“”””””””””””””””””””””””””””””
GOTA BOSHE HESH NË QOSHE…
Gota boshe hesht në qoshe,
si në prag të pleqërisë,
ujë më s’don moj bukuroshe,
shijon çaste të lirisë…
Përsëri mbytur do jesh,
fatit shkruar ç’ti bësh s’ke,
duar zgjatur pran do kesh,
shoqëruar me kafe…
Nga banaku nëpër tryeza,
tutje-t’huve e papërtuar,
rob klientësh ti ditëzeza,
tabakave shtegëtuar…
Gota boshe hesht në qoshe,
barkun zbrazur ashtu rri,
ujë më s’don moj bukuroshe,
gojën s’hap për çudi…
“””””””””””””””””””””””
S’U LODHA DUKE PRITUR…
S’u lodha duke pritur,
këmbëkryq i ulur aty,
po cilin s’e kam ditur,
vigjëluar…veshë e sy…
Veshë e sy…vigjëluar,
përtej mjergull dhe re,
me pritjen i dashuruar,
minuta përtyp me nge…
Me nge përtyp minuta,
që rendin…plot nxitim,
i heshtur hiç s’u nguta,
dhe pritje s’ka mbarim…
S’u lodha duke pritur,
një çast të paharruar,
po cilin s’e kam ditur,
mes pritjes…kalëruar…
“””””””””””””””””””””””””
ËNDËRRËS FRE DOT S’I VURA…
Ëndërrës fre dot s’i vura,
në mëngjese tek bariste,
por një ditë…sa s’e zura,
shtratin bosh…koloviste…
Koloviste…dal-ngadalë,
sy e veshë nëpër dritare,
heshtjes rënë asnjë fjalë,
kryet pas pa kthyer fare…
Mbytur Hëna…nëpër re,
kukafshehurazi plot nur,
tradhētarja…gjumë s’fle,
lan fytyrën…gur më gur…
Ëndërrës fre dot s’i vura,
dhomës errur…zbraztësi,
por një ditë…sa s’e zura,
humbur dhomēs…pa kufi…
“”””””””””””””””””””””””””
UROJ VETEN UNË MË PARË…
(Vargje për ditëlindje)
Uroj veten unë më parë,
sfida,fate…shkoi një vit,
njësh me ta pa u ndarë,
hedhur vallen dit-përdit…
Dit-përdit një tjetër hap,
ngrihet-ulet…papushim,
her ngadalë,her me vrap,
gjurmës shkruar emri im…
Emri im…vehtes ngulitur,
nga Qershori në Qershor,
endur moshës pa e ditur,
lum urimesh në përvjetor…
Uroj veten unë më parë,
paçim plot miq e shokë,
njësh me to pa u ndarë,
rrudhur balli,thinjur flokë…