1.
Sot ishte një lajm i trishtë: shkoi në përjetësi Bajram Bashota (6. 01. 1946 – 2 nëntor 2020). Mbi të gjitha ishte pedagog, poet dhe veprimtar kulture. Klinë dhe Besianë gjatë këtyre dekadave zhvilluam veprimtari të panumërta. Në atë mes intelektualësh idealistë llapjanë, gjendej gjithsesi më i moshuari ndër ta, Bajram Bashota, gjithnjë fjalëpakët, i buzëqeshur e burrë fisnik. Vendtakime me të ishin Ditët e Plisit nëpër tërë Kosovën e në Llap (në organizim të Ismet Krasniqi Lala), orët letrare në Podujevë, Prishtinë e gjetiu, e sidomos ambientet në Lena graphic.
Këta idealistë shqiptarë nga Llapi, të kulturës e arsimit kultivuan kudo atdhedashurinë dhe bashkëpunimin fisnik e të sinqertë, për të lënë gjurmë nderi e kulture. Dhe ishte ndjenjë e mirë kur dëgjoje nxënës e kolegë të tij tek flisnin me miradije për të.
Ishte profesor i Gjuhës e Letërsisë Shqipe, dhe punoi deri në pension në vendlindjen e tij, në Llapashticë të Poshtme të Besianës.
Nëpër shumë portale shqip e në profilin e tij social të facebook, kisha rastin të lexoja shkrime të tij publicistike e poetike, si dhe ndonjë libër poetik, dhuratë nga autori.
Në shkrimin e tij “I lodhur nga jeta e vështirë…” (më 28 Mars 2020) ai shpreh shqetësimet e tij prej intelektuali të thjeshtë që jeton në gjirin e popullit:
“Këtë mëngjes u zgjova i lodhur nga barra e jetës. E di pse? Nga vjetët që po më rëndojnë mbi shpinë. Nga ngjarjet e çdo dite, muaj e viti… Një herë protesta e demonstrata, pasta shty ditë muaj e vite nën diktaturë e armikut, që s’vonoi e na solli luftën e përgjakshme e gjenocidin e pa parë. U terrorizua një popull i tërë, hapën qindra mija varrë të pa fajshme, veç se kërkonin lirinë e pavarësinë. U bënë masakra e masakra anë e kënd Kosovës. U çnjerëzuan burra e gra. Hataja ndodhi mbi atdheu e poullin tim.
Bota përparimtare i pa e gjykoi. E ndëshkoi regjimin gjenocidal. I dha dënimin e merituar NATO — ja. Kryetari SHBA –së Bill Klinton në një fjalim tha: Ne u ndihmuam ta fitoni luftën e ju duhet ta ndërtoni paqen!

Populli po vazhdon po vazhdon me mbi jetesa.
Perspektivë të punësimit s’ka, perspektivë të shkollimi jo. Qeveritë ndërrohen çdo muaj e çdo vjet. Harxhohen miliona për to. Vazhdon avazi i vjetër. Prapë dukuri të mbrapshta në klasën politike, prapë hajni e korrupsion. Prapë rrëzim qeverish. Prapë harxhime milionash. Nuk ka çare pa u çue ku popull i lodhur e i rraskapitur ani edhe me këtë Coronavirus vdekjeprurës nga i cili po presim vdekjen çdo minutë. Deri kurë do të zgjasë kjo odisejadë e popullit tim, njerëz?!”
2.
Shkroi e botoi edhe libra poetikë për të rritur e për fëmijë:
“Frymëzime”, poezi, 2015.
“Kolonë cicërimash”, poezi për fëmijë, 2016.
“Plis e flamur”, poezi, 2018
Në shënimet biografike për të thuhet se dha kontribut të dalluar në çështjet kombëtare, se me shkrime është marrë që nga shkolla fillore, duke botuar punime në revista dhe gazeta të ndryshme.