PROFIL
“MJESHTËR I MADH” – TITULL I MERITUAR
PËR SHKRIMTARIN DHE PUBLICISTIN E MIRËNJOHUR HALIL RAMA..

Nga Dr. Hajri Mandri
Publicisti dhe shkrimtari i talentuar, mjaft produktiv dhe me një përvojë të gjatë, Halil Rama, një vit më parë në 60-cjetorin e ditëlindjes, është dekoruar nga Presidenti i Republikës Ilir Meta, me titullin “Mjeshtër i Madh” . Ky titull i lartë iu dha autorit të 18 librave monografikë (H.Rama), në një manifestim festiv të komunitetit artistik të Zall Dardhës, më 18 shtator 2020, me prezencën e autoriteve vendore dhe elitës intelektuale dibrane: “Për kontributin e shquar si shkrimtar, skenarist e publicist i cili në veprimtarinë e tij të gjerë ka pasyqruar më së miri historinë, kulturën, traditat e cilësitë identifikuese të shumë viseve shqiptare, veçanërisht të trevës së Dibrës, si dhe vlerat e shumë figurave të shquara të kombit shqiptar” (motivacioni i dekoratës).
Jo pa qëllim ishte përzgjedhur Zall Dardha për të vlerësuar shkrimtarin dhe publicistin Halil Rama, si dhe artistët më në zë të kësaj treve Liri Rasha, Qerim Sula, Sherif Dervishi, Sahje Poleshi, Xhelail Imeraj, Neshat Ndreu, etj. Kjo për faktin se Halir Rama ka shkruar dhe promovuar monografi e dokumentarë për artistë të përmasave kombëtare të kësaj treve, si për kompozitorin e tangos shqiptare Muharrem Xhediku, ikonën e artit e kulturës kombëtare Hazis Ndreu, regjisorin dhe aktorin e shquar Skënder Cala, për Lutfi Ndreun – mësues dhe artist, etj, të botuara këto edhe në prestigjiozet e përditshme “Panorama”, “TELEGRAF”, “Gazeta Shqiptare”, “Rilindja Demokratike”, në të përjavshmen kulturore-letrare “NACIONAL”, si dhe në disa portale.
Në 18 librat e tij, Halil Rama prezantohet si mjeshtër i profilit, duke krijuar personazhe si shembëlltyra që të mbeten në kujtesë. Tërë publicistika e tij është në një linjë vetëpërmbushëse, ku autori me mjeshtëri di të përveçojë protagonistë të veshur me detaje që vetëm syri i mprehtë dhe mendja pjellore i shpërfaq aq mjeshtërisht.
Veëanërisht në dy monografitë e botuara dy vitet e fundit: “Muhurri, histori dhe personalitete”, (me 712 faqe në 17 kapituj) dhe |Fluturon shqipja mbi Korab”, si dhe në librat e shkruara dekadën e fundit nga ky autor, zbulohet thelbi i marrëdhënieve njerëzore. Jetët e personazheve realë, janë të mbushura me pasione dhe emocione të pandalshme, drejt sfidës së jetës, drejt suksesit. Shkrimi i tij depërton thellë në shpirt dhe zbulon botën delikate të intelektualëve dibranë, kukësianë, durrsakë, shkodranë etj, në strukturën e tyre si njerëz të matur që veprojnë në kontekst duke marrë prej tij, maksimalisht suksesin. Ashtu siç është edhe vetë në jetë autori Halil Rama, personazhet realë që përshkruan në librat dhe esetë e tij janë karaktere që bartin dashuri dhe buonsens, veti të qenësishme inteligjence.
Në fushën e të shkruarit dhe në disa institucione ku ka punuar evidentohet këmbëngulja dhe vullneti i tij për të studiuar, për të mbledhur burimet parësore, për të mësuar nga përvoja e tjerëve që është pjesë e stilit të punës kërkimore të Tij.
Halili e formoi personalitetin e tij, jo vetëm në praktikën krijuese voluminoze por edhe me studime të integruara formale universitare për drejtësi, (duke fituar edhe titullin “Avokat”) çka i ka dhënë një surplus në interpretimin e dukurive shoqërore dhe ngjarjeve pikante të historisë. Ai i vendos intelektualët që nuk jetojnë dhe ata që jetojnë dhe kontribuojnë ende, secilin në vendin dhe piedestalin e merituar. Dashuria dhe ngrohtësia me të cilat i mbështjell ata, janë shprehje e humanizmit dhe shpirtit patriot, demokrat e liridashës të autorit.
Lexuesi mund të shijojë drejtpërdrejtë nokturnet dhe romatikën që shpërfaqen në librat e H.Ramës (për gjeneral Rrahman Parllakun, Liri Belishovën, Muharrem Xhedikun, Skënder Calën etj) shkruar me një stil të rrjedhshëm, që ngjajnë me një ese të gjatë liriko-epike, si një databazë e plotë e vlerave të tyre, duke plotësuar harmonishëm tablonë gjigande të njerëzve të ditur, të urtë e patriotë. Veçanërisht dy librat e fundit “Muhurri, histori dhe personalitete” dhe “Fluturon shqipja mbi Korab”, lexohen këndshëm nga përdorimi me mjeshtëri i mjeteve gjuhësore dhe stilistike, ngjyrimeve emocionale që fitojnë ngjarjet dhe personazhet, nën talentin dhe profesionalizmin e Halil Ramës. Madje siç shprehet shkrimtari dhe publicisti i njohur Shefqet Meko:”Halil Rama shkruan thjesht, pa bujë dhe bërtitje, me gjuhë të thjeshtë, të kuptueshme qartë dhe rrejdhshëm. Ai e përdor fuqinë shprehëse të shqipes si ‘antikorp’ gjuhësor ndaj çdo huazimi të huaj, që ka çibanuizuar lemeritshëm shtypin, rrjetet sociale, median dhe ekranet shqitare.
Krijimtaria e Halil Ramës është vlerësuar edhe nga Prof.dr.Shaban Sinani, nga Prof.Bujar Kapexhiu, Prof.Dr.Fatmir Terziu, si dhe nga shkrimtarët Shpendi Topollaj, Andon Andoni, Fejzulla Gjabri, Naim Berisha, Namik Selmani, dr.Selm,an Mëziu etj.
Në 18 librat e tij ai sjell artistikisht ngjarje e personazhe që të lënë mbresa, por dhe jehonën e vendlindjes së tij të bukur dhe të dashur, si shembëlltyrë e jehonës që vjen nga e shkuara tek e sotmja dhe na zgjon të gjithëve e na thërret, për më shumë humanizëm, dashuri e dinjitet.
“”””””””””””””””””””””””
KUSH ËSHTË HALIL RAMA?

Ka lindur në Muhurr, Dibër më 28 Tetor 1960.
Nga 1996 jeton dhe punon në Tiranë.
Është diplomuar në Jurisprudencë (Bachelor dhe Master Shkencor) dhe pasi ka kryer edhe Shkollën Kombëtare të Avokatisë me rezultate shumë të mira, ka fitur titullin “Avokat” me Nr.Liçense 7979, datë 31.10.2014.
Ka punuar: Përgjegjës i Shtëpisë së Kulturës Muhurr (1980-1981) pasi kreu Kursin e Regjisurës pranë Shtëpisë Qëndrore të Krijimtarisë Popullore, Tiranë (1979); Punonjës Socialkulturor në Minierën e Mermerit Muhurr (1985-1988); Metodist kulture në Shtëpinë e Oficerëve Bulqizë (1989-1991); Shef i Administratës në Këshillin e Rrethit Bulqizë (1992-1997); Shef i Organizimit dhe Nënkryetar i BSD e Bashkimit Liberal Demokrat (1997-2015) dhe njëherësh: Reporter dhe Redaktor i Politikës e Kulturës në gazetat e përditshme: “Bulevard”, “Albania” dhe “Rilindja Demokratike (1999-2013); Shef i Sektorit të Marrëdhënive me Publikun të Bashkisë Kamëz dhe Kryeredaktor i gazetës “Kamza” (2010-2012); Specialist në Sektorin e Koordinimit të Marrëdhënive me Njësitë Administrative të Bashkisë Tiranë, ku ka fituar Statusin e Nëpunësit Civil (2012-2020 e në vazhdim).
Fillimet në gazetarinë e shkruar i ka që nga viti 1977 si bashkëpunëtor i gazetës lokale “Ushtima e Maleve” dhe i gazetave qëndrore “Bashkimi”, “Zëri i Rinisë”, “Puna” dhe “Luftëtari”.
Është kryeredaktor i gazetave periodike: “BULQIZA” (1992-1996 dhe nga 2014 e në vazhdim); “Bota SD” (1998-2003); “Vizioni Liberal” (2003-2009) dhe “VETERANI” (nga 2003 e në vazhdim).
Nga 2010 boton në vijimësi opinione, dossier, kritikë letrare dhe reportazhe në të përditshmet: “Panorama”, “Gazeta Shqiptare”, “Telegraf”, “Koha jonë”, “Dita” dhe “Standard” e në të përjavshmen kulturore-artistike “NACIONAL”.
Është autor i 18 librave (monografi&refleksione&reportazhe&kritikë letrare).
Halil Rama është i martuar me Znj.Kimete Rama(Berisha) dhe ka dy djem, Bledarin dhe Arlindin.
Me Dekret Nr.11724, datë 17.09.2020, Z.Halil Rama është dekoruar nga Presidenti i Republikës SHT Z.Ilir Meta me titullin “MJESHTËR I MADH” me motivacionin: “Për kontributin e shquar si shkrimtar, skenarist e publicist i cili në veprimtarinë e tij të gjerë ka pasyqruar më së miri historinë, kulturën, traditat e cilësitë identifikuese të shumë viseve shqiptare, veçanërisht të trevës së Dibrës, si dhe vlerat e shumë figurave të shquara të kombit shqiptar”
DISA BOTIME TË AUTORIT NË VITE:
- Dine Hoxha-Një filozof popullor në Oborrin Mbtretëror (monografi me b/autor, 2006)
- Muharrem Xhediku – Kompozitori I tangos shqiptare (monografi me b/autor, 2008)
- Fundi i Rrugës së vetme (refleksione&kritikë letare ,2011)
- Testamenti i atdhedashurisë (Reportazhe, portrete, kritike letare, 2012)
- Memoria historike e kombit Reportazhe, portrete, kritike letare, 2013)
- Rrahman Parllaku-Një legjendë ne kufirine dy koheve (monografi me b/autor, 2014)
- 20 VJET OBVL (Histori, portrete, me b/autor – 2014)
- Histori brezazh te familjes së shquar Kazazi të Durrësit (monografi me b/autor, 2015)
- LIRI BELISHOVA – Gruaja që sfidoi diktaturën (Monografi – 2016)
- Në panteonin e vlerave (refleksione&profile&kritikë letare ,2016
- Bajram Ndreu i Zall Dardhës (monografi me b/autor, 2017)
- AGJENDA E NJE MINISTRI (kushtuar Safet Zhulalit) (monografi me b/autor, 2017)
- Lutfi Ndreu, mësues dhe artist (Monografi – 2018)
- Rizgjime meteorësh (refleksione&profile&kritikë letare &Poezi,-2018)
- Skënder Cala në gjerdanin e artë të kulturës shqiptare (Monografi letare ,2019)
- Gjenerali që sfidoi kohërat ((monografi me b/autor, 2019)
- MUHURRI-Histori dhe personalitete (Monografi-2020)
- Fluturon shqipja mbi Korab (Reportazhe, portrete, kritike letare, 2021)
CIKËL ME POEZI NGA HALIL RAMA
VENDLINDJA IME…
Mal në “Nandë Malet” e Dibrës,
Jo vetëm për lartësi,
Muhurri ynë, perlë e natyrës
Me shumë bëma në histori.
Skënderbeu këtu i ka trojet,
Në Gardh, Sinë e Mazreka,
Këtu lindën dhe gjeneralët,
Nikoll e Dhimitër Berisha.
Këtu i kam legjendat dhe këngët
Për besëlidhjen e trimave muhurrakë,
Kur hasmit ia rrëmbyen pushkët
Vatanit me i dalë hak..
Kur n’beteja Dan Leka u printe,
Me e shporrë shkjaun nga votra
Dhe kur n’kuvende Nuz Lala i mblidhte,
Të keqes me i dalë përpara…
Këtu lindi Dine Hoxha,
Më i miri i të mirëve të Dibrës,
Që ligjëroi n’kuvende e oda,
Gjithnjë projeksion i së mirës.
Këtu ka trojet Gjon Kastrioti,
Këtu ka hedh rrënjë liria.
Muhurri im bukuri nga Zoti,
Mbi të ulur historia.
Këtu është vendlindja ime
Nga bregdrini e n’maj të Runjës,
Ku unë kam shumë përjetime,
Me njerëz të pushkës e të punës.
TE KULLA E GJONIT
“Te kulla e Gjonit!”, një arkeolog,
Në vite, gërmoi shumë gjatë;
Hodhi plot gjurmë në katalog
Nga ky toponim i lashtë….
Një ditë si i marrë sa s’fluturoi:
Tha, këtu është vendlindja e Gjergjit,
Atë që kërkonte më në fund zbuloi,
Përkrenaren, gjeti në rrënojat e Gardhit.
“Ta dini se gjyshi i Zotit Skënderbe,
Veç këto dy fshatra kish në zotërim”;
Nga këtu shtegtoi në shekuj kjo legjendë,
Nga vendlindja ime, Gardh e Sinjë…..
DITËLINDJA E 30 – të
Ditëlindjen time të 30-të e kam të shenjtë
Sepse s’munda ta festoj;
Babai i mikut tim të ngushtë Atë ditë ndërroi jetë,
Ndërsa te unë cdo gjë ndryshoi…
Nga ditëlindja ime e 30-të U deshën dhe 41 ditë
Të agonte liria e 8 Dhjetorit ‘90-të…
FLAKËRIMA E SHPIRTIT
Flakërima e shpirtit djeg sa qinda zjarre
Në pyllin e gjithësisë …
dhe shuan mijëra afshe …
dhe rritet prej mirësisë….
HIT’ I KËSAJ STINE
“O kce moj çike”, hit i kësaj stine,
Motiv që shpirtin ma zjarrmon
Si zjarri që djeg këtë maratonë kënge
Dhe buzët e mjelmës përvëlon..
“O kce moj çike, ti moj çikë malsie”,
Jehonë e këngës zemrat përtërin
“O se ti luan moj çikë, o për bukurie”.
Ky motiv i moçëm, “pushton” Shqipërinë….
FRUTI MË I ËMBËL I KËSAJ VERE
Frutin më të ëmbël të kësaj vere,
Po shijoj në ballkonin e shtëpisë time,
Është fruti i dashurisë së përhershme
Që na ëmbëlsoi çdo natë, në këto 35 vite…
MARRËZIA
Një i marrë hedh gurin në lumë,
100 të mençur nuk e nxjerrin dot;
Në vendin e të marrëve marrëzia s’ka fund; S
hpëtona prej saj o i Madhi ZOT!!!
KAFEJA E PASDITES
Kafeja e pasdites “te portokallet”,
Shijohet këndshëm, në natyrë të qetë;
Sytë vështrojnë thellë, dora në ataç s’ndalet,
Ndërsa lodrojmë në internet…..
NJË LEGJENDË NË KUFIRIN E DY KOHËVE
Një shekull jetë të gjeneral Parllakut,
Një rrugë plot sakrifica, mençurore, humaniste;
Nga lufta dhe përkushtimi, një model për t’u ndjekur…
Një karakter i lakmuar për historianët,
për historinë që lë pas vetes…
Për shkrimtarët, tharm rrëfimesh
Në tregime, poezi, novela e romane…
Objekt studimi për dietologët
që duan sekretin e tavolinës së tij në vite…
Dhe për sociologët që gjejnë tek ai
sekretin e mbijetesës në liri e burgje….
Të gjeneralit legjendë në kufirin e dy kohëve..
Jeta – enciklopedi e tij
Kalanë e lartë të krenarisë ngre…
Si muzetë e ndërtuar me dritë shkëlqimtare…
Fat për kombin, kjo enciklopedi e gjallë
Mbi thinjat e tij, ulur këmbëkryq historia…
NË POGRADECIN E PORADECIT
Në Pogradecin e Poradecit e të Kutelit…
Qytetin e liqenit e të luleve mahnitëse;
E pashtershme fantazi e poetit
Tek shëtit shëtitores bregliqenase….
Rosat edhe mjelmat, sa bukur vallzojnë!
Nën ritmin e valëve të liqenit;
Dhe sytë e të dashuruarve lodrojnë
Si në perlat poetike të Lasgushit…
Ky liqe më kujton vendlindjen time,
Muhurrin që Drini i Zi e përshkon mes për mes…
Me Drinin më lidhin shumë kujtime…
Është lumi që nga liqe i Pogradecit rrjedh…
Këtij qyteti, Zoti ia fali tërë bukuritë…
Dhe dorë e njeriut bëri mrekulli…
Këtu nga ajër i pastër rigjenerohen mushkëritë;
Ndaj mos nguro të vish këtu o Njeri!…
h.r – Pogradec, 14.06.2021
“G 18”-ta “PUSHTON”ADRIATIKUN
Katër motrat me 5 djemtë;
Tre nuset, tre nipërit e dy mbesat
Dhe unë që mburren si “kapiten”
Kemi formuar një skuadër 18-she.…
Sëbashku notojmë në Adriatikun e kaltër…
Lozim e qeshim me njëri-tjetrin;
Timi, Eltoni,Alesia e Keida -mbret përmbi mbretër
E dashurojnë marrëzisht detin…
Këtu, tek “Plazh’ i gjeneralit”
S’ka armik që na “pushton”,
“G 18”-ta në gjithë hapësirën e detit
Ditë e natë “vigjëlon”..
h.r – Plazh, Durrës 28 korrik 2021.