Shkruar nga Gani Elezi
Populli ynë thotë:
Çdo e keqe, sado e rëndë të jetë, e ka një të mirë.
A do ndodhë kështu edhe me pandeminë coronavirus ?
Në shtypin italian të këtyre ditëve, në Corriere della Sera, kam lexuar një shkrim interesant të Ernesto Galli dela Loggia.
Ai shkruan, ” Ku kanë përfunduar- pyes përballë spektaklit tre ngjyrësh të ekspozuar në çdo dritare dhe himnit italian, solidaritetit mes italianëve, qyteteve e regjioneve të ndryshme- çfarë kanë për të thënë gjithë ata që kanë deklaruar se “identiteti italian nuk ekziston”. Ata të cilët, me krenari, deklaroheshin kundër “rrënjëve” (radici) të kombit italian. Ku janë intelektualët, më shumë historianët, të cilët për vite me rradhë kanë mbështetur idetë e mësipërme”.
Në të vërtetë , shkruan ai, kjo epidemi (Covid-19) po vërteton plotësisht se italianët nuk mund të dehen nga ide të tilla. Po vërteton se, në situata kur flitet për jetë a vdekje, më së pari ke nevojë për atë që flet gjuhën tënde, që ndan të njëjtën të kaluar/histori, për atë që njeh, vjen nga të njëjtët vende, për atë që ndjen aromën, sensin tënd, për atë që këndon këngët tua. Vetëm nga këta mund të presësh ndihmë xheneroze dhe të menjëherëshme.
Nuk është shovinizëm. Eshtë ndjenja e kombësise, e identitetit kombëtar, ndjenja e të qenit të njëjtë”.
Pra, në këtë situatë të rëndë, italianët, më shumë se kudo tjetër ( kanë shumë vërejtje për komunitetin botëror, për BE), po e kërkojnë forcën për tē mbijetuar te gjaku, gjuha dhe identiteti italian.
Nga sa shkrova më lart, kuptohet, fenomeni i bjerrjes së vlerave dhe identitetit kombëtar është fenomen që ka prekur edhe shoqëritë e vendeve të zhvilluara. Ka prekur edhe shoqërinë italiane, e cila ka një vokacion të veçantë për historinë dhe identitetin e saj. Në fakt kjo ëemundje më shumë është infeksion që vjen nga të “veçantet” e çdo shoqërie, nga elitat politike, kulturore e shkencore të secilit vend. Nga kinse globalistët.
Sa kam parë, dëgjuar këto javë që jam këtu, Italia do dalë më e forte, më bashkuar, më “italiane” pas koronavirusit. E shoh, e ndjej këtë te çdo italian që degjoj. Qytetarë, mjekë, punonjës të emergjencave civile, politikanë, shtetarë e pushtetarë, profesionistë e intelektualë të fushave të ndryshme. Uroj të ndodhë kështu.
Po në Shqipëri ?
Mund/duhet të ndodhë kështu. Duhet të dalim më të fortë, më të bashkuar, më “shqiptarë” pas kësaj epidemie vrastare. Sigurisht do ta kemi më të vështirë. Sepse te ne, më shumë se kudo, nga këta të “mençur” që përmend Ernesto, kozmopolitët/globalistët shqiptarë është sulmuar historia, autoktonia, vjetërsia, gjuha, kultura, doket, traditat, zakonet e kombit tonë. Eshtë sulmuar gjithçka që na dallon nga të tjerët. Eshtë sulmuar e rrezikon të humbë identiteti shqiptar.
Eshtë e rëndë ta thuash, por kështu ka ndodhur. Veçanërisht pas ndryshimeve politike të fillim viteve 90-të. Në kuadrin e luftës kundër komunizmit, kundër arritjeve dhe përvojës sē PPSH, Enver Hoxhës, në vitet e socializmit, u denoncuan si të gabuara, u mohuan shumë arritje, vlera morale, kulturale, kombëtare, të cilat e kishin ngritur në një shkallë të paparë më parë unitetin, kohezionin, forcën dhe identitetin e popullit shqiptar. shtë e lehtë të bëhet një listë e këtyre mohuesve të “radici” e të këtij identiteti. I kemi në Shqiperi, në Kosovë, në troje e në diasporë. Por nuk është vendi dhe koha të merremi me ta.
Eshtë koha që, në kuadër të masave për ta sfiduar këtē epidemi, të mobilizojmë, veç strukturave sanitare, strukturave të mbrojtjes civile, institucioneve të qeverisë e të shtetit, forcën e identitetit shqiptar. Forcën tonë të përbashkët që rrjedh prej gjuhës, historisë, dokeve, zakoneve të mira të kombit shqiptar. Prej vitalitetit të identitetit tonë.
Historia ka treguar se vetëm në rrethana të rrezikut te madh, ne, shqiptarët, i jemi kthyer këtyre vlerave. Rikthim që na ka shpëtuar. Na ka sjelle të pa asimiluar deri në ditët e sotme.
Kjo do të ndodhë edhe tani. Do të ndodhë se edhe në Shqipëri, këto ditë, po shohim një solidaritet të madh,mallëngjyes, sidomos me mjekët e punonjesit tjerë të shëndetësisë.
Gani Elezi