të zbulojmë se cilët jemi
dhe jo të kujtojmë se cilët ishim,
nëse do të dijmë t’i jepemi njëri-tjetrit
pa e ditur kush do jetë i pari dhe kush i fundit,
nëse trupi yt do të këndojë me timin, se së bashku është gëzimi…
Atëherë do të jetë dashuri
dhe nuk do të ketë qenë e kotë, kjo pritje e gjatë.