12.5 C
Tiranë
E mërkurë, 11 Mars 2026

Pregaditi per botim z.LAURETA PETOSHATI

Për të mos harruar

poezi nga Primo Levi

Ju që jetoni të sigurt
në shtëpitë tuaja të vakëta,
ju që kur ktheheni në mbrëmje gjeni
ushqim të ngrohtë dhe fytyra mirëdashëse:
Përsiatni nëse ky është një burrë
që punon mes baltës
që nuk e njeh qetësinë
që lufton për një kafshatë bukë
që vdes për një “po” ose për një “jo”.
Përsiatni nëse kjo është një grua,
pa flokë dhe pa emër
që s’ka më forcë për të kujtuar
të zbrazët sytë dhe të ftohtë prehrin
si një bretkosë në dimër.
Mendohuni thellë se kjo ka ndodhur:
Unë ju lë porosi këto fjalë.
I skalitni në zemrën tuaj
kur jeni në shtëpi, kur shkoni rrugës,
kur shtriheni, kur ngriheni;
Përsëritjani fëmijëve tuaj.
Ose ju rëntë shtëpia mbi krye,
Ju zëntë kolera,
Pjella juaj mos i ktheftë më sytë nga ju.
Përktheu nga italishtja Laureta Petoshati
Per non dimenticare
Primo Levi
Voi che vivete sicuri
Nelle vostre tiepide case,
Voi che trovate tornando a sera
Il cibo caldo e visi amici:
Considerate se questo è un uomo
Che lavora nel fango
Che non conosce pace
Che lotta per un pezzo di pane
Che muore per un si o per un no.
Considerate se questa è una donna,
Senza capelli e senza nome
Senza più forza di ricordare
Vuoti gli occhi e freddo il grembo
Come una rana d’inverno.
Meditate che questo è stato:
Vi comando queste parole.
Scolpitele nel vostro cuore
Stando in casa andando per via,
Coricandovi alzandovi;
Ripetetele ai vostri figli.
O vi si sfaccia la casa,
La malattia vi impedisca,
I vostri nati torcano il viso da voi.
“”””””””””””””””””””””””””””””””””””
Poezi të shkrimtarit dhe poetit Primo Levi, i mbijetuar i Aushvicit, të përkthyera prej meje.

Poezi nga Primo Levi

Përktheu nga italishtja Laureta Petoshati
1. Crescenzago
Ty ndoshta s’të ka shkuar kurrë në mend,
Por dielli lind edhe në Crescenzago.
lind dhe sheh nëse gjen një lëndinë në atë vend,
Dhe nuk e gjen, ndaj me fytyrën e vrarë
Pompon avuj nga lundruesi kanal i tharë.
Nga malet era vjen me një vrap të paparë,
Rrafshin e pafund lirisht e përshkon.
Por kur dallon këtë oxhak tymtar
Kthehet me shpejtësi e sa më larg vrapon
Se kaq i zi dhe i helmuar është tymi që nxjerr
sa era trembet se ai frymën ia merr.
Ulur rrinë plakat për të kaluar kohën
Dhe pikat e shiut për ti numëruar.
Kur bie në rrugët me pluhur të shuar,
Këtu gratë nuk këndojnë asnjëherë,
Veç pareshtur fërshëllen tramvaji me zë të çjerrë.
Në Crescenzago gjendet një dritare,
Dhe poshtë një vajzë që po zbehet fare.
Fillin dhe gjilpërën përherë në të djathtën dorë,
Qep dhe arnon, mban sytë gjithmonë mbi orë.
Kur ora e daljes gjëmon paskëtaj
Psherëtin dhe qan, kjo është jeta e saj.
Kur në agim sirena buçet fort
Zvarriten jashtë shtretërve të dërmuar.
Dalin në rrugë me gojën plot,
Sytë e mavijosur dhe veshët e shurdhuar;
Fryjnë gomat e biçikletës kur zbresin
Dhe nga një gjysmë cigareje ndezin.
Nga mëngjesi në darkë ata bëjnë shëtitës
Shikimin vëngër gurëthyes që gulçon,
Ose përgjojnë gjithë të gjithë ditës
Akrepin që në fushën e orës fërgëllon.
Të shtunën në mbrëmje bëjnë dashuri
Në hendekun e kullës ku roja rri.
Crescenzago, shkurt 1943.
Nga “Deri tani e paqartë dhe poezi të tjera”
2. Ty të kërkoja tek yjet
Ty të kërkoja tek yjet
kur unë fëmijë i pyeta.
Iu luta maleve për ty,
por nuk më dhanë pak herë
veç vetmi dhe paqe të shkurtër.
Sepse mungoje, në mbrëmjet e gjata
bluaja në mendje mallkimin e marrë
se bota ishte një gabim i zotit,
unë një gabim i botës.
Dhe kur, para vdekjes,
unë bërtita “jo” nga çdo ind,
se ende nuk kisha mbaruar,
se më shumë duhej akoma të bëja,
ishte sepse më qëndroje para,
ti me mua pranë, siç po ndodh sot,
një burrë një grua në diell.
Jam kthyer sepse aty ishe ti.
11 shkurt 1946
(nga “Deri tani e pasigurt”, poema i është kushtuar Lucia Morpurgos, me të cilin Primo Levi do të martohej një vit më vonë)
3. Arritje
Lum njeriu që ka arritur në port,
që lë pas vetes dete dhe stuhi,
Ëndrrat e të cilit kanë vdekur apo s’kanë lindur kurrë,
Dhe ulet për të pirë në tavernën e Brema-s,
Pranë oxhakut dhe ka goxha paqe.
Njeriu i lumtur si një flakë e shuar,
Njeriu i lumtur si rëra në grykëderdhjen,
Që ka sjellë ngarkesën dhe ka pastruar ballin e hyrjes,
Dhe pushon në buzë të rrjedhës.
As frikësohet as shpreson as pret,
Por vështron ngulët diellin që perëndon.
4. Arratisje
Shkëmb dhe rërë dhe jo ujë
Rërë e qëndisur nga hapat e tij
Të panumërt deri në horizont:
Ishte në arrati dhe askush nuk e ndiqte.
Zallishtja e thërrmuar dhe pa jetë.
Guri trëndafil nga era
Ndarë nga akulli tjetëror,
Erë e thatë dhe aspak ujë.
Nuk ka ujë fare për atë
që vetëm për ujë kish nevojë,
Ujë për të fshirë gjithçka
Uji ëndërr mizore
Ujin e pamundur për ta ribërë botën.
Dielli i plumbtë pa rreze
Qiell dhe duna dhe jo ujë
ujin qesëndisës që shtiret se është nga mirazhet
Ujin e çmuar drenazhuar në djersë
Dhe së larti ujin e paarritshëm të reve pupëlore.
Ai gjeti pusin dhe zbriti,
Ai i zhyti duart dhe uji u bë i kuq.
Askush s’mundi të pinte kurrë më aty.
5. Për të mos harruar
Ju që jetoni të sigurt
në shtëpitë tuaja të vakëta,
ju që kur ktheheni në mbrëmje gjeni
ushqim të ngrohtë dhe fytyra mirëdashëse:
Përsiatni nëse ky është një burrë
që punon mes baltës
që nuk e njeh qetësinë
që lufton për një kafshatë bukë
që vdes për një “po” ose për një “jo”.
Përsiatni nëse kjo është një grua,
pa flokë dhe pa emër
që s’ka më forcë për të kujtuar
të zbrazët sytë dhe të ftohtë prehrin
si një bretkosë në dimër.
Mendohuni thellë se kjo ka ndodhur:
Unë ju lë porosi këto fjalë.
I skalitni në zemrën tuaj
kur jeni në shtëpi, kur shkoni rrugës,
kur shtriheni, kur ngriheni;
Përsëritjani fëmijëve tuaj.
Ose ju rëntë shtëpia mbi krye,
Ju zëntë kolera,
Pjella juaj mos i ktheftë më sytë nga ju.
6. Ki durim
Ki durim, gruaja ime e lodhur,
Ki durim për gjërat e botës,
Për shokët e udhëtimit tënd, duke përfshirë edhe mua,
Nga çasti që të kam rënë në short.
Pranoji, pas kaq shumë vitesh, pak vargje noprane
Për këtë ditëlindjen tënde të viteve rrumbullak.
Ki durim, gruaja ime e paduruar,
Ti e thërrmuar, ligështuar, rrjepur së gjalli,
Ti vetë e rrjep veten nga pak çdo ditë
Sepse mishi i zhveshur të dhemb më shumë.
Nuk ka më kohë për të jetuar vetëm.
Prano, të lutem, këto 14 vargje,
Kjo është mënyra ime e vrazhdë për të të thënë e dashur,
Dhe se unë s’do të isha në botë pa ty.
7. Kënga e korbit
“Sa janë ditët e tua? I kam numëruar:
Të pakta dhe të shkurtra, secila prej tyre rënduar nga brengat;
Nga ankthi i natës së pashmangshme,
Kur ndërmjet teje dhe teje asgjë nuk gjen shërim;
Nga frika e agimit që vjen,
Nga pritja për mua që të pres ty,
Për mua që ( të kota, të kota arratisen)
Unë do të të ndjek deri në kufijtë e botës,
Duke kalëruar mbi kalin tënd,
Duke njollosur urën e anijes tënde
Me të voglën hijen time të zezë
Duke ndenjur në tavolinën ku ulesh ti,
I ftuar i sigurt në çdo strehën tënde,
Shok i sigurt në çdo prehjen tënde.
Derisa të kryhet ajo që është thënë,
Derisa forca jote të liget,
Derisa edhe ti të mbarosh
Jo me përleshje, por me heshtje,
Ashtu si zhvishen pemët në nëntor,
Ashtu si ndalon zembereku i një ore”.
22 gusht 1953.
8. Ishin njëqind
Ishin njëqind burra të armatosur.
Kur dielli u shfaq në qiell,
Të gjithë bënë një hap përpara.
Orët kaluan, pa u ndier:
Qepallat e tyre nuk rrihnin.
Kur ranë kambanat,
Të gjithë u zhvendosën një hap përpara.
Kështu iku dita, dhe erdhi mbrëmja,
Por kur ylli i parë lulëzoi në qiell,
Të gjithë së bashku bënë një hap përpara .
«Kthehuni, larg prej këtej , fantazma të ndyra:
Kthehuni në natën tuaj të vjetër “;
Por askush s’u përgjigj, përkundrazi,
Të gjithë në rreth, ata bënë një hap përpara.
1 mars 1959
Primo Levi- jetëshkrimi
Primo Levi ka lindur në Torino, Itali, më 31 korrik 1919 në një familje me prejardhje hebreje. Në vitin 1937 regjistrohet në Fakultetin e Shkencave në Universitetin e Torinos. Në vitin 1938 në Itali miratohen ligjet raciste që pengonin hebrenjtë të shkolloheshin në universitetet publike, por Primo Levi arriti të diplomohej në kimi në vitin 1941, pasi ligji i lejonte ata që e kishin nisur universitetin para daljes së këtij ligji. Pas diplomimit, Levi u zhvendos në Milano. Kur fashizmi ra më 8 shtator 1943, Primo Levi bëhet pjesë e një çete partizane, por zbulohet dhe disa ditë më vonë arrestohet. Gjatë marrjes në pyetje, ai detyrohet të pranojë se është një hebre dhe jo një partizan, për të mos u vrarë në vend. Për këtë arsye, ai internohet në kampin e përqendrimit në Fossoli, afër Modenës, për 5 muaj. Në vitin 1944 drejtimi i kampit kaloi në duart e gjermanëve, të cilët vendosën ti transferonin të internuarit në Aushvic. Përvoja e lagerit do të tregohet në veprën më të famshme të shkrimtarit, romanin “A është ky vallë njeri”. Pas një viti në kampin famëkeq, më 27 janar 1945, arrin të shpëtojë kur trupat sovjetike mundën të lirojnë të internuarit e Aushvicit. Në qershor të vitit 1945 Levi niset për t’u kthyer në Itali: udhëtimi surreal do të tregohet në romanin “Armëpushimi” në vitin 1963. Më 19 tetor 1945, ai u kthye në Torino dhe nga këtu nuk do të lëvizë kurrë më. Për një farë kohe Levi punon si drejtor i industrisë së bojërave “Siva” dhe në të njëjtën kohë shkruante. Ndërmjet viteve 1946 dhe 1947 ai shkruan romanin “A është ky vallë njeri”, që e çon te shtëpia botuese “Einaudi”, e cila e kthen mbrapsht dorëshkrimin, që do të botohet nga shtëpia e vogël botuese “De Silva”. Levi, megjithatë, në vitin 1958 do ta bindë “Einaudi-n” që t’ia botojë romanin, i cili do të bëhet libri më i shitur në botë. Ai vdiq duke kryer vetëvrasje në Torino më 11 prill 1987. Gjatë jetës së tij, Primo Levi ka shkruar gjithashtu ese, poema dhe publicistikë. Veprat e tij kryesore janë:
“A është ky vallë njeri”, roman, (1947):
“Armëpushimi”, roman, (1963)
“Sistemi periodik” (1975): përmbledhje e shkrimeve autobiografike të frymëzuara nga tabela periodike.
“Çelësi i yllit” (1978),tregime .
“Kërkimi i rrënjëve” (1981): antologjia e autorëve të dashur të Primo Levi-t.
“Nëse jo tani kur”, (1983): roman që flet për një çetë partizanësh gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Deri tani e pasigurt” (1984): përmbledhje poezish.
“Të zhytur dhe të shpëtuar” (1986): fibër me ese frymëzuar nga kampet e përqendrimit dhe marrëdhëniet midis shtypësve dhe të shtypurve.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.