Gazeta “Dukagjini” neser ka ditëlindjen jubilare. Pas një shtegtimi të plot mundimshëm ka mbërritur në zenitin e pjekurisë publicistke njëzet vjeçare. Ka qenë një ditë e cigramtë parafundorja e vitit 2003 kur bija e lume e Dukagjinit erdhi në jetë pa zhurmë pa bujë në “Shpellën e Orëve”. Dalja e parë e “Dukagjinit që një krye lajm kulturorë i ditës në kryeqytetin e dikurshëm të fletoreve të moçme.U prit si ogur i mire me lot gëzimi dhe urimin mirëdashës:- U bëfsh Orë madhe! Dukagjinesha e vogël u përcoll me jo pak buzëqeshje të ftohta e mosbesuese:- Eh sa lule çelin e nuk lidhin fruta!
Edhe po lidhën shumë nuk arrijnë të piqen kurrë! Le ta provojnë edhe këta, por rruga publicistike ka më shumë ferra e gjemba se dafina. Pati edhe ironik me “pallë” që nuk e deshën dhe përfolën me epitete keqdashëse qe në xixëllimën e parë pa e vrarë mendjen se çfarë fati do kish “çika” në shpërgaj e malësisë . Së paku ata që na nihnin nga afër ne nismëtarët e kësaj “aventure “ guximtare e dinin mirë se nuk i kishim hyrë një loje “tafti bafit”. Por as kush prej nesh as ëndërrimtari më guximtar nuk e kishte menduar se do të udhëtonin kaq gjatë dhe do jemi të gjithë së bashku edhe sot pas 20 vitesh duke e ngritur Dukagjin ne odeonin e gazetës me jetë gjatë të qytetit të Shkodres në kapitalizëm. Vetëm socialistja “Jeta e re” ka më shumë mote mbi supe. “Dukagjini” lindi mes ngricash e zjarresh mbi shelfin e një deti të egërsuar nga lëvizjet me amplituda marramendëse sizmike. “Dukagjini” qe fatlum që u ushqye nga sisa e Ameltheas ( Amethea është dhia e shenjtë që ushqeu Zojzin pellazgjik) Amelthea e Gazetës “Dukagjini” është shoqata me të njëjtin emër, përkrenarja dhe simboli bashkues i vlerave tona me të çmuara. Mos vraponi pas Orës se remët të Nikajve në Maje të Kakisë, as Orës së idhët të Shalës në maje Rreshellit, as Orës së Merturit ne maje të Shllunit. Jo more jo ORËN E BARDHË e të hijshme të Dukagjinit e keni këtu në mes Shkodrës! Ajo është e bija tij, fisnike, bujare atdhetare trime dhe humane! Ajo është nuse 20 vjeçare hirplote dinjitoze që vallëzon si flutur mes lulnajës së vet kulturore. Ai që Gazetën “Dukagjini” akoma nuk e ka parë i dhasht Zoti, sy! Kushdo që e kritiko e ka derën hapur. -Urdhëro e na ndihmo ta mirëushqejmë e të vetë përmirësohemi. Ka dhe nga ata që nuk e duan edhe e sulmojnë vetëm nga inati. Ani se bre ! Qebesa ka miliarda qe nuk duan as Zotin! “Dukagjini” nuk asht marrë as me ndalë fjalët e hallkut as me mbyllë birat e gardhit ajo ka ecur kokë varur si kalliri kokërr plot në misionin e sa human.“Dukagjini” vlen deri sa ka edhe kundërshtarë, por burrëria dhe mençuria e saj qëndron te fakti se gjatë rrugëtimit te saj nuk bëri armiq, zvogëloj në minimum numrin e kundërshtarëve dhe rriti çdo vit miqësinë e vet. Nostalgjikët e mistikës ose me zë ose nën zë kanë me thanë. -Çka flet ky kalemxhi ?! Qysh po e quan fletushkën e shoqatës se tij “Ora e bardhe fatlume” e Dukagjinit?! Shazotën çudë boll, por çka nuk po ban vaki sot! Si guxon ky i lafitun me na marrë orën e Shalës apo të Nikajt prej maleve qiellgërvishtëse e me ja mbythkatë një gazete “komuniste” . Ne gjithmonë kur kemi kënë ngushtë jam lutë:- Ndihmë o Zot e Ora e Shalës!Apo Ndihmë o Zot e ora e fisit ! (Nikajve, Merturit, Shlakut , Shoshit etj)….Në mulli e kuvend gjithsecili ka rendin e vet me blue e me fol. Juve ithtarë të mistikes po ju them,- Orët nuk po ua prekë, ato të lume kjoshin atje në shkëmbinj të thatë! Mana pra unë dashamiri i miteve romantike, orët veç nder ëndrra të mistershme më ka ra rasa me i pa. Por kam pa, e kam shtegtue krah për krah me gazetën “Dukagjini”.Sipas meje Dukagjini nuk ka pas kurrë “Orë ma të ambël” se ketë gazetë që sot mbushi njëzet vjet ! Dukagjin kurrë nuk ka pas vashë me të dashur për veti me ja qa hallin se ku po i dhemb e ku po i djeg. Dukagjini kurrë në historinë e tij nuk ka pas një zë kaq të fuqishëm të artikuluar qartë me kryefjalë e kallëzues gjithnjë tatën e shumë vuajtur. As një epos i moçëm, as një lahutarë, poet as shkrimtarë i veçantë nuk i këndoi me kaq zell e dashuri Dukagjinit se gazeta e tij nuse! As kush nuk e ka qortuar me aq dhimbje e përkushtim sa kjo perdiodike e re dhe e vjetër. Të lumtë trime! Vazhdo me zgjuarsi e guxim të demaskosh çdo lloj diskriminimi të ushtruar nga mbetjet osmane, Zogiste, Hoxhiste dhe sejmenëve orientalist sharlatan të maskuar me petkun e modernizmit demokratik. As kush si kjo çikole me fjalën e saj të vërtetë nuk zhduku frikën e sa e sa emrave që i kanë dhënë emër këtij qyteti të çuditshëm sa kulturuar aq edhe fanatik.
Ishte trishtuese fakti nuk guxonin të deklaronin origjinën se do “kryqëzoheshin” si malësorë e heretik dukagjinas vetëm se nuk vinin na tarafi fisnorë i të përkëdhelurve të baba dauleti apo kulisat nepotike sunduese shumë vjeçare. Si zonjë fisnike per 20 vite rresht as nuk shave,as nuk mallkove, as nuk ndeze pisha përçarës, politike , krahinore aq më pak fetare. Nder radhët e rreshtave kilometrike të Dukagjinit si nenat mes një kallamoqi te shëndetshëm ka edhe gabime ortografike ( nuk ka as gjë per tu çuditur pasi janë dy dekada punë vullnetare pa korrektor të paguar). Por, por në as një numër të kësaj gazete nuk do gjeni as kryeartikuj as artikuj qoftë edhe spontan në favor të ndonjë force politike! Të lumtë fisnike që nuk e përdhose emrin tënd në kënetën e pistë të politikës shqiptare .U tregove dinjitoze dhe me dinjitet stoik kur refuzove me neveri të bëheshe tupan apo letër higjenike e feudalëve xanxarë e tabmburxhi të majtë apo të djathtë.
Edhe kanë tentuar dallkauk bishtdredhur të hellin gurin e të fshehin dorën pas teje sidomos në intrigat politike dhe problemet delikate religjioze të këtij qyteti ku mjegullnajat e fanatizmit janë periodike si burgu u kërshëndellave. U ke treguar derën dhe cakun te thana duke u bërë te ditur se te “Dukagjini” as kush nuk mundë të shprushë si klloçka në rasat. Refreni juaj kushtrimuar; “Dukagjin deli Zot vetit” . Ku je bre burrë ç’ ka asht ky hutim i plogeshtë, vetë përfaqësohu në çdo nivel pushteti kumboi thekshëm çdo sene elektorale. Nuk është faji i jot “Dukagjin” që thirrjen tënde nuk e dëgjuan vetëm te vdekurit ne varre. Ti “Dukagjin” sy përlotur vure dorën mbi plagë duke konstatuar se komuniteti dukagjinas mbi sundohet një tufë para politike dhe një çetë intelektuale e qulltë pa ambicie dhe integritet drejtues e përzënë dhunshëm nga çdo vendim marrje. Ti “Dukagjin” me forcën e të madhe te fjalës së lirë u ngrite kundër braktisjes totale të zonës, shkatërrimit të asaj pakçkaje qe u trashëgua duke filluar nga rrjetit arsimor, shëndetësor, pyjet kullotat dhe infrastrukturës deri në kufijtë e izolimit. Ti “Dukagjin” bere detyrën duke ngritur sirenat e alarmit kundër kanabizimit, vrasjeve të çmendura , mungese së investimeve, vjedhjeve dhe shpërdorimeve banale nga zabitët e pushtetit. Vetëm dukagjinasit e politikës të vunë epitete politike sipas numrit të syzeve te tyre politik, por ti bere tënden duke qëndruar e baraslarguar nga politika dhe sharlatanët e sajë. Sa mirë që nuk u bërë furçe e askujt, as bashkë autore e dështimeve spektakolarë si të majtëve ashtu edhe të djathtëve dukagjinas që pas 30 vitesh nuk kanë se kurrfarë bilanci me ju thanë as kush u lumtë krahu. As një herë një historinë e një periodikje shkodrane nuk kanë gjet vend pranë e pranë figurat komplekse të etërve e gjysherëve tanë qe shkruan me të mirat dhe të metat e veta historitë e tyre antagoniste. Janë qindra emra, data ngjarje ndodhi që nga poshtë qiparisave nënë hijën e akull të harresës i nxore ne vitrinën tënde transparente . Ti bërë më të mirën e mundshme por jo më mirën që deshe. Është një she djerse e derdhur pa pare pa pullë. Mos e vra mendjen sojnike se nuk batallisesh dot nga proçkat kote të zemërliqve cinik qe nuk kanë bërë as gjë të mirë kurrë në jetë. Ti “Dukagjin” vazhdove udhën tënde si misionare e së mirës, virtytit, thjeshtësisë, urtësisë, bujarisë dhe humanizmit. Folklorike po, po me tepër se duhet. Kjo ka një shpjegim pasi zor të gjesh një shqiptar të çliruar plotësisht nga kompleksi i miteve, madhështisë dhe krenarisë. “Dukagjin”, kujdes shume kujdes pasi duhet prerë rreptësisht udha e çdo vetëmburrje sikur ne jemi qendra e botës. I qëndrove larg “Eposit të kishishëm komercial i pas viteve 90-të ku ne skena folklorike dhe YOU TUBE në mënyrë sa zhvatëse aq edhe Don Kishtoteske prezantohet ditë për ditë nga një kreshnik për çdo tym .
Xhixh ruaju fort nga kjo grykësi bajate pseudo kulturore. As një nga këta “titanë “të larë në shi metaforash te shkëlqyera nuk duhet guxojnë të trokasin kurrë në derën tënde . Me vetëpërmbajtje shembullore nuk u bërë pjesë e thashethemeve dhe intrigave sensacionale te përditshme. Si gjithnjë modeste e urtë dhe fisnike. Të lumtë motër qe mbijetove mes stuhive me zbatica e baticave mediatike rrënimtare. Sa e sa të përditshme të plotfuqishme shërbëtore te politikës e biznesit te pisë vdiqën pa dinjitet. Sa portale si butakët pas shiut sillën si prostituta intelektuale duke çoroditë mendjet e pa imunitet të njerëzve. “Dukagjini” eci në shtratin e vet si lumë i avashtë që meandrin mes lëndinash të blerat alpine duke evokuar dhe kultivuar kulturë duke ekspozuar në mënyrë transparente vlera, letërsi, histori, etnografi, mendim , analize refleksione intelektuale për të gjitha fushat. Stafi yt drejtues tashme historik meriton falënderimet më të mira qe na dhuroj jo një gazetë të zhurmshme me tirazh të madhe dhe njëpërdorimshme, por konfiguroi portretin e një gazete koherente me kolona kulturore të qëndrueshme me vijimësi të përhershme, bujtinë e bujare e penave të përzgjedhura me gjeografi mbarë shqiptare. Gazeta “Dukagjini” nuk është as pronë e stafit të sajë, as e shoqatës as e shoqatës me të njëjtën logo, por pasuri e çmuar Dukagjinit, Shkodrës dhe kulturës në tërësi. “Dukagjini” ka mirëpritur qindra e qindra pena publicistë , poet prozatorë , studiues, intelektual personalitete te artit sportit e traditës, te rinjtë e reja te talentuar. “Dukagjini” ka intelektual me profil të larë në të gjitha fushat, por pa Lazer Kodrën, , Luigj Shytin Ndue Sanaj Zef Nikën , Zef Gjetën Lazer Stanin, dhe Roza Pjetri kurrë kjo gazetë nuk do kishte mbërritur deri këtu. Per gazetën Dukagjin kanë kontribuar qindra e qindra zemra bujare emrat e te cilëve janë regjistruar ne arkivin historik të gazetës, por pa ndihmën e pa dorën e ngrohtë të Gjergj Liqejzes Ndue Ftonit, Kolë Çardakut dhe trokitjen derë më derë të Ndue Sanajt do ishim detyruar të shkruanim në akull. Çdo njeri nga ne sikur të kishim mbledhur trumëz 20 vjet sa kemi humbur kohë të pa paguar pas gaztës “Dukagjini” do kishim bërë nga një gjie për vete. Hallall mundi djersa dhe koha qe i falëm nga vetja jonë “Dukagjinit”! As një kullë tre bojshe as një pijetore dashurore nuk kushton sa njëzet vite jetë e kësaj gazete e cila është ushqyer me humanizëm pas as një përfitim ekonomik. Qe besa pra kostoja 20 vjeçare e Dukagjinit është me vogël se rroga mujore njërit prej disa bythë lëpirëseve të politikës qe ushqehen si rriqna mbi shpinën e dhisë. Paradokset shqiptare nuk kanë të sosur prandaj shpesh i hakërrehem të ndjerit Migjen:
-Ku dreqin e ke atë grusht që nuk u bë kurrë burrë! Gjithsesi Gazeta “Dukagjini” është një fenomen i veçantë vullnetarizmi, është një bashtinë vlerash, dhe çarranik plot me bereqet. “Dukagjin është një histori që vijon të pasurohet, falë përkushtimit intelektual idealizmit dhe bujarisë se pa shterrshme dukagjinase. Kjo pra është e Lumja e Dukagjinit e cila me të dy duart e saja të bardha ka njëzet vjet që i lanë faqet e përkëdhelë por edhe e qorto tatën e saj të dashur. 20 vjet “Dukagjin” një histori e pa shoqe dashurie për ty Dukagjin! Kështu udhëtofshi se bashku përjetësisht!